Leonard Olli: Rrënimi i rendit, sigurisë publike dhe institucioneve përgjegjëse!
Rreth 7 vite më parë e vetëshpallura “rilindje” në kuadër të fushatës elektorale kishte filluar sulme denigruese ndaj Policisë së Shtetit. Akuzat ishin nga më monstruozet, si në kuadër të drejtimit teknik të Policisë, ashtu edhe atë politik. Sigurisht që asnjë nga akuzat nuk kishte lidhje me realitetin në thelb, por retorika politike si gjithmonë ndikon opinionin publik. Por, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër lidhej me vizionin e tyre për policinë e së nesërmes. Me shumë forcë, kam denoncuar aso kohe dhe vijoj edhe sot, idenë diktatoriale “Një shtet, një polici”, një rikthim i pastër në diktaturë me famëkeqen Polici Popullore. Pak kohë më pas, thuajse në kuadrin e një viti denoncova publikisht në media vizive e të shkruara se vendi po rrëshqiste dita-ditës drejt një shteti policor. Dhe kjo nuk ishte dhe është një retorikë politike, por fakt me shembuj konkretë mbi detyra që i ngarkohen Policisë në tejkalim absolut të ligjit mbi Policinë e Shtetit apo edhe kuadrit ligjor e kushtetues që normon punën dhe funksionimin e agjencive ligjzbatuese. Niveli i drejtimit të Policisë së Shtetit është sot në kuotat më të ulëta që nga rënia e shtetit në vitin ’97! Nga raportet e organizmave të huaj apo edhe vendase dëshmohet mungesa e profesionalizmit apo shkelje flagrante të ligjit në emërimet apo rekrutimet e reja, që shqip e troç do të thotë militantizmin e plotë të kësaj organizate. Në fakt, thelbi i shtetit policor është pikërisht ky: detashmente të betuar ndaj pushtetit dhe jo shtetit apo qytetarëve. E këtu demokracia mori një goditje shumë të rëndë, pasi pothuajse u asgjësuan të drejtat e njeriut. Ka mjaft shembuj konkretë që e provojnë këtë fakt dhe që të gjithë i njohim, pasi fatmirësisht jeta ‘on line’ edhe pse e sulmuar vijon të mbetet një oaz lirie që diktatura e urisë rilindësve ende nuk ka arritur ta mbyllë. Nuk dua të referoj implikimin e zyrtarëve të saj të lartë në kanabizimin e vendit apo rikthimin e Shqipërisë në korridoret e tranzitit të drogave të forta, madje edhe në vendprodhim të tyre, por dua të ndalem në një aspekt po kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm të çdo vendi, ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve. Presupozohet se kjo është detyra themelore që ligji i ngarkon Policisë së Shtetit. Të paktën për fat të mirë kjo nuk është hequr nga ligji. Pyetja shtrohet, sa e ka përmbushur Policia këtë mision?! Referuar sondazheve, media e apo edhe ekspertëve shumë pak. Madje, edhe kur e bën këtë, e bën me ngjyrime të theksuara e diskriminim të pastër politik. Arrestohet si kriminel dikush, që ndoshta edhe në shkelje të ligjit kryen punime në shtëpinë e tij, por mbrohet me çdo kusht militanti i partisë që ndërton kate shtesë apo po lejë fare. Një drejtoj policie rajonal sillet si pashai i qytetit, duke shkelur ligjin dhe ndëshkon qytetarin hallexhi. Dhe nuk i hyn as një gjemb në këmbë. Edhe kur ngjarja bëhet publike. Një drejtor tjetër shkakton aksident rrugor dhe ngjarja zyrtarisht u mbulua. Jo vetëm që nuk pati transparencë, por me siguri fajtore është shpallur qytetarja e pafajshme dhe e dëmtuar. Drejtori i përgjithshëm kryen një gafë publike, në raportim direkt në komisionin e Rendit dhe Sigurisë Publike dhe askush nga deputetët e partisë nuk tha asnjë fjalë. Ishte sërish reagimi publik që solli si pasojë kërkimin e një ndjese publike prej tij dhe si gjithmonë marrjen nën mbrojtje publike nga kryeministri. Shembuj të tillë janë të pafund. Një aspekt tjetër sa profesional aq edhe publik është, për fat të keq, zhdukja ‘de facto’ e transparencës së punës dhe të dhënave të punës së Policisë. Shumë nga gazetarët e kronikës e kanë shumë të qartë faktin se prej vitesh organizata ka ndaluar praktikën e analizave gjashtë mujore apo një vjeçare të Policisë së Shtetit, në nivel lokal dhe qendror. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, një ballafaqim publik sado i mirorganizuar do i nxirrte bllof shifrat zyrtare. Edhe pse jemi vendi më i policuar në terren, jemi po ashtu vendi me numrin më të lartë të krimeve në lidhje me jetën dhe sigurinë e pronës, aksidenteve rrugore apo kriminalizimit të çdo segmenti të jetës sonë të përditshme. Nuk po përmend fare këtu policimin në komunitet, si një nga detyrat kryesore në kuadër të integrimit evropian, ruajtjen e kufijve që tashmë po e bëjmë me forcat e FRONTEX se nuk jemi në gjendje ta bëjmë vetë, krijimin e një databaze unike të shifrave të kriminalitet dhe unifikimit të tyre sa i takon ndjekjes dhe kalimit në gjyqësor se do të ishte një “shaka” shumë pa kripë nga ana ime. Do të ishte njëlloj sikur të kërkoja nga një i pastrehë të qarkullojë çdo ditë i krekosur me ‘smoking’! Për më tepër askush nga kupola ‘teknike’ apo politike nuk i ka fare në referencë këto që them e do më konsideronte alien. Shqipëria i ngjan sot një Wild West të shekullit të XXI, ku sherifi (policia) qartazi mbyll sytë ndaj bandave dhe godet me shumë forcë mollaxhiun që ka dalë në rrugë për mbijetesë. Diktatura e urisë nuk mund të lejojë që dikush të ushqehet pa lejen e saj. Bandat vriten pa fund mes vedit, por me bekimin kokëministror, i cili i ka mallkuar me shpirt publikisht: “Kokat hëngshin mes tyre” (pavarësisht se shpesh janë edhe kokat e qytetarëve të pafajshëm që kalojnë andej pari). Jeta dhe prona e çdokujt prej nesh është më e pasigurt se kurrë! Nëse hyn në komisariatet tona e pëson si në Bastijën e kohës se Komunës së Parisit, të hidhen çelësat në det dhe nuk ke asnjë të drejtë, ndërkohë që krimineli i kapur në flagrancë me një telefon kalon natën në hotele luksoze. Se mos guxoni të kërkoni avokat apo të drejta të tjera se nuk është çudi të përfundosh me sy të nxirre e hundë të thyer. Diktatura e urisë mendon me zemër për ju.
Shumëkush me të drejtë shtron pyetjen se përse ka katandisur kështu situata e rendit dhe sigurisë publike dhe ka degraduar kaq shumë Policia e Shtetit apo agjencive të tjera ligjzbatuese? Sigurisht që në një trajtim profesional dhe politik ka vend për një analizë të thellë, por në gjykimin tim modest, njëra është arsyeja më thelbësore. Ndërtimi i shtetit policor lidhet drejtpërdrejt me mbajtjen e pushtetit me çdo mjet. Si organizata më e madhe dhe fuqiplotë e rendit dhe sigurisë publike ajo menaxhon shumë elementë të krimit të organizuar apo edhe të thjeshtë, të cilët prej kohësh në përfitim të ruajtjes së aktivitetit kriminal bashkëpunojnë haptazi me pushtetin për të garantuar edhe formalisht votat që i duhen. Besoj se tashmë të gjithë brenda dhe jashtë Shqipërisë janë në dijeni të këtij fenomeni. Duket pak si naive, por kjo është arsyeja kryesore përse nuk bie kambana. Ky është thelbi i këtij degradimi fatkeq. Pra, në apel për këdo që është realisht në opozitë me ketë sistem, status quo, si të doni mund ta cilësojmë, mos u shpërqendroni dhe merreni me gjethet, duke harruar degën, pemën dhe vetë pyllin. Nëse realisht kërkoni që të kemi rend dhe siguri publike apo zgjedhje të lira e të ndershme duhet të bashkojmë zërin fort për të bërë dekriminalizmin e Policisë, depolitizimin e saj, rikthimin e saj në misionin e parashikuar qartë nga ligji, pasi vetëm kështu krijojmë një premisë të fortë për të rrëzuar diktaturën e urisë. Dhuna policore dhe bashkëpunimi me elementët kriminalë janë arsyeja e parë e frikës dhe tjetërsimit të votës së lirë. Për të gjithë ata që besojnë në mënyrë naive se zgjedhjet manipulohen ditën e zhvillimit të tyre apo në numërim, më lejoni modestisht t’ u them se ato janë vetëm retushime për demonstrimin e forcës dhe arrogancës. Pushteti dhe organet e tij (policia&bandat) e kanë mbyllur biznesin që të shtunën e heshtjes zgjedhore! Para se të depolitizoni apo dekriminalizoni administratën zgjedhore, duhet të dekriminalizoni dhe depolitizoni shtetin dhe organet e Diktaturës së Urisë!