Përfaqësuesi i Zvicrës në Eurovizion, Gjon’s Tears: Dua të kem një këngë shqip!
Artisti i ri shqiptar, i identifikuar në botën e artit me emrin Gjon’s Tears, do të përfaqësojë Zvicrën me një këngë të re në Eurovizion 2021.
Gjon Muharremaj tha se u ndje keq për mënyrën se si u mbajt këtë vit festivali më i rëndësishëm i muzikës europiane për shkak të pandemisë globale Covid-19, por bëri me dije se në vitin 2021 do ta përfaqësojë Zvicrën me një tjetër këngë.
“Rregullat e Eurovizionit e ndalojnë artistin e një vendi ta përfaqësojë atë dy herë me të njëjtën këngë, dhe theksojnë se kënga duhet të dalë në shtator”, u shpreh Gjon’s Tears.
Më tej, këngëtari shqiptar tregoi se si ka ndikuar në karrierën e tij përfaqësimi i Zvicrës në Eurovizion. Ai tha se për të përkrahja e shumë njerëzve ishte një befasi e madhe dhe shtoi se e gjithë kjo eksperiencë i duket si një ëndërr.
Gjon’s Tears u ndal edhe tek muzika që bëhet në Kosovë e Shqipëri. Ai tha se ndihet krenar për punën që bëjnë artistët shqiptarë, duke i cilësuar me kulturë muzikore shumë të madhe.
Përsa i takon projekteve në të ardhmen, Gjon’s Tears u shpreh se do të bëjë së shpejti një album me grupin e tij, dhe se me shumë gjasa në listën e këngëve do të jetë edhe një në gjuhën shqipe. “Për mua është e rëndësishme të kem një këngë shqipe”, tha ai.
26/05/2020.