Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Poemë për vete e të tjerë

 

1

Gjimnazin sa mbarova atë verë…

Isha i ri, qimja sa më kish dalë,

dhe koka që, siç thoshin, kish marrë erë,

të piqej po fillonte dalëngadalë.

 

U nisa gjithë i zymtë për në fshat

ku shkollë e mësues s’pati kurrë,

vendosur rrëzë malit në një shpat,

s’të shihte syri tjetër, vetëm gurë.

 

Ngadalë hodha hapat monopatit

e brenda i menduar ndajnatëherë,

me drojë mes përmes i shkova fshatit,

gjimnazin sa mbarova atë verë.

 

2

Përse mësova vallë këta vjet

e nxora sytë e mi përmbi fletore?

Të jetë ky shpërblim për djersët det

mësues në një fshat lënë pas dore?

 

Kësi mendimesh zhytur atë natë,

me trupin lodhur fare e dërmuar,

mbi një postiqe shtrirë gjerë e gjatë,

thuaj dhe emrin tim pata harruar…

 

Pyesja veten, ironi e fatit

të jetë vallë e gjithë kjo që ngjet?

Po le të mos i hapej shkolla fshatit…

Prandaj mësova vallë këta vjet?

 

3

Orfeu, ndër këto, më pat rrëmbyer

në krahët e tij të lehtë e më çoi

mu pranë një çunaku rrobash shqyer

e sysh verbuar që ashpër më qortoi.

 

Ti s’do t’ i çelësh sytë e mi verbuar

e ndoshta një sy tjetër do për vete.

Hapmi, pa njërin sish ta kam dhuruar,

të rrosh ti me tre sy nëpër qytete…

 

Çunaku duar-shtrirë kundrejt meje

të qante nisi fort i ngashëryer.

Që ke zemër bujare, sot rrëfeje…

Me ëndrrën Orfeu më pat shpërblyer…

 

4

Mëngjes… Përtej dritares po kundroj

mes drizash, këmbëzbathur mbi një ledh,

një vocërrake. Së  largu po dëgjoj

një melodi me fyell, që rrëqeth.

 

Është ulur vocërrakja nën një bli.

Punon nuk di se çfarë me dy shtiza.

Një plage rrëzë hundës si qiri,

i sillen, nuk i ndahen dy-tre miza.

 

Do rritesh vogëlushe edhe ti,

patjetër do të rritesh, do mësosh.

Mbase dhe ti një ditë do kundrosh

nga tjetër dritare, më me voli…

 

5

Dhe ja, fillim-shtatori i atij viti

më gjeti vogëlushëve rrethuar.

E shkolla gjithë buzagaz më priti

me lloj-lloj lule mali zbukuruar…

 

Kujtimesh fluturova në atë mot,

kur rrugës së vështirë ia fillova.

Dy pika loti s’i përmbajta dot,

mësuesin tim të parë kur kujtova.

 

E fola, fola s’di sesa për të.

Për të edhe për shkollën që më rriti.

Në klasë s’pipëtinte asnjë zë.

Kështu filloi shtatori i atij viti.

 

6

Shtatori shkoi, pa erdhën muaj të tjerë.

Pllakosi dimri me acar të madh.

Krrokatnin korbat çjerrë mbi çdo ferrë

e ujqërit përgjonin nëpër vathë…

 

Dëborë e madhe dimrit mbuloi dhenë.

Kuiste me rënkime lisi i thatë.

Në pyll uritur skilja la folenë.

Diku, në mal, dëgjohej një sëpatë.

 

Po kur tufanet jashtë uturinin

për mua brenda ishte si pranverë.

Tashmë vogëlushët lehtësisht lëçitnin.

Dimri do ikte, vinin muaj të tjerë.

 

7

Një ditë fola për të parët tanë,

trima që veç ky vend ditke të rritë,

Danko, që kraharorin dysh e çanë

e si pishtar me zemrën bënë dritë.

 

E ç’qenë ata përveç se bij të punës?

Vërtet të thjeshtë, por ama krenarë,

që dhunën kurdoherë i vunë dhunës,

e s’ditën veç të dilnin fitimtarë…

 

Jehonte jashtë kënga labërishte,

që tutje grykës, gjer në pyll matanë,

e gjer në klasë kënga burrërishte

kumbonte, histori e të parëve tanë.

 

8

Kështu në fshat më shkoi vit i parë,

diku me brenga, diku me gëzime,

ku me të qeshur, ku ca çehrevrarë,

por gjithë krenar tek shihja veprën time…

 

Pastaj pushimet, miqtë, shoqëria,

qyteti i shtrenjtë, vajza që më desh,

e çmallën shpirtin tim sikur rinia

të çmallë di e të argëtojë shpesh.

 

Vitet e tjerë që erdhën dhe shkuan,

më bënë një me shkollën, të pandarë,

më rritën shpirt e zemër, më mësuan

plot gjëra që s’i dija ca më parë.

 

_________________________________

Poema ka karakter narrativ. Është shkruar me varg të rregullt njëmbëdhjetërrokësh e rimë të  alternuar (ABAB), pra në modelin tradicional të kohës. Ajo është konceptuar pak a shumë në formë sonetesh (tetë gjithsej), ndonëse jo sonete të mirëfillta. Ato i lidh e njëjta tematikë, i njëjti hero lirik dhe ngërthejnë përjetimet e një mësuesi të ri të emëruar në një  fshat të largët në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Në rrjedhë të kohës, zhgënjimin e fillimit e zëvendëson dashuria e mësuesit për fëmijët. Nga ky këndvështrim, “Poemë për vete e të tjerë” merr karakter universal, pasi metamorfoza dhe përtëritja shpirtërore mund t’i ndodhin çdokujt, pavarësisht profesionit, çka lind nga kontrasti midis ëndrrës me asaj që ndodh realisht.

 

Please follow and like us: