Zaho Golemi: KONTRIBUTI I FUSHËBARDHËS NË LUFTËN E VLORËS NË 1920
(Përgatitur në kuadrin e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, të parës luftë fitimtare të shqiptarëve pas krijimit të shtetit shqiptar. Fushëbardha kishte dhënë dëshmorë dhe e kishte derdhur gjakun lumë në të gjitha luftrat e mëparshme, në Mecovë dhe Pesë puset për mbrojtjen e Vilajetit të Janinës më 1854, në Lëkurës e Sarandë si dhe në portat e Janinës më 1878, për vilajetin juor më 1897; dy vjet pas Pavarësisë më 1914 në portën e parë të Labërisë, në Skërficë ku u vranë tetë luftëtarë trima dhe më tej pjesëmarrës të 78 luftëtarëve në mbrojtje të truallit shqiptar më 1920 në Vlorë dhe rrethinat e saj).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Lufta e Vlorës – mision për lirinë e kombit
Lufta e Vlorës ishte një ndër luftrat e përbashkuara të mbarë kombit shqiptar, por edhe një ndër epopetë më të ndritura në historinë tonë kombëtare. Lufta për Vlorën më 1920 u bë kushtrim mbarëkombëtar përfshi pothuaj gjithë jugun e Shqipërisë e më gjerë si edhe diasporën shqiptare sepse u bë kushtrim për lirinë e Shqipërisë. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i Osman Haxhiut ishte truri drejtues i luftës. Komisioni ushtarak i Qazim Koculit në kordinim me qeverinë e Sulejman Delvinës e frymëzuesit e luftës shkruan me gjak lirinë e vërtetë shqiptare.
Fillimisht 4000 luftëtarë vullnetarë drejtoheshin nga 89 komandantë çetash, njera prej të cilave kishte ardhur nga Fushëbardha, nga fronti i betejave të përgjakshme të Skërficës, portës së parë të Labërisë në juglindje të trevës labe. Lufta e Vlorës është quajtuar ndryshe edhe “mision për lirinë e kombit”, në shkatërrimin e planeve djallëzore të fqinjëve dhe të krushqive të tyre, për “copëtimin e tretë të trojeve të tij”, ku Vlora e krahinat e saj mbajtën peshën themelore të luftës. Në Vlorë u derdh gjaku i mbi 157 dëshmorëve, por dhe 400 të plagosur, ku ndërgjegjia kombëtare vendosi se kujt i takonte në të vërtetë Vlora me themele ilirike kaone.
Një shekull nga Lufta e Vlorës ngjarjet kanë ndryshuar, në planin e sigurisë, strategjisë, gjeopolitikës, ekonomisë, tregëtisë, kulturës, diplomacies etj. Fushëbardhasit që luftuan para një shekulli në Vlorë dhe për Vlorën, janë sot edhe në Italinë fqinje të integruar, të mësuar, bashkëpunues, sepse sot jemi dy fqinjë të mirë me marrëdhënie reciproke, me një armatë të madhe emigrantësh tashmë të integruar në jetën italiane, anëtare të organizatës më të madhe të sigurisë në botë NATO, partnerë strategjikë, luftojmë në një front të përbashkët për eksportimin e sigurisë në botë. Luftëtarët e Fushëbardhës ishin pjesë vitale e luftëtarëve për lirinë e kombit.
Lufta e Vlorës ishte drejtim luftarak i mençur i mbushur me qindra ngjarje e episode trimërie, deri në vetësakrifikim për idealet e një Shqipërie që përsëritën në një farë mënyre Motin e Madh plot frymëzim të Epokës së Gjergj Kastriotit, përsëritën kohën e zjarrtë të përbashkimit për fitore me moton vendimtare: “O do mbetet Vlora jona, o do bënet shkrumb e hi!”. Lufta e Vlorës filloi me një gjest fisnikërie dhe bujari, jashtë korrnizës së befasisë së luftës, sjellje kjo kavalereske por edhe me ndërgjegje të qetë e të pastër duke nisur luftën pas ultimatiumit si dhe pas përgjigjes së Paçentinit, për të eleminuar gjakderdhjen nëse ishte e mundur ose “për t’i dalë borxhit”. KMK-ja e dinte që befasia është element luftarak i fitores në qindra beteja, e megjithatë krerët e luftës zgjodhen fillimin e luftës duke “hedhur dorezën” kundërshtarit me ndërgjegje të pastër sepse “luftën e fitojnë ngadhënjimtarët dhe dëshmorët”.
Gjalmëzestë e shkruan historinë si një memorial lirie të pashuar kombëtare, duke i detyruar europianët të reflektojnë, si një meteor lirie për t’u folur europianëve edhe sot pas një shekulli se Shqiptarët kanë qenë dhe kanë ngelur europianistë dhe e meriotojnë integrimin europian. Në planin kombëtar dhe ndërkombëtar, luftëtarët e para një shekulli në Vlorë thyen korrnizat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, që ndoshta nuk i njihnin dymbëdhjetë ngushticat mesdhetare, boshtet e gjysëmhënat, ku një nga ngushticat primare ishte edhe “Otranto-Vlorë”, por që e dinin mirë se, çelësi që kyç Adriatikun, me depërtim të thellë si “detaj strategjik”, që lidh fort gjeopolitikën rajonale dhe e çimenton Vlorën si thesar i çmuar i Shqipërisë, qëndronte pikërisht në duart e shqiptarëve.
Truall me moshën e maleve dhe kala natyrore e Arbërisë
Fushëbardha përmenden për herë të parë nga banorët që në kohët ilirike. Ajo ishte dhe mbeti nëpër shekuj një kala natyrore e rrethuar me male, por edhe me burrat-male, që ja lartësuan vlerat sa herë e kërkonte trualli arbëror për t’u përballur me pushtuesit. Gjeografë e historian të vjetër e të rinj e thirrën sikurse vëndasit, “Fushëbardhë”, e thirrën ashtu sikurse e panë: “Fushëbardhë”. Gjykojmë se banorët autoktonë të kësaj treve janë dhe pema më origjinale gjenealogjike që i ka rrënjët në moshën e maleve të saj, në moshën e tokës. Banorët e saj janë mësuar të nderojnë vlerat dhe virtytet njerëzore.
Pasaporta e banorëve të saj është ndershmëria, mençuria natyrale, zemërbardhësia, jeta me krenari e dinjitet, që kurrë nuk e ka mësuar zanatin e përkuljes së kurrizit. Nderi dhe liria janë jetësuar në përjetësi për fushëbardhjotët, por edhe për fqinjët e përjetshëm Zhulatin kala historike, Kardhiqin që e njohën historian e udhëtarë historikë, Plesatin e Cepon kala natyrore e vendin e Kuvendeve, Shtëpëz, Picar, Kolonjë e Golem si gjerdan në llogoren e shekujve, me Senicën e kuvendit të besës, me gjithë trevën labe. Nëpër shekuj lufta për liri dhe çlirim dhe mbrojtja e trojeve ishte thjesht një zanat, një zanat luftëtari që i mblidhte gjithmonë bashkë në kushtrim lufte.
Lufta për Vlorën, epope kombëtare. Fushëbardhasit me komandant Novruz Bellon
Beteja për Vlorën ishte mision kombëtar për lirimin e Vlorës dhe të krejt Shqipërisë. Zanafilla e Luftës së Vlorës është tek thirrja me urgjencë e parisë së Vlorës e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend ilegal në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes. Kryetar i komitetit u zgjodh Osman Haxhi Muhameti. Pranë komitetit të Mbrojtjes Kombëtare u formua një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh nën kryesinë e Qazim Koculit, ish-toger i marinës osmane. Kapiten Ahmet Lepenica do të organizonte formacionet e xhandarmërisë ushtarake, ndërkohë që drejtuesit e Luftës së Vlorës organizuan edhe Policinë e Luftës, edhe burgun e fshatit Vajzë. Kuvendi vendosi për rrëmbimin e armëve dhe më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë të armatosur dhe të pa armatosur u paraqitën në Beun dhe në pikat e caktuara, u organizuan në çeta, secila nën komandën e një prijësi që përgjithësisht e zgjidhnin vetë vullnetarët.
Fushbardhiotët zgjodhën komandant Novruz Bellon, që kishte një cetë luftëtarësh me 78 vetë. Nga ana tjetër miqësia dhe lidhjet e ngushta me Selam Musanë i bënë luftëtarët fushëbardhas të besonin në një luftë që për maksimë kishin “O Shqipëri, o shkrumb e hi!”. Thirrjes së komitetit iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej 300 xhandarë, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish fillimisht prej afro katërmijë vullnetarësh patriotë. Nga Beuni u nis ultimatumi për gjenerallejtënantin italian Settimio Piaçentini, në të cilin shkruhej: “Populli shqiptar nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915…Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Evropës si shpërblim italo-greko-serbëve, vendosi të marrë armët dhe të kërkojë nga Italia administrimin e Vlorës, Tepelenës e Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejtë qeverisë kombëtare të Tiranës”.
Shqiptarët i lanë afat ultimativ gjeneralit italian Piaçentinit deri në mbrëmjen e 4 qershorit; përndyshe, siç lihej të kuptohej në ultimatum, shqiptarët do të fillonin kryengritjene armatosur, kundër 20 mijë ushtarëve italianë të inastaluar në brigjet shqiptare, ku pjesa më e madhe e ushtarëve ishte e përqëndruar në qytetin e Vlorës, ndërsa pjesa tjetër ndodhej jashtë qytetit, në pozita me rëndësi strategjike. Kërkesa e shqiptarëve ishte me zë të fortë, e prerë, e rreptë dhe e padiskutueshme për çlirimin e trojeve të zaptuar padrejtësisht. Shqiptarët nuk e pritën përgjigjen e ultimatumit, duarkryq, por morën masa të shpejta për shpërndarjen e forcave të veta sipas planit të kryengritjes, të hartuar nga komisioni ushtarak, plan që në fillim parashikonte shpërthimin e sulmit të njëhershëm kundër garnizoneve të avancuara të ushtrisë italiane si dhe blokimin e rrugëvë për të penguar tërheqjen e tyre drejt Vlorës. Sulmi parashikonte: asgjësim të garnizoneve; marrjen e armëve e municioneve, zënien rob të sa më shumë ushtarë e oficerëve, duke i mbajtur si peng, për t’i shkëmbyer pas luftimeve me patriotët vlonjatë të arrestuar e që mbaheshin të internuar në grykën e xhenemit në ishullin e Sazanit.
Ora “O” e çlirimit – ora e së vërtetës
Në historinë e kombit shqiptar ka një datë që ndriçon si flakadan lirie: mbrëmja e 5 qershorit 1920, ku kryengritësit e Labërisë dhe të gjithë çetave të ardhura nga shumë treva shqiptare filluan sulmin në të katër anët e zonës së pushtuar. Në pak orë kryengritësit zunë shumicën e postblloqeve të karabinierisë dhe të garnizoneve të vogla ushtarake. Kundër garnizoneve të fortifikuara u zhvilluan gjatë natës luftime të ashpra si në Kotë, Gjorm, Llogora dhe Tepelenë.
Në Kotë fshatarët kryengritës treguan shembuj të shkëlqyer heroizmi. Kundër regjimentit të gjeneralit Enrico Gotti, që mbrohej nga fortifikatat e betonuara dhe nga zjarri i artilerisë së rëndë, trimat shqiptarë kaluan disa herë me radhë në sulm. Afër mëngjezit, duke hedhur gunat e tyre mbi gjerdhet prej telash me gjemba, kaluan përmbi to, hynë brenda gazermave dhe i detyruan ushtarët dhe oficerët italianë që kishin lënë shumë të vrarë, midis të cilëve edhe vetë gjeneralin Gotti (që kishte vetëm katër ditë që ishte graduar nga colonel në Gjeneral), të dorëzoheshin. Sulmeve nuk mundën t’u qëndronin as garnizonet italiane të Gjormit dhe Llogorasë, të cilat u dorëzuan. Me rënien e Tepelenës, ku u zhvilluan luftime të ashpra për pesë ditë rrjesht, më 10 qershor ishte çliruar e gjithë krahina e pushtuar, me përjashtim të Vlorës e të Kaninës. Gjatë këtyre luftimeve luftëtarët shqiptarë zunë robër më tepër se 1500 ushtarë dhe oficerë italianë, u zunë gjithashtu 7 topa, 70 mitralozë, mijra pushkë dhe municion e material i shumtë ushtarak.
Më 9 qershor 1920 gjeneralit S. Piaçentini një thirrje tjetër për dorëzimin e qytetit pa luftë. Në këtë thirrje gjeenrali italian paralajmërohej se, po të mos dorëzohej Vlora pa luftë, kryengritësit do ta sulmonin qytetin. Në të njëjtën kohë komiteti ngarkoi komisionin ushtarak që e kishte vendosur selinë e vet në Drashovicë, të hartonte planin e sulmit mbi Vlorën, që do të ishte një sulm me të gjithë forcat e mundshme. U vendos gjithashtu që sulmi nga jashtë të koordinohej me kryengritjen e armatosur që qytetarët do të shpërthenin në të njëjtën kohë brenda në qytet. Komanda italiane e pushtimit më 10 qershor organizoi një kundërsulm për t’i dëbuar kryengritësit nga kodrat e qytetit. Me dështimin e kundërsulmit dhe duke parashikuar ardhjen e përforcimeve të reja në Vlorë. Komiteti urdhëroi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin e Vlorës, sulm i cili filloi në orët e vona të mbrëmjes së 11 qershorit 1920. Me mijëra luftëtarë, duke e ftuar njeri–tjetrin në garë për të hyrë sa më parë në qytet, u hodhën mbi armikun. Por zjarri i dendur i artilerisë fushore edetare dhe dritat verbuese të prozhektorëve të luftanijeve bënë që kryengritësit të përparonin shumë ngadalë.
Heroizma treguan luftëtarët veçanërisht në kodrat e Babicës, në Qafën e Koçiut në Kaninë etj. Një rol të veçantë pati Xhovani Valencia një arbëresh që ishte magazinier armatimi në Panaja, i cili u dorzoi magazinat me armatim e municion shqiptarëve. Shembull heroizmi u bë luftëtari nga Salaria e Tepelenës Selam Musaj komandant i çetës së fshatit të vet, i cili ra dëshmor në ullishtet e Vlorës. Luftimet vazhduan me ashpërsi gjatë gjithë natës. Afër mëngjezit luftëtarët trima i thyen pengesat e armikut dhe filluan të hynin në lagjet e jashtme të qytetit, në një kohë kur brenda në Vlorë qytetarët rrëmbyen armët dhe filluan të sulmonin ushtrinë italiane prapa krahëve. Me depërtimin e luftëtarëve në Vlorë, sistemi i mbrojtjes së ushtrive italiane u shthur. Për të shpëtuar ushtritë e veta nga asgjësimi komanda italiane arrestoi në masë qytetarë të tjerë, midis tyre edhe gra me fëmijë, dhe njoftoi se do të hakmerrej mbi gjithë të internuarit, në rast se nuk do të pezulloheshin luftimet. Krerët e komitetit ngurruan përpara këtij kërcënimi që rrezikonte jetën e 1700 bashkatdhetarëve.
Luftëtarët, të prekur në ndjenjat njerëzore, iu bindën urdhërave të komitetit dhe u tërhoqën nga qyteti. Shpërthimi kryengritjes çlirimtare dhe sukseset e para të saj ngajllën një entusiazëm të përgjithshëm në masën e popullsisë shqiptare. Në qytetet e vendit me inisiativën e popullsisë u krijuan komisisone për të ndihmuar luftën patriotike kundër pushtuesve italianë. Këto komisione mblodhën brenda pak ditëve ndihma të konsiderueshme në të holla, në drithë e në bagëti. Komisionet bënin regjistrimin e mijëra vullnetarëve, që ishin të gatshëm të shkonin në drejtim të Vlorës. Vullnetarë për në Shqipëri u nisën dhe nga kolonitë e mërgimit. Qeveria e Tiranës, sikurse ishte vendosur, nuk u shpreh as në favor dhe as kundër kryengritjes çlirimtare.
Në të vërtetë ajo i ndihmoi kryengritësit, u dërgoi atyre armatime dhe lejoi të shkonin në Vlorë ndihma materiale. Për t’u siguruar krahët nga bandat e rebelëve në Shqipërinë e Mesme qeveria e Sulejman Delvinës, grumbulloi forca të mjaftueshme dhe vendosi të bënte kundër tyre një operacion ushtarak nën drejtimin e Bajram Currit, që sapo ishte emëruar ministër pa portofol. Operacioni filloi më 4 qershor dhe në pak ditë rebelët u shpartalluan plotësisht; ndërsa më 13 qershor, Avni Rustemi me përkrahjen e një grupi patriotësh asgjësoi me atentat Esat Pashë Toptanin në rrugët e Parisit. Kjo ngjarje bëri që 57 vjet pas luftës, më 1977, të realizohej filmi artistiko–historik “Gunat përmbi tela”. Por ngjarja ka ardhur e gjallë në pothuaj një shekull nga këngët labe dhe jo vetëm: “O bobo se ç’ qënka Kota/ më e bukur se Evropa/ bytym mitroloz’ e topa!…” apo “Çobanët mbi gjeneralë”, këngë që u krijuan në flakën e luftës. Nga ana tjetër dirëkt në flakët e luftës u krijua himni “Vlora, Vlora” e Ali Asllanit
Fushëbardha me 78 luftëtarë drejt Vlorës së flamurit
Në janar të vitit 1920 Shqipëria etnike organizoi Kongresin e Lushnjës, që çoi në “pavarësinë e dytë të Shqipërisë”. Në këtë kuvend morën pjesë dhe fushëbardhasit Feim Çarçani, Manxhar Shalari dhe Lufto Kondi. Sigurisht që të mençurit ishin në ballë të ngjarjeve të mëdha të kohës për çdo fshat dhe mbi të gjitha për fatet e Shqipërisë. Këtë vit u bë Lufta e Vlorës me italinë fashiste në muajt qershor-shtator 1920. Në librin e sapo botuar “Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore” të Fero Golemit gjejmë këtë përcaktim: “Fushëbardhasit të mësuar me zanatin e luftëtarit për lirinë e trojeve të veta në Luftën e Vlorës morën pjesë si çetë dhe luftuan krah për krah me Selam Musain. Selam Musai ishte mik i familjes Golemi sepse i dimëronim bagëtitë bashkë në Qafë të Breshërit, pranë Sarandës..”. Vendimin për të marrë sërish armët për Vlorën burrat e Fushëbardhës e morën në vendin e shenjtëruar të kuvendeve në qendër të fshatit rreth rrapit shekullor, në vendin ku sot me të drejtë quhet “Sheshi i dëshmorëve”. Në çetën e Fushëbardhës bënin pjesë 78 luftëtarë. Është kënga më shumë se një shekullore, që e ka përjetësuar këtë ngjarje: “…Fushëbardha në 20-tën/I thotë Vlorës: “Bijtë tanë”/ Selamit do t’ja shtojmë çetën 78 jataganë..”. Kjo këngë u shkrua në vitin 1987, “udhëtoi” nga Vranishti në Fushëbardhë dhe u këndua nga Trifon Golemi, Parim Norra dhe grupi i Fushëbardhës me rastin e vizitës që kryeministri shqiptar zhvilloi në fshatin e lindjes në Fushëbardhë.
Në krye të luftëtarëve fushëbardhas në Luftën e Vlorës ishte Novruz Bello komandant çete, që u printe luftëtarëve të tjerë Kasëm Golemi, Neshat Çarçani, Manxhar Shalari, Dervish Kërpaçi, Lufto Kondi, Haxhi Nora, Manxhar Muho, Nebi Muho, Avdul Çarçani, Hair Shalari, Xhelo Baho, Rrapo Veliu, Myftar Veliu, Medi Uzeiri, Duro Zani, Murat Cama, Laze Caca, Zenel Onjea, Belul Onjea, Jupe Proda, Ismail Nora, Shaban Mema, etj. Por edhe mjaft luftëtarë të tjerë u bënë gati për luftë mbi bazën e thirrjes së KMK-së, sëse të huajt nuk do të dorëzonin tokën tonë. Fushëbardhasit në këtë periudhë të fillimit të shtetit shqiptar ditën të ngrinin jetën por dhe të arsimoheshin të punonin me nder e dinjitet. Fakt është se, Ministria e Mbrojtjes 10 vjet më parë, në 90 vjetorin e triumfit të Luftës së Vlorës, nga 89 komandantët e çetave pjesëmarrës në Vlorë dekoroi 32 prej tyre dhe midis të dekoruarve ishte edhe drejtuesi i çetës së Fushëbardhës Novruz Bello. Në emër të familjes Bello shkallët e Ministrisë së Mbrojtjes (në atë kohë ka qenë në qendër të Tiranës) i ngjiste nipi i komandantit të çetës së Fushëbardhës, Habil Bello. Fjala e tij ishte melhem për plagët, por dhe mirënjohje dhe respekt sepse, “e drejta historike zhytet por nuk mbytet”. Por aktualisht në këtë 100 vjetor, është më se e arsyeshme që luftëtarët bashkë me komandantët dhe drejtuesit e kësaj lufte vlen të nderohen e respektohen nga strukturat e shtetit shqiptar. Nuk ka ngjarje më madhore se të mbrosh integritetin territorial të vendit, të përzësh të huajt nga vendi dh eta ngresh jetën krahas vendeve të tjera më të civilizuara të botës.
Luftrat për liri dhe gjaku i dëshmorëve nuk harrohen kurrë
Të gjitha luftrat nuk harrohen për tmerret që shkaktojnë. Por Lufta e Vlorës ishte një moment kyç në rrjedhën e ngjarjeve historike të vitit ’20-të, ishte pjesë e ndërgjegjes kombëtare të shekujve në funksion të lirisë. Pas Berlinit të 1878, Shën Stefanit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër të 1913, Protokollit famëkeq të Korfuzit të 17 majit 1914, Traktatit të fshehtë të Londrës, të 26 prill 1915, dokumentit të 9 dhjetorit 1919, që në frymën e Traktatit të Londrës përfaqësuesit e SHBA, Anglisë dhe Francës, i njihnin qeverisë së Romës, sovranitetin mbi Vlorën dhe krahinat e saj si dhe mandatin mbi shtetin e gjymtuar shqiptar. Fakt është se popullit shqiptar i ishte “shkelur në kallo”, ishte prekur thellë ndjenjat kombëtare të mbarë shqiptarëve. Pavarësia e 1912 ishte vënë në rrezik.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk lejuan që të bëheshin pre e pazareve të Europës, dhe as të jepej shpërblim Italo-Greko-Serbëve. Karakteri kombëtar dhe vendosmëria e shqiptarëve u shpalos qartyë në këtë luftë. Uragani kryengritës përfshiu më shumë se 4000 luftëtarë vullnetarë të ardhur në front nga Tirana, Elbasani, Berati, Durrësi, Fieri, Korça, Skrapari, Tepelena, Delvina, Përmeti, Gjirokastra, ku solidariteti bëri të mblodheshin ndihma të shumta në të holla, veshje, ushqime, armë e municione. Banda muzikore “Afërdita” elbasanëse e Ahmet Gashit në 10 ditë lagje më lagje e shtëpi më shtëpi të qytetit me bandën muzikore e me flamurin kombëtar mblodhën rreth 3000 napolona flori, të cilat ja dorzuan Komisionit Qendror të Luftës së Vlorës”. Elbasani e Pogradeci dërguan 83 arka me municione, Gramshi dërgoi rreth 150 mijë fishekë”.
Mbi 700 luftëtarë erdhën nga Tepelena, Gjirokastra, Korça e Çamëria. Çetat e Skraparit dërgoi 300 luftëtarë, me në krye Riza Cerovën e Muço Kapinovën. Edhe Qeveria e Tiranës kishte kualitetet më të mira ushtarake si Major Ismail Haki Kuçi, kapiten Kasem Sejdiu Elbasani, kapiten Ferid Frashëri, nëntoger Azis Çami, Dr. Sezai Çomo etj. Në zjarrin e luftës, më 13 korrik 1920 në Drashovicë, përfaqësues të të të gjitha krahinave formuan shoqërinë panshqiptare “Përlindja Kombëtare”, me nismëtarë Seit Bej Toptani, Xhemali Elbasani, Tahir Hoxha, Isa Çakërri, Halim Xhelo, Harilla Koleka, Ago Shero, Leonidha Milo, Gani Aliko etj., që synonte të ngrinte në këmbë gjithë djalërinë shqiptare. Beteja për Vlorën përfundoi me Protokollin Italo-Shqiptar të 2 gushtit 1920 dhe me largimin përfundimtar të gjithë ushtarëve italianë nga Vlora më 3 shtator 1920, ku luftëtarët shqiptarë me dyfeqe lidhur me gjalmë” përbaltën “prestigjin” e “nderin” e një ushtrie dhe shteti 40 milionësh.
Vlora dhe krahinat e saj hynë nën sovranitetin e qeverisë së Tiranës, sikurse kishte kërkuar vullneti i popullit përmes Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të Vlorës me Osman Haxhinë në krye në ultimatumin e 3 qershorit 1920. Çdo tentative të Romës për një bazë ushtarake detare në Pashaliman dhe prezencës në Karaburun e Zvërnec u refuzuan nga qeveria e Tiranës e kryeministrit Sulejman Delvina. Luftëtarët në Vlorë detyruan edhe historianët Apeninas që sasinë e ushtrisë italiane ta llogariste vetëm në 7 mijë trupa; ndërkohë që në fakt ishin 20 mijë; kur forcat shqiptare në Vlorë, nuk i kalonin 4 mijë luftëtarë. Por në fund të luftës forca ushtarake shqiptare arritën në 7000 luftëtarë. Faktorët e fitores shqiptare në Vlorë ishin: e drejta legjitime shqiptare; mungesa e perspektivës së italianëve dhe dështimi i politikës italiane dhe hapja e një “fletë të re të miqësisë” në marrëdhëniet shqiptaro-italiane, Vlora nuk mund të mbahej në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar.
Lufta e Vlorës, si një luftë çlirimtare, me përkrahje të gjerë nga qarqet përparimtare jashtë vendit si nga shqiptarët me banim në Zvicër, Franca, SHBA etj. Zhvillimi i Luftës çlirimtare të Vlorës 95 vjet më parë, tregoi patriotizëm e ndërgjegje kombëtare, vendosmëri e heroizëm popullor. Me fitoren në Vlorë shqiptarët shpëtuan Atdheun nga një fund tepër tragjik, nga copëtimi i tretë i trojeve të tij, ku populli i Vlorës, Labëria dhe krahinat e saj mbajtën peshën themelore të luftës. Luftëtarët e Fushëbardhës dhe çeta e saj, sikurse gjithë Labëria ishin të gatshëm të bënin të gjitha sakrificat, si gjithënjë deri në pikën e fundit të gjakut, kundër çdo veprimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Luftëtarët e Fushëbardhës zbritën në Vlorën e flamurit me 3 shtator 1920, një shekull më parë, pasi kishin luftuar labçe-vençe me devizën “o Vlorën o vdekjen”. Kur flasim Luftën e Vlorës figurat drejtuese, komandantët, ushtarakët, luftëtarët si ortek i fuqishëm popullor, kryeministrin Delvina që luajti rol vendimtarë si “prapavijë strategjike” dhe “rezervë strategjike vigjilente”, përballë fuqive botërore, veçanërisht përballë Italisë, që ishte prushi frymëzues edhe pse i izoluar dhe në kushte tejet të vështira. Gjithë luftëtarët patën një moral tepër të lartë me bindje në fitore, por frymëzuese përgjatë tre muajve të luftës u bënë edhe bandat muzikore shqiptaro-amerikane“Vatra”, e dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe banda “Afërdita” e Elbasanit, frymëzueset e drejtpërdrejta të luftëtarëve të luftës së Vlorës duke luajtur këngë atdhetare, deri në frontin e luftës duke vënë anëtarët e saj në rrezik edhe për jetën e tyre, me ideale të larta fisnikërie e atdhetare. Djemtë luftëtarë të Fushëbardhës bashkë me gjithë luftëtarët e tjerë kishin hyrë kështu bashkarisht në fondin e artë të ngjarjeve të kombit me çlirimin e Vlorës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë londineze. Lufta e Vlorës nuk ishte një çështje vlonjate, por çështje e të gjithë Shqipërisë me vlera të shumëfishta, luftë e cila rishfaqet në këtë 100 vjetor, si ngjarje e “hipotekuar” si pronë e patjetërsueshme shqiptare.