Cikël poetik nga Nexhat Halimi
Gjashtëdhjetë vjet më vonë
Vetëm sa e ka përgjakur brezin kufitar mëngjes i ri
Arrita para derës së vjetër në Dumnicë trokita aty
Gjashtëdhjetë vjet më vonë zëri shpërtheu jehonë
Përgjatë fëmijërisë së shtrirë egër dhe bukur
hapësirës së mjegullt vinte veç `i zog e `i flutur
i mbylla sytë e i çela prapë asgjë e njëjtë tjetër
mungonin pullat metalike shtrënguar me litarë mitik
e fryma e vjetër më rëndoi e më mori ngryk
çdo gjë ka ndërruar ka ikur apo ndoshta është fik`
ky që psherëtin është Uka apo nuk është ai dot
trokita prapë e dera me gjëmë la dritën të pik kot
përbrenda misterit të vet të shpërthyer qindvjeçar
-Eja brenda, – tingëlloi zë i mikut tashmë të tretur
-Mirë se të ka pru` zoti or mik udhëtar
Hapësirës së trazuar të mjegullt ikte kohë e vjetër
largësia hyri mes fjalësh e tretur dhe e vetmuar
Askush s` çeli derë kot trokita prapë i fjetur a i zgjuar
Ja veç pamja e vrarë njëjtë me ëndrrat e fëmijërisë
Me barin e pakositur e narcisët buzë udhës fare
Me zogjtë vetmuar qiellit me cicërimat mbi dritare.
Kalëron në vraç shpirtit
Sulltani Mehmeti II, pushtuesi i Stambollit, ka thënë për SKËNDERBEUN:
“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”
Natë e përgjakur e copëtuar thellë në vetmi
Me grushtet tokë ikje besimit qiellor për Krujë
Çdo gjë zgjohej në fjalët zjarr për bukë e ujë
Bimët djegur zogjtë vrarë shpirtit në gjithësi
Përshkuar nga varret trokoje udhët lart te yjet
Shpirtrat në gjëmë nën hënë mbetur shkret
Vije fushat t`i prekje t`i zgjoje shqipet ndërmjet
Shpresat të ndritnin e brigjet e zemrat e pyjet
Ti arrije në vraç Gjergj me flamurin lart kuqezi
E toka e vjetër me luftëtarë në radhë të vdesin
Ta rizgjojnë identitetin e lashtë përsëri
Tjetër çdo gjë është tashmë veç histori
E pemë kroje kalli e shtigje rrjedhës së gjakut
Në plisa të bardhë me tirq e me gajtan presin
T`i kthehen Evropës përmes çunit hijes së plakut
Tjetër çdo gjë është tashmë veç histori.