Joe Biden: “Do të jem aleat i dritës, jo i errësirës”
Mbyllet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate – Biden pranon emërimin si kandidat për president
Nga Ruben Avxhiu
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate u mbyll mbrëmjen e të enjtes me pranimin zyrtar nga Joe Biden të kandidaturës për President.
Ai do të përballet në 3 nëntor me Presidentin Donald Trump, që do të shpallet zyrtarisht kandidat për rizgjedhje në Kuvendin e Partisë Republikane.
Në fjalimin e tij, Biden argumentoi se e meta më e madhe e Presidentit Trump ishte dështimi i tij gjatë epidemisë.
“Presidenti ynë i sotëm dështoi në detyrën e tij më themelore. Nuk arriti të na mbrojë. Nuk arriti të mbrojë Amerikën. Dhe bashkatdhetarët e mi amerikanë, kjo është e papranueshme”, tha Biden duke shtuar, “Si president, do t’ju bëj një premtim. Do ta mbroj Amerikën!”
Ishte një Kuvend si asnjë tjetër në histori për shkak të pandemisë. Lidhjet dhe fjalimet ishin të gjitha virtuale nëpërmjet internetit. Nuk kishte salla, lule e tullumbace, turma delegatësh e festa politike.
Mbi 170,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 dhe demokratët shohin te ky bilanc një dështim shumë të dukshëm të Administratës Trump. Ndonëse disa prej problemeve në përballimin e pandemisë kanë qenë të grumbulluara në vite, Demokratët do të përpiqen të përdorin atë që e quajnë mungesë të një mesazhi bashkues nga Presidenti Trump në këtë kohë të vështirë për amerikanët.
Jo më kot, kjo ishte një pikë vendimtare në fjalimin e kandidatit Biden.
“Vërtet që jam Kandidati Demokrat, por do të jem një President Amerikan. Do të punoj shumë edhe pë rata që nuk më mbështetën, po aq shumë sa edhe për ata që votuan për mua”, tha ai. “Kjo është puna e një presidenti. Të na përfaqësojë të gjithëve, jo vetëm bazën e partisë së tij”.
Biden kritikoi punën e bërë por edhe sjelljen e Presidentit Trump. “Një president që nuk mban përgjegjësi, refuzon të udhëheqë, ua lë fajin të tjerëve, ngrohet me diktatorë, dhe ndez zjarret e urrejtjes dhe ndarjes. Kujton se puna e tij është t’i shërbejë vetes dhe jo juve”.
“Unë shoh një Amerikë tjetër”, tha ish-zëvendës-Presidenti. “Një e cila është bujare dhe e fortë. Zemërgjerë dhe modeste. Është një Amerikë që mund ta ndërtojmë së bashku”.
“Pikërisht tani dhe këtu ju jap fjalën time. Nëse ma besoni presidencën, do të nxjerr në pah anën tonë më të mirë, jo më të keqen. Do të jem një aleat i dritës dhe jo i errësirës”, tha në fjalën e tij përmbyllëse kandidati për President i Partisë Demokrate.
Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane fillon të hënën në 24 gusht.