Albspirit

Media/News/Publishing

Emrije Krosi: Materia e (pas)jetës Kekiane

 

Emrije Krosi

 

Teodor Keko: Kur e di se do të vdesësh

 

Pemët kanë më shumë lule dhe me

Shumë yje qielli ka

Më të mirë dhe më të çuditshëm

Janë njerëzit

Që nuk e kuptojnë se hija e trupit të

Tyre është vetë vdekja.

 

Kur e di se do të vdesësh

Toka është pjellore, si grua,

Dhe qielli ta shuan përjetësisht

Etjen me shirat e tij

Dhe avionët nuk fluturojnë për t’u

Rrëzuar,

Dhe njerëzit nuk lindin për t’u

Bërë nesër të liq.

 

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të

Kundërmojnë me trishtim

Dhe njerëzit do të kthehen më shpesh te

Distributori i harruar

Të furnizohen falas me besim…

 Selanik, 26.5.2002.

 

Poetët janë njerëzit që parathonë ‘vdekjen’ në shkrimet e tyre. Dikush e lë edhe ‘testament’ poetik. Poezia  e Kekos, “Kur e di se do të vdesësh” është e drejpërdrejtë bashkë,  me trininë sintagmore: “Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja” , “Kurrë më”, “Të paktën ndokush mund të dremisë gjer Ditën e Gjykimit- vërtet do mund vallë”, janë paradigma të parathëna të fatit njerëzor. Udhëtimi në paskohë, shtron ura të panjohura, sepse tropet në letërsi janë të përsëritshme. Rotrespektiva ‘përmbush’ modernitet me dilemat e shoqërive dhe popujve që u përpoqën të sfidojnë vdekjet, që ua ‘ndërpresin udhëjetët’, qofshin të lumtur apo e mjerë, qofshin të braktisur apo të dashuruar.

Përsëritja e kryetemës, si kryevarg të çdo strofe, nuk zvetënon shpirtin, por lartom kumtin poetik të jetës. Natyra nuk i shpëtoin ‘vdekjes’ nëpërmjet shndërrimit, por edhe njeriu nuk mund të jetojnë me ‘frikën’ e vdekjes, por ama njeriu, beson se është në këtë botë për një mision dhe misioni i TIJ, qoftë i madh apo i vogël, qoftë larg apo afër, qoftë i fundëm apo i pafundëm, do veshë dhe zhveshë ligjësitë e natyrës. Materia natyrore Kekiane; natyra, pemët, lulet, qielli, avionët, janë në lëvizje të përjetshme.

Përsëritjet e shkallëzuara dyherësh [Pemët kanë më shumë lule/ Lulet lule do të jenë] dhe ripërsëritja e përshkallëzuar treherësh [Janë njerëzit/ Dhe njerëzit nuk lindin/ Dhe njerëzit do të kthehen më shpesh], NJERIU simboli  që mban Qenien-Trupin-Shpirtin, mundohet të zvarritet nga nënërrënojat e jetës që gjithherë vetëshkatërron, përpiqet ta gjejë shpëtimin tek Mbiqenia Natyrë (natyra fizike ku shoqëria jeton dhe ushqehet), por ata që na shërbejnë qeniet-sende, i “flakim si njëpërdorimëshe”, sapo qëllimi mëkatar i njeriut të përmbushet. Vetë sendet (janë mjete që njerëzit të ndërtojnë ekzistencën e tyre), por ashtu si vetë mizoria mes llojit (njerzor) po ashtu , e njëjta mizori “pret nyjën gordiane” të bashkëfajësisë dhe barbarisë njerëzore ndaj natyrës. Bima e jetës me farën e shpresës, që rrit embrionin njerëzor, është materia e pasjetës!

Janë njerëzit/ Që nuk e kuptojnë se hija e trupit të / Tyre është vetë vdekja.

Poeti është pjesë e dilemës njerëzor, pra është vdekja. Ai paralajmëron se trupi ynë, është vetëm hija jonë që na ‘tradhëton’ pas vdekjes ku shpirti dhe trupi (teoritë spirituale dhe fetare të pasvdekjes), se asgjë njerëzore nuk është e përjetshme, sepse “njeriu ndjehet i frikësuar vetëm nëse nuk është në harmoni me veten”, thotë Hermann Hesse. Pra, Zoti është i Përjetshëm, kur njeriu çfarëdo të bëjë, nuk mund të mposhtë pavdekësinë. Cikli jetësor, patjetër do të kalojë nëpër proceset moshore dhe kohore, që nga lindja deri në vdekje. Misioni i mbaruar apo i pambaruar, do të përmbushet nga pasardhësit, por dilema njerëzore gjithmonë do të klithmojë shekujve.

Please follow and like us: