Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtareve Valdete Hoxha dhe Etleva Deda
Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese vendimin e KPK për të konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Tiranë Valdete Hoxha dhe gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, Etleva Deda.
Në letrën dërguar KPA, Komisioner Publik shkruan se vlerësimi i shkallës së parë të vetingut ndaj dy gjyqtareve është rrjedhojë i një vlerësimi jo të drejtë të provave dhe të një hetimi jo të plotë dhe shterues administrativ.
Për këtë arsye ai kërkon rihapjen e çështjeve dhe shkarkimin e tyre.
NJOFTIMI
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 269, datë 1.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Valdete Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 269, datë 1.7.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Valdete Hoxha, janë rrjedhojë e një vlerësimi jo të drejtë të provave dhe të një hetimi jo të plotë dhe shterues administrativ.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
NJOFTIMI
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 256, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Etleva Deda, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 256, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Etleva Deda.