Ela Zdrava: SHPIRTIT I KE MUNGUAR
Mos u zgjo si qiell i rënduar me re,
pesha e tyre ka dhimbjen e së djeshmes,
lëre sot të zbraset mbi tokë ky qiell,
të zgjohesh me diellin e të nesërmes.
Mendimet e vrara me tinguj fashoji,
qepenat e shpirtit rrëmbimthi ngriji lart,
dritares zemrës hapja krejt kanatat,
të hyjnë cicërimat me të ngrohtin fllad.
Shpirtin e lodhur të ta marrin cicërimat,
drejt kaltërsive të fluturojë i lehtësuar,
majave të maleve të shuajë bubullimat,
e nesërmja të të zgjojë rreze lartësuar.
Vatrave të zemrës ndizi zjarre,
me bukuritë e jetës vallëzo dashuruar,
asgjë nga e djeshmja s’të pengon fare,
veç ti, shpirtit tënd shumë i ke munguar.
Please follow and like us: