Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Kritika dhe kontrolli i budallallëkut

Shpesh herë kritikojmë në media në pozicionin e gazetarit, por kur shohim me dëshpërim që ka raste që nuk e vë njeri ujin në zjarr. Ndjejmë trishtim… Kritikët në politikë shihen si të tillë që përherë shprehin pakënaqësi, edhe atëherë kur gjërat shkojnë mirë, sikur po e kërkojnë gjilpërën në kashtë, të bardhën e bëjnë të zezë, të cilët ndryshe quhen nihilista ose ka të tillë që nuk besojnë në mundësinë e ndryshimit dhe përmirësimit të situatës e që quhen skeptikë ose pesimiste dhe të tjerë që mendojnë që gjërat shkojnë në drejtim të keqësimit dhe regresit dhe që i quajnë defetistë, por edhe të tjerë që zhvillimin e shohin te stihicizmi dhe kaosi dhe i quajnë anarkistë.

Ngjyrimi pozitiv i kriticistëve, i atyre që besojnë në mundësinë e përmirësimit dhe progresit pa asnjë ekuivoke, i përshtatet termit ‘optimist i pandreqshëm’, por ka të tillë që mundësinë e progresit dhe zhvillimit shoqëror e shohin në përputhje me realitetin ngadonjëherë edhe të hidhur shoqëror, por që në parim besojnë në ligjet e zhvillimit të natyrshëm të shoqërisë, që veten e quajnë ‘optimistë realistë’.

Nga këndvështrimi shkencor, ligji kryesor i zhvillimit shkencor është parimi i kriticizmit shkencor, i mos pranimit të autoritetit individual të autorit të tekstit shkencor, por i pranimit me rezervë të thënieve, deri në bindjen personale në vertetësinë e fakteve nëpërmjet të verfikimit të formulave, tezave dhe rregullave të parashtruara. Autoritetet e mendjeve më të ndritura të njerëzimit kanë qenë për një kohë të pakontestuara deri në stadiumin e kundërshtimit të plotë apo mbindërtimit dhe perfekcionimit të zbulimit dhe shpikjes së tyre dhe pikërisht kjo ka qenë baza e shendosh e zhvillimit të teknologjisë dhe gjithë shkencës në përgjithësi.

Nëse ky ligj i kriticizmit realist vlen për shkencën, s’ka si të mos vlejë edhe për zhvillimin shoqëror dhe të politikës si një prej shtyllave të zhvillimit apo degradimit të saj. Vështrimi kritik ndaj politikës është parë gjithmonë, sidomos tek ne, si kërcënim ndaj autoritetit individual të udhëheqësit ‘shpirtëror’ të partisë, madje edhe të kombit, mllefi i të cilit ka qenë edhe shkatërrues ndaj kritikëve, të cilët e ndajnë të vërtetën e tyre me publikun nga këndvështrimi i tyre kritik në kuptimin pozitiv të fjalës, me qëllim të përmirësimit cilësor të hapave konkrete të politikëberjes, sidomos ndaj politikës kadrovike të partisë në pushtet.

Një kritik i tillë është anatemuar, izoluar dhe baltosur nga politika dhe megafonët e saj, të instaluar në mediat kinse të pavarura, pa i dhënë atij asnjë rast të ballafaqohet për të shtjelluar dhe arsyetuar këndvështrimet dhe qëndrimet e tij karshi politikës aktuale. Në mungesë të argumenteve është përzgjedhur edhe mospërfillja dhe anashkalimi i tij, duke ia bllokuar të gjitha rrugët dhe mundësitë e publikimit të shikimit të tij ndaj të vërtetës politike.

Sidoqoftë, sistemet politike demokratike quhen ‘fiktive’ kur nuk lejohet ballafaqimi i argumenteve sidomos nga ana e atyre që janë më  më kritik ndaj fenomeneve politike, dhe kjo herët apo vonë sjell deri në ndryshime të dhimbshme të ndërrimit të garniturës në pushtet, për dallim prej atyre ku lejohet kriticizmi si mjet korrektiv ndaj pushtetit, me çka ndalohet përdorimi i dhunës dhe keqpërdorimi i pushtetit nga ana e atyre që duan ta ruajnë status quo-në, dhe t’i ruajnë deri në pakufi privilegjet e pushtetit, por që detyrimisht shkojnë bashkë me përgjegjësinë politike dhe llogaridhënien për punët e pa-bëra në zgjedhje të rregullta demokratike.

Ne në Shqipëri nuk kemi masë kritike ndaj zhvillimeve shoqërore dhe politike, pasi mjetet e informimit janë pjesërisht të kontrolluara, për vetë faktin se ftojnë në emisionet e tyre ata që do t’i bien orkestrës sipas dirigjentit që i ka çuar atje, personalitete që tingëllojnë si të pavarur, por që kanë lidhje të ngushta miqësore dhe familjare me politikanët, por edhe përballje më ta nga ana e pushtetmbajtësve. Shpesh moderatori fton nga të dyja palët dhe aty fillon baltosja e njëri tjetrit sipas bluzave të partive politike që mbajnë veshur. E gjithë mënçuria njerëzore ka ecur përpara në sajë të kritikës konstruktive. Ne kemi parë realisht në këto 30 vjet demokraci se nuk jemi qeverisur nga njerëzit më të mirë. Si ka mundësi që në këto 30 vjet kemi parë hapjen e depove të armëve që veshën Shqipërinë me të zeza, shpërthimin e Gërdecit ku u vranë dhe u plagosën një vagon treni me njerëz të pafajshëm, vjedhjen e thesarit të shtetit në Krrabë apo piramidat e famshme që i çuan njerzit fatkeqë në depresion duke humbur gjithçka. Shkrimtari Italian Primo Levi thotë ‘përse i duhet kujtesa një kombi kur nuk arrin të ndryshojë njerzimin dhe të mbajë në politikë ata persona që i kanë shkaktuar fatkeqësi dhe trauma shpirtërore’? Demokracia tek ne në këto 30 vjet na ka vërtetuar se nuk jemi qeverisur nga njerëzit më të mirë. Ka disa kufij që budallallëku duhet të kontrollohet. Nuk ka ndjenjë më të tmerrshme se se ndjenja e shpresës së humbur. Me këtë lloj ndjenje shqiptarët po bashkjetojnë fatkeqësisht në këto 30 vjet . Realisht tek ne ato fakte që jepen në medja janë më të pakta me ato që kanë ndodhur realisht. E thënë në mënyrë figurative njerëzit duhet të kishin një jetë të dytë ata të mirët ta jetonin si shpërblim, ndërsa të tjerët si ndëshkim të mëkateve… Enzo Biagi ka thënë: -Unë e konsideroj gazetën si një shërbim publik tamam si një ujësjellës që duhet të çojë nëpër shtëpitë e njerërve ujë të pastër dhe jo të ndotur… Kritika tek ne duhet të jetë konstruktive dhe duhet që t’i ngjajë asaj nënës që lan foshnjën në govatë dhe pasi e lan e merr foshnjën e pastër në peshqir, ndërsa ujin e pistë e hedh…

 

 

Please follow and like us: