21 janari dhe ndarja e Kosovës, filli i një politike të padukshme
Theksimi i gazetës serbe “Danas” se ideja e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve ka 10 vjet që prezantohet nga pushteti në Beograd, hap një mundësi të re faktologjike për të mbështetur një mendim që qarkullon në Tiranë. Dhe ky mendim është se ngjarje që i paraprinë ardhjes së Edi Ramës në pushtet shpjegohen edhe me këto interesa gjeopolitike.
Një prej tyre është padyshim 21 janari, që mund të konsiderohet si akti i parë ku Edi Rama është protagonist aktiv i një loje më të madhe sesa thjesht rotacioni i pushtetit në Shqipëri.
Burime shumë të besueshme (esëll nga fondacioni ShSh) i thanë “Të Kripura” se 21 janari përfaqëson një provë gjenerale për rotacionin e pushtetit në Shqipëri që ishte në materializimin e vet të akteve të dhunës një zotim besnikërie i z. Rama për të ndjekur politika ndryshe në rajon. Disa burime të tjera diplomatike shtojnë se nevoja për skenarin e 21 janarit u shtrua pas qasjes prej zjarrfikësi të z. Rama me ngjarjen e Gërdecit, për të cilën thuhet se ai kishte dijeni, ose ishte vënë qëllimisht në dijeni për të testuar reagimin; dhe në fakt se nuk bëri asgjë, por tentoi të përfitonte më pas politikisht.
Angazhimi në këtë drejtim u aktualizua në dritën e përvojës së mëparëshme të destabilizimit dhe mandej rotacionit(1997), që u zbatua thuajse identikisht më pas në Maqedoni. Në Shqipëri u shfrytëzua një video skandal, në Maqedoni u përdorën të ashtuquajtura “bombat e Zaevit”.
Në qendër të këtij operacioni qëndronte sipas burimeve George Soros, njeriu që synonte shndërrimin e ish-Europës Lindore komuniste në një histori suksesi të politikave liberale të importuara nga Perëndimi. Në këtë kuadër pajtimi shqiptaro-serb ishte sfida më e vështirë sa i takon Ballkanit. Z. Soros hamendësoi se shkëmbimi i territoreve – një ide jo origjinale e tij – ishte më praktikja dhe mund të realizohej pas kapitalit dhe autoritetit amerikan në Ballkan dhe në botën shqiptare. Për arsye të historisë së vet politike, Sali Berisha nuk mund të mbështeste idenë e shkëmbimit të territoreve, ndërkohë që kishte marrë koncesione jo të vogla nga Perëndimi me lidhjet e veta tek e djathta. Ai nuk do të kishte nevojë të hynte në lojërat gjeopolitike nga kjo derë. Zoti Rama, përkundrazi, nuk përfaqësonte asgjë në skakierën ndërkombëtare, ai ishte një lloj refugjati në botën e politikës që i ngjante një artisti provincial që di të shkruajë fjalime.
21 janari përfaqësonte një epilog fatlum për të pas dështimit të bujshëm të grevës së urisë në bulevard që thuhet zyrtarisht se shërbeu për të ndërgjegjësuar kauzën e zgjedhjeve te ndërkombëtarët, por në fakt ishte skenari i promovimit personal të z. Rama. Asgjë nuk ndodhi në favor të tij, ndaj me shfaqjen e propozimit serb për shkëmbimin e territoreve si ide e Beogradit zyrtar 10 vjet më parë, pra në vitin 2010, z. Rama u faktorizua. Kishte vetëm një problem: Pushteti në Tiranë.
Rrjedha e 21 janarit dihet, ajo që nuk pritej ishin viktimat. Nuk është rastësi që ishte pikërisht George Soros që i kërkonte Departamentit të Shtetit që të ndërhynte në Shqipëri për të shmangur një ’97 të dytë. Aktori i tij kryesor në Tiranë ishte trembur dhe kërkonte mbrojtje. Dhe ajo nuk i mungoi. Krahu i Sorosit në PSE ishte kumbari formal i pajtimit të tij me Ilir Metën që ishte garancia formale e rotacionit që krijoi kushtet e hapjes së lojës së kufijve.
Në këtë kontekst duhet të kujtojmë se protesta e atyre kohëve në Prishtinë, organizuar nga Vetëvendosja, lidhen pikërisht me këtë skenar dhe jo më kot në atë kohë, Hashim Thaçi deklaroi qëllimisht: se në Kosovë nuk ka 21 janar.
Sipas burimeve diplomatike, tema përshpejtoi në vitin 2016 kur z. Rama iu dha një mesazh I fortë me shpalljen non grata të krahut të tij të djathtë Tom Doshi dhe në atë vit lojërat u vunë në zbatim. Është në këtë kohë që Lulzim Basha neutralizohet me ndihmën e mediave të Soros në SHBA, duke hapur çështjen e financimit me para ruse, një mënyrë për të eleminuar opozitën nga thirrjet për skenarin e ndarjes, duke qenë ajo e diskredituar.
Ajo që del tanimë në dritë nga shkrimi i “Danas” është se nëse administrata Obama e kishte axhendë pajtimin përmes ndarjes së Kosovës, administrata Trump thjesht nuk kishte një plan për rajonin tonë dhe adoptoi atë plan që iu prezantua se sillte një fitore elektorale për presidentin. Që ishte në dukje më praktik, kënaqte të dyja palët dhe vihej në tryeze si akt i pastër paqeje. Ne nuk kemi sot asnjë konsideratë nga SHBA për pasojat gjeopolitike të ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve, çka jep të kuptojë se askush nuk e ka vrarë mendjen në SHBA për këtë “detaj”.
Sikundër ne vetëm sot mundet të lexojmë dhe analizojmë se ajo që ndodhi më 21 janar nën emrin e protestës kundër korrupsionit, ishte në fakt teatër që kënaqte tjetërkënd gjetkë e ku i informuar ishte vetëm z. Rama që qëndroi gjithë kohës larg dyerve të Kryeministrisë. Dhe që shmangu çdo gjykim apo kërkesë gjykimi të ndershëm për atë ngjarje, pikërisht sepse as ishte aty kundër korrupsionit të Ilir Metës, as kundër autokracisë. Ishte për diçka tjetër, ndaj edhe nxitoi ta mbyllte atë dosje. Fatkeqësisht!/respublica.al/