Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: A duhet ta gjykojë historia UÇK?

Në vend të një rrëfimi distopik, UÇK-ja dhe të gjithë ne duhet të kthehemi te rrëfimi që na përbashkoi

1.Pashë draftligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës, pasi që për të paraqiti vërejtjet ambasadori amerikan në Kosovë. Më duhet ta pranoj se nuk kisha dëgjuar, apo i kishte ikur vëmendjes sime, për një përpjekje të këtillë ligjore aq më shumë kur Kosova po dëshmon seriozisht se nuk di ta mbrojë veten në kohë paqeje, së paku jo nga pandemia COVID-19.

Kur mora ta lexoj draftligjin, pashë që ambasadori amerikan ishte përpjekur me dashamirësi dhe me fjalor sa më të butë ta tërheqë vërejtjen për një draftligj që, i formuluar dobët siç ishte bërë, ishte një formulë që të sanksiononte një gjendje të paprecedentë në historinë e njerëzimit, që të krijohet një hapësirë tematike e cila përjashtohet prej vështrimit historik. Me draftligjin e propozuar, Kosova i shndërron “vlerat e luftës” në një hapësirë, e cila ligjërisht është e përjashtuar nga trajtimi publik.

Me nenin 5 të këtij ligji, “çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe t’i mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.

Me këtë formulim, “vlerat e luftës” shndërrohen në një besim religjioz që tejkalon edhe sistemet e teokracive. Përtej edhe një Republike islamike apo të krishterë, Republika e Kosovës do të obligojë çdo qytetar të Kosovës që të kalojë ditën duke mbrojtur besimin, “vlerat e luftës”, “në çdo kohë dhe rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.

Kështu, ligji dhe Kosova me të mund të kandidohen për rrëfime të letërsisë distopike në të cilën pasi të kalonte ligji do të duhej të formohej Ministria e Vlerave të Luftës, e cila do të kishte detyrë të mbikëqyrte çdo qytetar se a është duke i mbrojtur apo jo vlerat e luftës. Ministria do të duhej të vlerësonte madje jo vetëm deklarimin e çdo qytetari – a mos ka ofenduar apo jo vlerat e luftës – por edhe mosdeklarimin e çdo qytetari. Nëse për shembull, në një medium gazetaresk apo në media sociale dikush deklaron kritikë ndaj luftës së UÇK-së, organet e Ministrisë së Vlerave të Luftës do të vlerësonin se cili prej qytetarëve të Kosovës nuk është treguar syçelë dhe nuk i ka mbrojtur ato të drejta publikisht.

Pos hapjes së ditës dhe mbylljes së saj me deklarimin e çdonjërit prej nesh se gjëja më e mirë që na ka ndodhur në jetë janë lufta dhe vlerat e saj, do të duhet në çdo orë të dëshmojmë se jemi duke i mbrojtur luftën dhe vlerat e saj. Ndryshe, biem ndesh me ligjin.

2.

Po, do të sanksionohej çdo individ, i cili kuturu e pa ndonjë analizë racionale do të deklaronte se lufta e UÇK-së nuk ka qenë efikase.

Por, do të sanksionohej edhe çdo studiues e analist që do të përpiqej të analizonte se çfarë ishin, për shembull, vendimet taktike e strategjike të Shtabit të Përgjithshëm. Kështu, nuk do të lejohej të shkruhej historia e UÇK-së, për dallim prej qindra e mijëra lëvizjeve guerile e të tjera të armatosura, të cilat kanë histori të shkruar me të cilat përpiqet të kuptohet veprimi në kushtet e caktuara të luftës.

Apo, do të dënohej cilido që do të vinte në pyetje vendimet e Drejtorisë politike të UÇK-së – lëre me vënien në pyetje se a duhej të kishte Drejtori Politike apo duhej të ishte si Ushtri Çlirimtare e Kosovës e subordinuar presidentit të vendit, Ibrahim Rugova. Me këtë draftligj do të mbroheshin të gjitha komunikatat e Drejtorisë Politike e të Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë edhe ato që nxisnin konfliktin e brendshëm brenda forcave të ndryshme politike shqiptare të Kosovës.

Dhe, me këtë draftligj të shndërrohej në kategori ligjore betimi i ushtarit të UÇK-së. Tanimë do të bëheshin të mbrojtura nga ligji dhe të dënueshme për të gjithë ata që nuk pajtohen se:

“Unë, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre”.

Çka do të ndodhë me çlirimin e Çamërisë? Do ta kemi obligim ligjor apo jo? A do të ndëshkohemi nëse themi se nuk ka qenë ndonjë ide brilante, që vajzat dhe djemtë e Kosovës që e kishin të vështirë ta mbronin pragun e shtëpisë së tyre të betoheshin se cak ushtarak do ta kishin edhe çlirimin e Artës e Prevezës, pjesës veriperëndimore të Greqisë së sotme?

A do ta rrisim bashkëpunimin e shtetit të Kosovës me shtetet tona fqinje, nëse u themi se tashmë e kemi obligim ligjor që aty ku ka shqiptarë dhe vlerësojmë se është tokë shqiptare do të zhvillojmë luftë çlirimtare?

3.

Kam qenë njëri prej përkrahësve të parë publikë të UÇK-së në kohën kur kjo trajtohej si veprim antiligjor nga autoritetet serbe dhe një lloj herezie politike nga përkrahësit perëndimorë të Kosovës, në radhë të parë SHBA-ja. Konsideroja atëbotë, dhe ende besoj se kam pasur të drejtë, se paraqitja e UÇK-së në kohën kur lëvizja paqësore e shumicës shqiptare në Kosovë e kishte konsumuar në masë të madhe veten në pasivitet, ishte shenjë se popullit të Kosovës nuk i ka mbetur gjë tjetër për ta mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vet. Ky ka qenë roli historik i UÇK-së, i katalizatorit të veprimeve që do të sillnin përfundimisht edhe ndërhyrjen ndërkombëtare për ta çliruar vendin.

Mendoj se do të jetë më mirë për UÇK-në dhe Kosovën nëse i kthehemi këtij roli historik të UÇK-së, në vend se të prodhojmë një narracion tjetër që lëre se është i pavërtetë, por është aq i pavërtetë sa duhet mbrojtur me një ligj të nxjerrë nga 1984 e George Orwellit. Pra, UÇK-ja ishte një lëvizje e armatosur, e lindur pasi u shtjerr në masë të madhe një lëvizje gjithëpopullore shqiptare në Kosovë, e cila veproi me politikë të padhunshme. Guerilja shqiptare u lind dhe u zgjerua me veprime të dhunës së organizuar të pushtetit okupator të Serbisë në Kosovë. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së, një guerile e cila nuk arriti të strukturohej në një ushtri konvencionale, mbrojtën shtëpitë, fshatrat e qytetet e tyre – nuk ndërmorën veprime në territorin e Serbisë.

Dhe veprimet e UÇK-së, të varfra nga aspekti ushtarak, megjithatë, gëzuan përkrahjen e plotë të popullit të Kosovës, në masë të madhe edhe të forcave politike në vend. Në fund, fituan legjitimitetin ndërkombëtar, sepse u panë si pjesë e pandashme e rezistencës në Kosovë, të filluar që nga shembja e Murit të Berlinit.

4.

UÇK-ja nuk e filloi luftën. Këtë e filloi Serbia, me okupimin e Kosovës.

Dhe këtu ekziston dallimi thelbësor. Kosova, prej vitit 1989 ngriti një lëvizje impresive e të shënuar në nivel botëror. Kjo lëvizje kërkonte paqe, demokraci, vetëvendosje. Në fund të viteve nëntëdhjetë, kjo lëvizje nxori edhe përgjigjen e vet të armatosur ndaj dhunës së organizuar të shtetit serb. Dhe, kur as kjo përgjigje nuk mjaftoi, ndërhyri bashkësia ndërkombëtare, e prirë nga SHBA-ja, për të vendosur paqen, rrugën për demokraci e vetëvendosje.

Nga ky këndvështrim, Kosovës do t’i bënte mirë nëse do të prodhojë një Ligj për vlera të paqes. Aty, me nxitje pozitive e jo me kërcënime me dënim, duhen krijuar kushte për rrëfimin e madh të rezistencës së popullit të Kosovës, asaj të padhunshme dhe asaj të UÇK-së që në fund ndihmuan që sot të jetojmë në paqe.

Në atë ligj, ndoshta do përkujtuar se vlera më e madhe që kemi krijuar është paqja, jeta në paqe. Dhe se atë do mbrojtur me institucionet e një shteti demokratik.

Please follow and like us: