Albspirit

Media/News/Publishing

‘Planeti Grua’, fluturat që flejnë nën lëkurë të artistes shqiptare nga Kosova

Sabina Darova

 

Intervistë eskluzive me fotografen shqiptare nga Kosova me emrin artistik, Mariposa Fa.

 

Më 14 gusht 2020, ora 19.00, artistja fotografe dhe poete, Rozafa Shpuza, pranë Galerisë së saj të arteve “ODA” në Shkodër promovon ekspozitën fotografike “Planeti Grua”, të artistes shqiptare me banim në Zvicer, Mariposa Fa. Për këtë arësye, për Alb-Spirit.com përgatitëm një intervistë eskluzive me vetë artisten fotografe.

Për publikun ardashës, emri në art Mariposa Fa, përqaset si një nga fotografet shqiptare më premtuese të kohës postmoderne që jetojmë. I zgjedhur posaçërisht nga autorja ky emër, është personifikim i Fluturës në gjuhën spanjolle, që na ofron besimin e një metamorfoze (metamorfosa e Kafkës), si një  proçes jetësor lëvizës, në cilin pësojmë apo prodhojmë ndryshime. Autorja në të gjitha krijimet e saj kërkon si një kopështin e Edenit, shtegun drejt lirisë.

Mariposa Fa jeton prej 17 vitesh në Montreux në Zvicër. Aktualisht është duke punuar në një projekt mbi temën e konsumimit të përgjegjshëm. Ka në proçes realizimin e një koleksioni me punime dore me materiale të recikluara.

 

Idea për t’i dhënë jetë të dytë apo të tretë gjërave  që na rrethojnë, është mënyra juaj për të shpëtuar planetin…  Cili është planeti juaj si grua dhe ai si artiste, që shfaqet në Shqipëri për herë të parë, duke përgjedhur qytetin e Shkodrës për ekspozitën tuaj?

 

Jam shumë e emocionuar që m’u dha mundësia me shfaqë punën time në qytetin e Shkodrës, pikërisht aty ku u vunë gurët e parë në themelin e fotografisë. Perceptimi im është se Shkodrës i vjen era fotografi qysh nga koha e Marubit.

Kisha dashtë me cek se kjo ekspozitë i dedikohet nënës sime, që na la para një viti e gjysmë. ‘Planeti Grua’ është ngjizuar në vetëdijen time nga ky personazh unik, që ka pasur dhe vazhdon ta ketë magjinë për të përcjellë tek unë gjithçka të mirë, të brishtë, të pamatë, gjithçka që më mbështjell e më mban gjallë.

I parë në një prizëm më të gjerë, planeti im si grua dhe si artiste është përplot me inspirim nga gratë që punuan dhe vazhdojnë të punojnë për të drejtat e tyre.

Jeni ftuar nga Galeria “ Oda“ e fotografes Rozafa Shpuza. Është kjo një rastësi, apo fryt i një bashkëpunimi artistesh, duke marrë në konsideratë dhe përkatësinë gjinore?

 

Intensitetin e dashurisë për fotografinë e kemi të njëjtë me Rozafën. Ka kohë që ia ndjekim krijimtarinë njëra-tjetrës me dashamirësi dhe përkushtim. Unë e çmoj shumë si grua dhe si artiste, sepse është një person që derdhë pafund energji dhe kreativitet. Më nderoi tej mase kur më ftoi për të hapur ekspozitën time të parë në galerinë e saj ‘ODA’.

I kemi përzgjedhur bashkë fotografitë, kemi diskutuar gjatë për to, i kemi përshkuar me kujdes në fillin që lidh ndjesitë dhe dritëhijet e tyre. Jam e bindur se fotografitë e mia do të kenë lehtësisht mundësi të shpalosin vlerat e tyre, kur kuratore dhe mikpritëse e kësaj ekspozite është Rozafa.

 

Gjilani, qyteti juaj i lindjes, është një djep arti i cili  ka përkundur  shumë artistë. Ku qëndron sekreti, tek uji, apo tek brumi i bukës?

 

Po Sabina, ke shumë të drejtë kur thua se Gjilani është djep i artit. Unë të ftoj ta vizitosh këtë qytet dhe ta provosh ujin e bukën e tij, por do të zbulosh se sekreti fshihet te njerëzit që gjithmonë kanë qenë mendjehapur.

E kaluara është një qiri që djeg përgjatë një rruge të gjatë për t’i bërë dritë së ardhmes. Si flet e kaluara juaj dhe çfarë kërkon t’i japi të ardhmes?

 

Si flet e kaluara juaj dhe çfarë kërkon t’i japë të ardhmes?

Gjeneratat e viteve ‘80 në Kosovë kanë përjetuar një seri të ndryshimeve ekstreme.

E kaluara ime flet për diskriminimin, varfërinë, etjen për liri, luftën…

Të gjitha këto përjetime kanë ndikuar ekstremisht në formimin tim. Janë jehona që përplasen papushim në unin tim, që më japin forcë për të ecuar përpara, duke më kujtuar se nga vij dhe cila është ardhmëria ime. E gjithë jeta ime është e lidhur pazgjidhshmërisht me të kaluarën dhe asnjëherë, nuk kisha hequr asgjë nga gjitha ato që kam jetuar.

Çdo portret që fotografohet me shpirt, nuk është protret i një modeli, por i artistit. Ju fotografoni vetëveten. Cilat janë mesazhet që përcjellin autoportretet e tua?

 

Ta fotografosh vetveten për të përcjellë një mesazh nuk është çdo herë e lehtë.

Në shumicën e autoportreteve mundohem të paraqes rëndësinë e gruas, forcën shpirtërore që kemi. Autoportretet e mia janë mesazh për të rrënuar tabutë ndaj komplekseve fizike… Me i trajtu këto tema, shpeshëherë duhet me u përballë edhe me paragjykime të ndryshme, mirëpo me kohën jam imunizuar…

 A e keni perceptuar atë shijen e të qenurit ‘e çuditshmja’? Nëse po, a ju pëlqen të ndjeheni e tillë dhe përse?

 

Mendoj që secili njeri mbart me vete grimca të çuditshmërisë.

Unë gjithmonë jam ndjerë e ndryshme, janë të tjerët ata që më kanë parë si të çuditshme.

Të jesh ndryshe do të thotë të kesh kokën aq të fortë sa t’i përballosh të gjitha për ta ruajtur shpirtin autentik.

Nuk mund ta pëlqej apo ta urrej këtë ndjenjë; e jetoj dhe besoj se çdo gjë që e bën diferencën është më interesante.

Fotografia juaj është kontrasti bardhë e zi. Përse ky kontrast në portretin e gruas që ju luani me aq mjeshtëri duke krijuar gjithnjë një fabul?

 

Fotografitë bardhezi i dua shumë. Ato më japin mundësinë me udhëtu nëpër kohë e shpesh me kriju atmosfera nostalgjike. Autoportretet i bëj të shumta dhe secila ditë dallon nga e djeshmja, prandaj ka kontraste ndër to. Ajo që dua unë është që nga një imazh imi, dikush tjetër ta njohë veten.

Kush janë mësuesit e fotografisë për ju, që ju kanë shtyrë të hyni dhe të eksploroni në botën e saj?

 

Kam mësuar në mënyrë autodidakte të bëj fotografi. Me kalimin e kohës fotografia u bë pasion. Nga viti 2015 e deri sot, ky lloj i shprehjes përmes imazhit, ka vlerën e terapisë shpirtërore, gjithashtu, edhe fizike për mua.

Sa i përket inspirimit, ka shumë fotografë, puna e të cilëve më pëlqen, mirëpo ajo që kisha me veçu është, padyshim, Francesca Woodman.

Bota e dixhitalizimit ecën përpara me një shpejtësi të paimagjinueshme. Kush do ta fitojë konkurrencën, teknika apo kreativiteti? Si e shihni krijimtarinë tuaj pas 20 vjetësh? Kush janë projektet e së ardhmes?

 

Mendoj se teknika është shumë e rëndësishme, por për mua gjithmonë fiton kreativiteti, për arsye se nga ky burim dalin të gjitha idetë.

Pas 20 vjetësh do të mundohem të jem sa më origjinale. Projektet e së ardhmes kanë të bëjnë me fotografinë, si dhe me krijime të tjera në bazë të reciklimit

*****

Duke falenderuar dhe i uruar suksese autores Mariposa Fa, ashtu  edhe të zonjës së galerisë “Oda”, Rozafa Shpuza, ju kujtojmë, që ekspozita ‘Planeti Grua’ do qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të muajit shtator.

Please follow and like us: