Brahim AVDYLI: IKJE NGA DHEMBJET!
(Panoramë tjetër e përgjithshme vargjesh)
ZANAT E DETIT
1.
Sa të ikë
përtej ujërave
nga bota çmendurake
lëkundjet e ujit
i dridhin
brigjet e këngës
e llapërçitem
mendimeve të degëdisura
me etjen e gjërave
që nuk mund t`i them,
as për lotët e tharë
në bebëzat e kohës!…
2.
Befas
degdisen sirenat
deri te bregu i këngëve
apo përpëlitjeve
të pakuptim
sizanat e valëve
e qeshen
me mendiet e tretura
nëpër fishkëllima vargjesh
syzanat…
3.
Zana uji
e zana të valëve
si zana të këngëve
me lotë,
që përplasen kurdoherë
nëpër dallgë shpirti,
e nuk e di
a do të më marrin me vete
ndonjë ditë
e të më shpien
përgjithmonë
në detin e pafund të këngës!…
Hurden/SZ, 28.05.2020.
CETRIFUGA E TOKËS
Sikur të mundja
të zhvesh trupin
nga materia e tokës
do të liroja shpirtin
nga këto pranga
të botës së përkohshme
do të fluturoja
nga gëzimi
për të mos e ndrydhur
atë zhishkë drite
me zemër
e nuk do të kisha lindur
tjetër herë
që të më ngrehë
centrifuga e tokës
me gabimet njerëzore!
,
Park, në rrugën kryesore Rapperswil-Pfäffikon, 11.07.2020.
FORTIFIKATA E ZEMRËS
1.
U zgjua hidra antike
nga shekujt paraprakë
sikur të mos e kishin
Herkulin
papritur në pritë,
dhe harruan me qëllim
se para tij qëndronte
kulla e lashtë mijavjeçare
e shqip
nëpër bedena
ua priste
kokat e errësirës!…
2.
U ngjallën me etjen e demonëve
shtatë koka i patën
sikur shtatë palë tokë,
Herkuli
me fuqinë e pazakonshme
të dragojve të Dritës
ua priste kokat
e qeshej me to!
3.
Mjaft e kanë mbajtur
errësirat e pafundme
të mileniumeve
duke ua prerë
fatin korbave,
ai merrej me të keqen
kur përpiqeshin ta shprishin
shqiptarinë,
zemra e vogël është
por e mbanë Dritën
në vete
e kthehet
në fortifikatë Dielli!
MBI SUPET E MIA
1.
Po arrite
të dalësh
në natyrën imagjinare
ose në miniaturë
i vetëm
nëpër lule, barë e gjethe
ato mugullojnë e rriten
me gjelbrimin
e lisave të mendimit
kah kaltërsitë!
2.
Harron për një çast
dhembjen e mbylljen
nga pandemia,
në maje të rrembave të gjelbrimit
guguisufat të bartin
papriturazi
të gjallë
në pengun e mijëvjeçarëve!
3.
Dikur
lotët e vetmisë
i trembin zogjtë
me cicërimat pranverore
e Dielli
pas kodrave të dhembjes
buzëqesh frikshëm
nëpër tandjet tua!…
4.
Nuk dihet
nuk dihet befasisht
ku degdisen mendimet
nëpër dy botëra!…
5.
Je Njeri
përmasat e tjera
i njeh shpirti,
lule-shëngjegji
shelgje e lisa
ka sa të duash
mali i shekujve
të freskon
deri në përjetësi!…
6.
Kështu
dyndet natyra
mbi supet e mia!…
29 prill 2020, Park, në Hurden/SZ.
IKJE NGA DHEMBJET
1.
Derisa meditoja
për botën tjetër
liqenin parasyve
nuk dua të shoh
të qetësohet
nga vibrimet e brendshme
e nga largësitë
ulem përsëri
mbi suprinën e gjelbërt.
2.
Prapa kurrizit qëndron
parku i ëndërrave
me rrethin e gjelbrimit
ngriten përpjetë
kah qielli i hapur
drunj të lartë
verrat e fëmijërisë
me shelgjet e buta
që i kthejnë krahët e bukur
teposhtë
e me to
ngjyroset pikëllimi!…
3.
Ulsja ime
ndihet e shqetësuar
në qiellin e ndjenjave
disa re të bardha
lodrojnë
qengja në hapësirë,
e shtëpitë e bukura
rreth bregut të sipërfaqes
së kesaj mrekullie
qëndrojnë të patundura,
ndoshta
me mjete të paudhësisë
i kanë ndërtuar
këto përrallësi!…
4.
Atëherë
sindromat e epidemisë
më pickojnë në kujtesë,
përditë vdesin
pak nga pak
pa pritur e pa menduar
e ngushllimet janë
provë e dhembjes!…
5.
Njerëzit
nuk duan t’i ruhen vdekjes
të shpëtojnë
familjet
nga lufta biologjike,
gënjehen nga fetë
e nuk i ruhen sëmundjes,
ata që mendojnë
se janë më afër Zotit
u shkon pranë Xhebraili
apo Engulli
dhe i merr
në jetën e përjetshme!…
6.
A jam këtu
apo nuk jam
nuk luan rol,
ikje e çasteve të dhimbshme
është ikja e beftë,
por zogjtë e thejnë trishtimin
me nga një cicërimë,
kalojnë pa pushim
anije të vogla e të mesme
andej e këndej qetësisë
hallet e mia
padukshëm lozin
të vetme në park
dhe konsiderohem
tërësisht i përkundërt
me freskinë!…
7.
Ndonjëherë mbi lisa
Dielli më buzëqesh
sikur e lozë syrin
mespërmes gjelbërimit
e zgjohem
prej ëndërrimeve të vështira
sa e pështjelloj
të vërtetën,
a janë të miat
mrekullitë
apo vegime të kota janë,
dihet
asgjë nuk më ka mbetur
në botën reale
as shtëpi ku të vdes
as atdhé
apo dhé tjetër
që të mbullohem!…
8.
Plas nga këto
vegime drite,
prore ushqehen
me dhembje-
zemrën e kam të ndjeshme,
lojërat pa mend
janë këtu
pas urës së mallit,
shpesh ikë
e dal edhe përtej vetes…
dikur qetësohem
me përplasjet e pandalura
në ishullin tim
ku shpirti lëviz
me botët paralele!
9.
Iki nga njerëzit
që pak më duan
se i shohin xhepat,
nuk iki nga vdekjet
e Koronës së fshehtë,
ndoshta
do të më marrë
në një dimesionin tjetër
e padukshmja
atëherë
afër do t`i kisha
përherë
engjujt!
10.
Nuk është aspak
“Ikje nga vdekja”[1]–
vdekjes së papritur
nuk i druhem,
është ikje e vërtetë
nga tjetërsimi!…
[1] Din Mehmeti, “Ikje nga vdekja”, Rilindja, Prishtinë 1978.
BREGORJA E VETMISË
Asgjë nuk peshohet me dëshirat e plota
asgjë nuk barazohet me ëndërrat e mia
nuk përshkruhet me vullnete të mira
nuk kullohet me membrana të dashurisë
nuk ngritet aq lartë prej synimeve të mia
e nuk barazohet në peshoren e fjalëve!…
Kush e di në cilin mjet maten ndenjat
a është bota e kallur e zemrës së viteve
çuditërisht kam mbetur në bregoren e vetmisë
zërin e këngët i ndjej
përtej shpirtit të vargjeve
e sillen vetëm
rreth një pishtari të Dritës!…
PARADOKSI IM
Kur ikë nga njerëzit
më rrokë vetmia
për fyti
e nuk mbetet vend për këngë!
Kur afrohem te njerëzit
më ikin të gjithë nga sytë
e më lënë
të lidhur me trishtimin e fjalëve!
A ka vend tjetër për Këngë
pos flakës së fjalëve
të digjem
në mesin e qenieve
duke kënduar!
Rapperswil, 21.07.2020.
CEPI I DIELLIT
1.
Dielli im është i valë
nga fëshfërimet e brendshme
përherë shndërrohet
në dritë të madhe
midis botës së vet,
dhembja ime është e vjerrur
në cep të Diellit,
pa dyshim
e gjëj nga një cep
për t’i vjerrur lotët
e kur të dojë
mund t`i përdorë
për ta flladitur pak
flakën e zemrës
në mes të përpëlitjeve!
2.
Edhe kur nuk duket
në qiellin e mendimeve
ai është në qenien time
midis shpirtit e shtron
sofrën e vet të zjarrtë
e nëntë ciklet e Zotave
i ulen pranë,
dhe pijnë
nga një pikë katrani
nga dhembja e pafund!
3.
Ai cep i Diellit
më pret
sa ta mbaroj sprovën e fundit
nëpër dherat e tretjes
tërësisht do të kullojë
edhe dhembjen time!…
Rapperswil, 11.07.2020