Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: A jemi të lirë në këtë demokraci të arnuar?

 

 

Jemi në kapitalizëm i cili i rrezikon duke i frymëzuar njerëzit që të jenë të interesuar më shumë të fitojnë se sa të jetojnë… Por sa të lirë jemi në këtë shoqëri? Ka ardhur koha që të kundërshtojmë shumë dhe të bindemi pak, se bindja e verbër të çon në skallavëri dhe prej skallavërisë së plotë asnjë popull nuk e fiton dot lirinë…

Sot përjetimi i lirisë e ka tejkaluar lirinë prej vërteti. Sot liria është thyer në mijëra copëza të antinjeriut modern. Sot liritë e mëdha përjetohen vetëm atëherë, kur akti i të menduarit liri përkthehet në banalitet. Njeriu modern është kthyer në një metamorfozë antivlerash, të cilat shiten si vlera në tregun e suksesit që shkon deri në oborrin e shtëpisë së tjetrit.

Nëse në shekullin e kaluar flitej për gotën gjysmë plot të një optimisti, sot ne flasim për trutë bosh dhe rëndesën e tangërllëkut që flet gjuhën e njeriut modern. Sot ne kemi gjithëfarë soji e mishmashi, me ngjyra dhe pa ngjyra, barkbosh dhe brekëgrisur që i vërtiten lirisë së tjetrit me dorën e pushtetit. Sot vlerat nuk janë më të përcaktuara sepse sot ne nuk flasim për lëvizje populiste apo sovrane, ne jemi në epokën e shoqërisë politike.

Nëse në shekullin e kaluar roli i njeriut ishte të qenurit individ human, sot humanizmi është thjesht një maskë dixhitale 10 centëshe në mediat sociale. Shoqëria moderne është kërrusur kaq shumë nga individualizmi ekstrem saqë duket sikur është ringjallur me despotizmin që po prodhohet ndërsa nepotizmi ka arritur kulmin. Sot kemi njerëz, ku përjetimin lirisë e kanë  thjesht akt imagjinate duke prodhuar individë të heshtur, të kequshqyer, të dhunuar nga vetë qenia e tyre e kthyer në një flamur të shkymë.

Nëse në shekullin e kaluar, arti ishte ushqim për shpirtin, sot të quajnë të çmendur nëse lexon Balzakun. E kjo nuk është çudi në një epokë dixhitale, ku debati i lindur në facebook prodhon histori, famë, vlerë, lëvizje e madje madje mitingje.

Nëse në shekullin e kaluar Makiaveli lexohej ashtu siç ishte, sot shërben si një doktrinë për të kapur pushtetin e kthyer në dinasti. Sot një ligj nuk është më rregullator i shoqërisë, por e drejta pozitive që shfajëson gjithmonë më të fortin. Epoka e statusit të skllavit është rikthyer sërish në një formë të moderuar të një demokracie facebooku që matet përmes komenteve.

Nëse në shekullin e kaluar, të bërit luftë shihej si një deficion të kërkimit të paqes, sot paqja është mania për të qenë Tjetri, Askushi, Dikushi pa emër. Të paturit dinjitet do të thotë të jesh i mjerë ndërsa të jesh Servil do të thotë të  krenari. Një gërryerje e njeriut e ka kthyer në një antinjeri, ku gjithçka bëhet vetëm për euforitë e rradhës, në një demokrac të shtrembëruar.

Nëse në shekullin e kaluar, edukimi ka qenë mision dhe arsimi shkalla më e lartë e mjeshtërimit, sot jo vetëm që kemi një shoqëri ç’edukuese, por më shpejt të vjen diploma në shtëpi sesa ndodh i gjithë procesi i arsimimit.

Nëse në shekullin e kaluar, shpikjet e reja lulëzonin në emër të humanes, sot jo vetëm nuk kemi çfarë të shpikim, por jemi bërë përsëritës të vetvetes duke prodhuar zëra që nuk degjohen, shumë vesh të shurdhër dhe një filozofi boshe.

Nëse në shekullin e kaluar, shihej për nga e ardhmja, sot e ardhmja është vetëm e zezë, pa formë, anjerëzore, antihumane, pakurrizore, dhe vetëm politike, çudibërëse, shpotitëse dhe mbytëse.

Sot dhe vetëm sot tymnaja e pushtetit prodhon iluzione shkatërrimtare të një Njeriu që ka vdekur që në lindje, që kurrë nuk ka prodhuar ëndrra fëminore, por vetëm një mplakje të shpirtit, ndjenjës dhe heroizmit për të prodhuar guxim për të jetuar.

Mbase kjo sot nuk duhet jetuar… Fëmijët e sotëm që t’i bëjnë nervat kaëurrel që rrinë gjithë ditën me celular në dorë dhe humbasin kohë pa fund me lojra në ndryshme dhe së fundi me Fortnajd!… Prindërit e shkretë në ditët e sotme ngjajnë me ata fajdexhinjtë që rrezikojnë qëllimisht paratë e tyre në mënyrë që të arkëtojnë interesat e një mirënjohje nga fëmijët e tyre e cila zhduket në drejtim të paditur… Të gjithë mundohemi të bëjmë një kompromis midis eprorit, pronarit që të merr shpirtin në punë po ky kompromis ka një kufi që quhet dinjitet dhe askush nuk mund të shkeli përndryshe ke marrë fund… Shpesh herë në këtë Shqipëri hallemadhe na duket vetja sikur jemi ulur në mes të kësaj Europe në anën e gabuar pasi vendet e tjera i kishin zënë të tjerët që janë me km para nesh…

Del në rrugë dhe të mbytin lypësit varfanjakë të gjithë moshave të ndryshme që na ndjekin pas ngado për të eksploruar xhunglën e varfërisë dhe të mëshirës… Dikush thotë se e gjithë e keqja na vjen se nuk kemi ligje. Realisht koha ka treguar se edhe me ligje të këqia dhe funksioinarë të mirë mund të qeveriset, por me funksionarë të këqinj edhe pse mund të bësh ligje të mira kjo nuk shërben për asgjë… Ne jemi vetëm llafazanë kafenesh dhe kush nuk bën asgjë ndihet përgjegjës për çdo gjë…

 

 

 

Please follow and like us: