S’ka krim më të rëndë se sa të dënosh popullin tënd me varfëri
Çerçiz Loloçi
Nuk është ndonjë sekret të thuhet se shekulli i ri i gjeti shqiptarët në një pozitë që rrallë e kanë pasur ndonjëherë: Shqipëria në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Maqedonia e Veriut me gati gjysmën e popullisë së vet shqiptare-anëtare në NATO, Mali i Zi me pakicë shqiptare-anëtar i NATO-s, pra një faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe më gjerë dhe me një popullsi në pjesën më të madhe properëndimore, proamerikane në radhë të parë.
Megjithatë jo vetëm për shkak të prapambetjes nga e kaluara diktatoriale, por për një shkak madhor, për klasën e vet politike të këtyre tri dekadave, tërësisht e paaftë, e pacipë. hipokrite, e fokusuar vetëm në pasurimin e saj të menjëhershëm, me parti aspak demokratike majtas, djathtas e në qendër, që nuk drejtohen nga struktura por nga kapedanë çetash, pra kjo hapësirë natyrale shqiptare ka edhe popullsinë më të varfër.
Shqipëria që presupozohet një shtet normal ka numrin më të madh të largimeve nga vendi i vet, por asgjë nuk lëviz në panoramën tonë politike, asnjë rinovim, asnjë kufizim mandatesh dhe koorporata e pasurimit politik është e paprekshme nga pasuritë marramendëse që ka krijuar thjesht dhe vetëm për hir të pushtetit.
Kosova e dy dekadave të fundit vuan gjithashtu nga të njëjtat problem: s’ka rinovim të klasës politike, ka një pasurim të jashtëzakonshëm të politikanëve dhe komandantëve të luftës kundrejt popullsisë së varfër që do të largohet sa më parë nga dheu i vet, jo për shkak të pushtuesve sllavë, por nga keqqeverisja, nepotizmi, abuzivizmi, autoritarizmi, etj.
Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka pak a shumë të njëjtën fytyrë, politikanë për më shumë se dy dekada, pasurim të disa personave rreth partive dhe varfëri te pjesa më e madhe e popullsisë; rasti më qesharak është ai i Mendu Thaçit që vijon të jetë kryepartiak, megjithëse e ka katandisur partinë ‘kokoshi një thelë’ dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare mori vetëm një deputet.
Nuk do shumë mend për ta kuptuar se forcat politike që mbajnë për një kohë të gjatë liderët dhe strukturat e njëjta drejtuese nuk kanë të bëjnë me këtë kohë moderne, por shkojnë larg në periudhën e tribuve kur turma e kërkonte kokëulur e me blatime të njëtën gjë.
Kambana e largimit të shqiptarëve kumbon më fort se çdo herë tjetër e megjithatë nuk ka asnjë përpjekje për reflektim të klasës politike në Tiranë, Prishtinë, Shkup e gjetkë. Pra ata nuk ikin duke dënuar popullin e vet me varfëri dhe ky padyshim është krimi më i madh që u bëhet shqiptarëve, krim më i rëndë nga ai i juntave apo i diktaturave më të tmerrshme që ka njohur njerëzimi.
Nuk është vendi për të përmendur emra, por klasa politike e mësipërme në Tiranë, Prishtinë apo Shkup duket të largohet një orë e më parë, në kushtetutat e secilit shtet lypset të vihet një nen detyrues për jo më shumë se dy mandate në qeverisje dhe pikërisht e gjithë kjo shpurë e urryer duhet të vetëlargohet nga të gjitha postet e duke mbetur te anëtarësia e thjeshtë.
https://alb-spirit.com/2020/01/30/ali-asllani-te-pa-brek-ju-gjeti-dreka-milioner-ju-gjeti-nata/