Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Kikia: Nevoja për të frymëzuar një nacionalizëm të ri

Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve – thotë një shprehje. Por të jesh nacionalist nuk do të thotë të jesh maskara. Nacionalist do të thotë të jesh një njeri që do vendin tënd. Shqipëria këto 30 vite ka kaluar nëpër dy hendeqe, njëri më i lig se tjetri.

I pari ishte përdhosja e çdo gjëje kombëtare. Pas shembjes së komunizmit ne e zbrazëm dufin për vuajtjet tona deri në përbuzje ndaj vendit dhe simboleve tona kombëtare.

I dyti ishte shpërdorimi. Në kushtet kur shoqëria kishte nevojë për dinjitet dhe ngritje të moralit atdhetar, nuk munguan ata që e shndërruan flamurin në një leckë të cilën e tundin nëpër tubime politike, e pastaj i hidhnin nëpër kanale. Si manifestime të një lloj ringritjeje morale të shoqërisë ishin ndeshjet e kombëtarës së futbollit, që shndërroheshin në manifestime atdhetare.

Por politika e përdori dhe shpërdori flamurin dhe shiponjën. Kujtojmë se një forcë e re politike lindi vetëm duke u bazuar në përdorimin e simboleve të kombit, duke marshuar madje edhe në Bulevadrin e Tiranës, me kuaj, dhe “luftëtarë” me kostume popullore e plisa të bardhë në kokë.

Madje edhe presidenti u ul në gjunjë e puthi flamurin si Isa Boletini në 1912, duke u betuar për një pranverë kuqezi, që as nisi e as përfundoi, sepse mesaduket ai i mbylli llogaritë e tij.

Por të rinjtë dhe fëmijët duhet të edukohen me dashurinë për vendin, për gjuhën dhe historinë e tyre. Simbolet e kombit nuk janë kuaj sa për të kaluar lumin, dhe pastaj….

Ata duhet të mësohen që ta thonë me zë të lartë se e duan vendin e tyre, dhe nëse punët shkojnë keq këtu, nuk është faji i vendit por i atyre që qeverisin. Ne kemi një vend të përkryer për të siguruar një jetesë të lumtur. Një vend me male, fusha, lumenj, liqene, pyje, pasuri nëntokësore. Skemi asnjë arsye të jemi të varfër, përvec arsyes njerëzore.

Please follow and like us: