Kur mediat bëhen palë me vrasësit
Nga Bejdo Malo
“I penduar dhe i rënduar psikologjikisht. E vrau gabimisht”. Jo sikur është vrarë një njeri, por sikur i ka rrëzuar akulloren nga dora.
Kjo ishte keqardhja e ndyrë e medias televizive, medias së shkruar dhe jo vetëm, për një vrasje të ditëve të fundit. Një lojë e ndyrë avokatësh që përpunojnë gazetarë të papërgjegjshëm, hamullorë, të rëndomtë dhe me redaktorë-drejtorë e botues të pashpirt dhe pa logjikë. Kjo është badërdia që ndodh me çdo krim. Asnjë media, asnjë gazetar, anjë televizion s’është me viktimën. Me hallin e familjes që i ka ndodhur tragjedia. Po lajme të ndyra që heroizojnë dhe u shërbejnë kauzave të ndyra të avokatëve, prokurorëve dhe gjykatësve që bëjnë pasuri me gjakun e viktimave duke marrë në mbrotje vrasësit.
Një avokat i njohur pohoi se kjo është bërë normë për të lehtësuar fillimisht e për të nxjerrë nga burgu çdo vrasës. Në fillim përgatit opinionin me anë të medias. Bën përpunim në media se përpunimin ligjor e bejnë prokurorët e gjykatësit.
Një avokat më thotë se filan prokuror ta merr cigaren nga dora. Sa herë e takoj më thotë si janë nga shëndeti klinetët tuaj a janë mirë. Duke nënkuptuar se a paguajnë. Kanë shpikur kode dhe fjalor të posaçëm. Sot prokurorët dhe gjykatësit pyesin se sa vrasje ke patur ketë muaj.
Njësoj si ajo përralla kur u takua prifti me hoxhën dhe e pyetën njeri-tjetrin.
– Si dole këtë muaj?
– Mirë, i tha hoxha katër vdekje, pesë synete dhe 10 nuska.
– Po ti, i thotë priftit.
– Gjashtë vdekje dhe tetë celebrime.
Dhe prokurorët dhe gjykatësit pyesin njeri-tjetrin. Sa vrasje kishe këtë muaj dhe sa aksidente. Sepse aty jane paratë. Por si një bisht gjarpëri si zgjatim i kësaj ndyrësie që ndodh çdo ditë është bërë dhe media. Palë me vrasësit. Nuk le gur e mur pa justifikuar krimin e këtyre me vrasjet makabre.
Ku vemi ku shkojmë? Çfarë bëjmë kështu? Ç’punë kemi me vrasësin. Me të ka punë ligji. Ne kemi punë me raportimin e drejtë, të panashëm, së paku me dy burime; jemi në një farë mënyre edhe me viktimën se është më i pambrojtur përballë triumviratit gazetar-prokuror-gjykatës, jemi me plagën e madhe familjare, me plagën sociale. Ka etikë gazetareske apo jo. Përtej kësaj ka ndjenjë njerëzorë apo edhe mediat marrin bishta nga ky raportim? Një kafe piu me një trafikant droge aktori famshem i Hollivudit dhe shteti amerikan e dënoi me 600 mijë dollarë gjobë sepse shkeli etikën dhe moralin publik.
Po tek ne çfarë ndodh? Mbushur mediat me lajme që gati e bëjnë të ligjshme vrasjen. Në vend të jepen detaje për krimin, jepen vese për viktimën. Gërmohet në jetën e viktimës dhe copëtohet. Shkohet deri aty sa nga lajmet televizive të krijohet ideja se viktima ka vrarë vrasësin e jo vrasësi viktimën. Helmohet opinioni. Ç’po ndodh? I varrosëm çdo ndjeshmëri njerëzore kësaj shoqërie.