Violinistja Ina Kosturi guxon të shkruajë koncert për violinë pas 30 vitesh mungese krijimtarie
Pas 3 dekadash mungesë, vjen koncerti i parë për violinë i shkruar nga violinistja dhe pedagogia e këtij instrumenti Ina Kosturi.
Ina Kosturi është diplomuar për violinë në Akademinë e Lartë të Arteve dhe në konservatorin “Umberto Giordano” në Itali. Ka dhënë 25 recitale, është autore e katër librave dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh kritikë në shtypin e përditshëm. Ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”.
Mbaron me rezultate të shkëlqyera në violinë dhe gjithë lëndët Liceun Artistik “J. Misja” për të vazhduar studimet pranë Akademisë së Arteve të Bukura nën drejtimin e pedagogëve Pandush e Pirro Gjezi. Ndjek më pas shkollën e gjuhës dhe kulturës italiane “Lorenzo de Medici” në Firence e nëpërmjet saj realizon një audicion në Konservatorin e Muzikës “Luigi Cherubini”. Vlerësuar nga docenti i violinës pranë këtij Konservatori dhe titullar i Katedrës së Muzikës së Dhomës proff. Giovani Tanzini, për kualitetet e një violinisteje sensibël në interpretim, fillon përgatitjet për mbrojtjen e diplomës pranë këtij Konservatori. Kthehet në Tiranë për t’u diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve te Bukura e më pas vazhdon studimet në Firenze me proff. Yvette Gregorian.
Diplomohet në Konservatorin “Umberto Giordano” të Foggias. “Giovane albanese si e diplomata al Conservatorio…”, është ky një nga titujt e së përditshmes “Gazzetta del Mezzogiomo”.
Kthehet në Tiranë për të realizuar një sërë recitalesh pranë skenave më të rëndësishme muzikore duke ekzekutuar me orkestrën e TKOB- së koncertin Nr. 2 të Prokofievit nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, sonatat e Grigut, Brahmsit, Frankut, Shumanit, Shubertit, Bahut, nga Koreli tek Stravinskij, e deri tek kompozitorët kontemporanë si Feliciani. Fituese e konkursit të 7 Nacional të Muzikës “Citta di Monopoli”( 1995), venduet e katërta në konkursin “A. Astarita” në Napoli (1996). Në formacionin e duos, violinë e pianoforte, krahas pianistëve shqiptarë ka bashkëpunuar në Tiranë e Itali me pianisten Giovanna Fratta. Mes të tjerash kanë realizuar koncertin inagural të sezonit të 17 koncertor “Amici della musica” të Lucerës. Nga 1994- 2002 ka ekzekutuar në violinat e para të Orkestrës së TKOB. Ne qershor 2003 në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Institutit Italian të Kulturës krijon orkestrën e harqeve “Paganini” duke qenë soliste, spalë e orkestrës dhe organizatore e projektit. Në tetor 2003 realizon në Orkestrën Simfonike të RTSH-së koncertin për violine dhe orkestër të M. Bruhut nën baketën e dirigjentes Giovanna Fratta.
Nga viti 1994 është pedagoge e jashtme e violinës ne Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve. Ka marrë pjesë si violiniste në shumë transmetime të RTSH-së dhe ka shkruar një numër të konsiderueshëm artikujsh kritikë( rreth 90) për probleme profesionale të artit e muzikës, komente e analiza në të përditshmet e shtypit. Në vitin 2003 realizon pranë Radio Tiranës një cikël emisionesh me komente të interpretimit të muzikës klasike e asaj violinistike. Në sallën e Akademisë së Arteve, me ndihmën e MTKRS ne datat 25 mars 2006, 3 prill 2006 dhe 9 prill 2006 realizon projektin: “Maratona e Muzikës Violinistike”, me tre koncerte recitale, me pianistet Rudina Ciko e Marin Gjollma, përtej traditës shqiptare te interpretimit te një recitali te vetëm. “Përtej Personales”, është libri me përmbledhje artikujsh e studimesh kritike, botuar ne tetor 2006. Në maj 2007 publikon studimin “Talente të heshtur”. Në 11 korrik 2007 në sallën TKOB realizon Maratonën e Muzikës Violinistike, Edicioni i Dytë, me muzikë nga Bah, Ravel, Escobar etj., me pianisten Rudina Ciko. Në 9 maj 2008 realizon recitalin në nderim të Ministrit të Parë të Postë – Telegrafave, Lef Nosi, me interpretimin për herë të parë Sonatës së Fan Nolit (1937), e vepra të tjera. Në 30 maj 2008 së bashku me pianisten Rudina Ciko realizon Edicionin e Tretë të Maratonës së Muzikës Violinistike, me vepra që interpretohen për herë të parë si: Thoma Nasi, Ç. Zadeja, Copland etj. Në dhjetor 2008, realizon në Televizionin Calvin një cikel emisionesh të titulluara “Metronom”, emision i përjavshëm i muzikës klasike, duke interpretuar në violinë e piano veprat e Bahut, Grieg, Shuman, Brahms, Shubert etj., si dhe komentuar live kompozitorët dhe dukuritë e botës muzikore. Në 22 qershor 2009 realizon “Martonën e 4-të të Muzikës Violinistike”, në formacion duo violinë – piano me pianisten Rudina Ciko. Interpreton vepra të panjohura shqiptare si: Papajorgji, Paparisto, Noli, Nasi si dhe vepra premierë Svendsen, Stravinski, Gershëin. Dy DVD të këtij koncerti përfshihen në fondin e Bibliotekës Noliane në Boston për studiuesit shqiptaro – amerikan. Një letër falenderimi nga Katedralja Saint George mbërrin për këtë koncert si ruajtje e trashëgimisë kulturore dhe stafin e Shoqatës “Bota Artit”. Në Panairin e 12-të të librit nëntor 2009 boton Esenë “Pak mall për socializmin”, me shtëpinë botuese Ombra GVG. Më 30 qershor 2010 realizon edicionin e pestë “Maratona e muzikës violonistike” në sallën “Tefta Tashko” pranë MTKRS. Ky recital i duos Kosturi – Ciko në formacionin violinë piano përveç repertorit të larnishëm solli dhe interpretimin e pjesës “improvizim për violinë” të kompozuar nga violinistja. Në korrik 2011 me votim unanim të Këshillit të Profesorëve në Universitetn e Arteve merr titullin Profesor i Associuar. Në shkurt 2012 kandidon për postin e dekanit të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve. Në maj 2012 boton prozën, “Rrëfim në Tre Kohë” me Shtëpinë Botuese OMBRA GVG. Në dhjetor 2012 merr çmimin e vitit për barazinë gjinore nga Unioni i Gazetarëve për artikullin më të mirë si publiciste.