Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Letër publike për Alfred Lelën

Në pamundësi të komunikoj gojarisht me gazetarin Alfred Lela, i drejtohem me anë të kësaj letre publike

Eden Babani, Bruksel

Nuk di si të të thërras. Të të quaj zotëri, druaj se e teproj për shkak të diferencës në moshë. Të të quaj mik, më është e pamundur ngase as më njeh, as të njoh. Të të quaj koleg, më ngjan marrëzi. Ku unë, gazetar i sajuar i fillimit të viteve ’90, kur më thirri koha për të drejtuar gazetën “Liria” të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ku ju, të rinjtë – edhe ti, me ta. Marr leje të të thërras thjesht me emër, Alfred, siç mund t’i thërras njërit nga dy djemtë e mi, Meti ose Lili.

Alfred, ende e ruaj të gjallë në kujtesë dhunën e ushtruar ndaj teje nga policia e narkoshtetit shqiptar, nën qeverisjen e regjimit të vetëquajtur “Rilindje”, për turpin e faqen e zezë të historisë sonë. E ndjeva edhe unë në gjoksin tim gjurin e policit që të kishte vënë poshtë, ngase u cyte dhe guxove t’i vije në mbrojtje një femre me qëllimin fisnik që t’ua hiqje policëve nga duart.

Afro një vit përpara shembjes së Teatrit Kombëtar, gjatë protestave të përditshme në mbrojtje të asaj vepre kulturore të pazëvendësueshme dhe me përmasa mbarëkombëtare, pata botuar një shkrim me titullin “Policë barkderra”, te e përditshmja 55. Policët e regjimit më ngjanin me ca qenie që më tepër i komandonte barku, sesa koka, si qenie njerëzore. Asohere, ndonëse ndodhesha në Tiranë dhe isha i pranishëm thuajse çdo ditë në protestat për mbrojtjen e Teatrit bashkë me shumë miq të mi, hiqesha se shkruaja nga Brukseli. Afërmendsh, i dashur Alfred. Çfarë nuk pret njeriu nga policia e një regjimi. Përkundrazi, ditën e shembjes së Teatrit, – ditë pandemie, – pamjet i ndoqa me të vërtet nga Brukseli. Polici që të kishte vënë poshtë dhe rëndonte mbi gjoksin tënd me gju, ishte bash ashtu, barkderr, siç i pata përfytyruar e  përshkruar unë atë dhe shokët e tij.

Dje u botuan këtu, në Belgjikë, pamje pak a shumë të njëjta me dhunën ndaj teje. Pati ndodhur dy vjet më parë dhe, për fat të keq, pati përfunduar me vdekjen e një sllovaku në aeroportin e  Sharlërua, ndër qytetet më të mëdha të Valonisë, njëra nga tri njësitë Federative të Mbretërisë së Belgjikës. Nuk po ua hyj hollësive nga të cilat gëlojnë mediat e këtushme. Citoj vetëm një pjesë nxjerrë nga RTL.

“Pas fotove të rrjedhura që tregojnë sjelljen e egër të oficerëve të policisë duke arrestuar një burrë (z. Schovanek) në një qeli, fillojnë të bien kokat në majë të Policisë Federale. Andre Dezanfan, numri 2 i policisë federale, njoftoi tërheqjen e tij të përkohshme në një konferencë për shtyp. Ndihem i penguar të vazhdoj ushtrimin e mandatit tim si Drejtor Menaxhues, tha ai.”

Shtoj se dy dekada e ca përpara, dha dorëheqjen ish-Ministri Brendshme i Qeverisë Dehaen II, Lui Tabak, për shkak se vdiq një refugjate nigeriane, Semira Adamu, e cila nuk a pati fituar të drejtën e qëndrimit në Belgjikë. Vajza vdiq në avion, teksa transportohej për në vendlindje.

Për kronikë, po sjell shkurt do fakte të nxjerra nga shtypi i kohës.

Më 28 maj 1998, Semira njëzetvjeçare u fut në mënyrë klandestine në Belgjikë, duke i ikur martesës së detyrueshme me një gjashtëdhjetëvjeçar poligam e të dhunshëm. Kërkesa për të jetuar në Belgjikë, nuk u mor parasysh. Më 22 shtator, Semira përfundoi në një qendër të mbyllur (gati-gati burg), me qëllim që të transportohej forcërisht në vendlindje.

Në qendrën e mbyllur, filloi edhe tragjedia e saj e vërtetë, e cila e çoi në amëshim. Disa herë kundërshtoi transportimin me britma, me shkelma, shuplaka e me thonj. Më në fund, falë dhunës shtetërore, përfundoi në një avion, e shoqëruar nga disa policë. Me duar lidhur pas shpine, ajo këndonte dhe vetëm këndonte me zë të lartë, dëshmuan udhëtarët e rastit. Policët shoqërues, siç vërtetuan videot, i vunë në gojë një jastëk, që t’i ndalnin këngën. Semira u mek. Në orën 21.30, mjekët e klinikës San Luk, deklaruan vdekjen e saj.

Të nesërmen, anekënd Belgjikës, shpërthyen protestat, që – siç thashë pak më lart, – çuan në dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Lui Tabak dhe në lëkundje sizmike për koalicionin qeverisës.

Si mendon, i dashur Alfred?

A mund ta shembin tërmetet qeverisjen rilindëse të Kryeministrit Rama, megjithëse ato, tërmetet, (lexo skandalet) e atjeshme janë kushedi sesa ballë më tepër?

Please follow and like us: