Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: ‘Patriotizmi’ i politikës shqiptare

Bardhyl Berberi

 

Politikanët janë si penelat e fëmijve të porsalindur, nëse nuk i ndërron shpesh  të vjen era… Është shumë e vështirë që të jetosh në një vend ku problem nuk qëndron tek pesha e këtij vendi, por tek peshorja e prishur ‘Made in Albania’. Prej kohësh tek ne ekziston një frymë urrejtjeje, frike dhe një histeri në të bërit politikë që i shpëton vullnetit të inteligjencës. Por realisht politika dhe e ardhmja e njerëzimit janë mbrojtur nga individë pa ideale dhe pa madhështi; kush ka madhështi nuk merret me politikë. Pjesa më e madhe e politikanëve tanë nuk e duan demokracinë e vërtetë dhe lirinë sepse ato kur janë të vërteta të sjellin përgjegjësi, ata kanë frikë nga përgjegjësitë…

Natyrisht lind pyetja cila është streha e politikanëve të sotëm? Realisht streha e politikanëve të sotëm çuditërisht ka ngelur tek një patriotizëm i zbrazët. Ata mundohen të na  tregojnë se si bëhet politika se disa prej nesh e dimë më mirë se ju këtë gjë. Mirëpo dallimi mes juve që për momentin jeni në politikë e s’keni haber të bëni politikë dhe neve që jemi jashtë saj dhe e njohim shumë mirë atë është si nata me ditën. Politika juaj ka sukses përherë.

A e dini pse? Sepse ajo është e stilit ‘vetëm shit’. Edhe tregtia si aktivitet pune është përherë e suksesshme, prandaj me të sot merren shumica e njerëzve në botë. Por tregtia reale zhvillohet në stilin ‘shit e blej’. E ju dini, siç thashë, vetëm se të shisni e jo të bleni dhe atë jo mallin më të lirë por atë më të vlefshmin dhe më të shtrenjtin-interesat kombëtare që nuk janë pronë e juaja, por janë pronë e të gjithë neve. Një fëmijë i mirë e i ndershëm e ruan dhe e shton mallin dhe pasurinë e shtëpisë e një fëmijë i keq nuk e ruan dhe e shet pamëshirshëm atë. Ju jeni këta të dytët fatkeqësisht.

Ju i keni vënë në ankand publik jo vetëm se interesat e kombit, por edhe vet kombin dhe duke e paketuar këtë shumë mirë po mundoheni të na shitni ‘pordhët për parfume’. E dimë ne patriotizmin tuaj se sa peshon, nuk ka nevojë të na tregoni se kush jeni ju se ju njohim si paranë e kuqe. Më tej ironia juaj është e padurueshme. Sipas fjalëve tuaja ju dhe vetëm ju i dini të gjitha, ju dini të bëni politikëj ju dini të bëni diplomaci apo dhe vetëm ju dini të bëni patriotizëm e ne jo, pra sipas jush ne nuk dimë asgjë.

Dallimi mes neve dhe juve është se ‘ju jeni atje brenda në politikë dhe ne jemi jashtë saj’. Falë faktit që ju jeni brenda në politikë pra ju mund të bëni çfarë të doni e jo çfarë duhet të bëni apo jeni të detyruar të bëni. E ju do të duhej që t’i ruani dhe të përparoni në interesat kombëtare e jo t’i ktheni mbrapsht ato. Ju për atë të parën jeni zotuar para 30 vitesh e jo për këtë të dytën.

Prandaj pendohuni sa nuk është shumë vonë sepse koha juaj në politikë ka perënduar që moti, por ju akoma jeni në politikë falë perfeksionimit të biznesit të shitjes së interesave kombëtare. Pra ata të tjerët janë duke ju mbajtur në politikë jo se jeni më të mençurit dhe me të aftët dhe më të mirët në planet, por se jeni më të përshtatshmit.

Mjaft më me fjalë të kota. Juve ju ka ngjarë si njerëzit e moshuar para disa dekadave, jeni të dalë jashtë mode. Mirëpo edhe ata atëherë edhe ju sot harroni se e tashmja dhe e ardhmja ju takon të rinjve. Ju jeni ca llafazanë që bëni vetëm llogje pa bukë, një fjalë e urtë popullore thotë ‘se lulet dhe bimët nuk i rrit bubullima, por shiu’… ju jeni njerëz grabiqarë me tru të vogël dhe me dorën e madhe të grabitjes.

Prandaj mjaft më me fjalë të kota, por pendohuni për të këqijat që ja keni bërë popullit dhe punoni pak për të se kur të vijë uragani do t’iu fshijë nga faqja e dheut dhe nuk do t’iu ngelet as nam e as nishan edhe ato parët e vjedhura që keni vënë gjatë këtyre 30 vitesh nëpër bangat e botës një ditë do t’ua u sekuestrojnë dhe do të ngeleni me gisht në gojë apo në qeli duke shkruar kujtimet tuaja të grabitjes të pasurisë së popullit.

 

Please follow and like us: