Albspirit

Media/News/Publishing

Replikë me deklaratën e Ministres Manastirliu që përgënjeshtron OBSH

Dr. Besnik JAKAJ

Znj. Ministre, deklarata juaj është totalisht jo profesionale madje e turpshme. Së pari Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) dhe të gjitha organizatat, institutet dhe institucionet ndërkombëtare që bëjnë vlerësimin e komponentëve të performancës së sistemeve shëndetësore prej vitesh e rendisin Shqipërinë në vendin e fundit në  Europë e më gjerë. Jo vetëm për numrin më të ulët të mjekëve për banorë, por në të gjithë komponentët që vlerësojnë shërbimin shëndetësor.

Duke dhënë sinjalin SOS për vëndin tonë. Znj. Ministre besoj nuk e bëjnë nga xhelozia për “mrekullinë” që keni bërë ju në shëndetësi.

  1. Ju bëni një interpretim të deklarimit të O.B.SH për numrin e ultë të mjekëve që ka Shqipëria për 10.000 banorë, duke e lidhur me specializimet. Znj. Ministre duhet të kuptoni që kjo nuk ka asnjë lidhje, specializimet bëhen në varësi të nevojës që ka vendi për mjekë klinicistë në bazë të specialiteteve incidences së patologjive dhe numrit të shtretërve… Ju duhet ta dini shumë mirë që me dhjetra mjekë specialistë punojnë si mjekë familje pasi nuk ka vende pune në spitale apo poliklinikat e specialiteteve për mjekë specialistë. Znj. Ministre nëse nuk e dini, ose bashkëpuntorët tuaj nuk jua kanë thënë, se në fakt ju nuk keni nga ta dini, kur flitet për numër mjekësh për banorë bëhet fjalë për shëndetin publik, shërbimin parësor, dytësor dhe terciar. Që ta mësoni, e para është parandalim, imunizim higjene-epidemiologji etj, e dyta është mjeku i familjes, e treta janë spitalet rajonale dhe poliklinikat e specialiteteve, e katërta janë spitalet universitare dhe trajtimi i specializuar me hospitalizim të gjatë e konsultativ, (terciare). Kështu që me atë punën e specializimeve ia keni futur kot.
  2. Kur flisni që nga viti 2018 janë 309 mjekë më shumë në sistem, më vjen keq por nuk jeni e saktë, pasi prej 6 viteve numri i mjekëve është ulur me mbi 20 %; duhet ta keni parasysh ikjen masive të mjekëve nga Shqipëria dhe daljen natyrale në pension. Llogarit pastaj edhe largimet drejt sistemit privat, por këtë lëre se është temë tjetër. Sipas statistikave të fundit, sistemi publik në 7 vitet e fundit ka rreth 32% me pak mjekë.
  3. Znj. Ministre është për të ardhur keq që pas 7 viteve në pushtet e gjeni përsëri ngushëllimin duke akuzuar e fajësuar (me një fjalor të pa denjë edhe për një njëri rruge), qeverinë e para 7 viteve dhe për më tepër nuk jepni asnjë argument, vetëm përdorni një fjalor banal dhe akuza aspak të vërteta, duke bërë një politikë tejet banale, me shprehjet, se para 7 viteve në spitale shëtisnin, kullosnin, shiteshin e tregetoheshin kafshë, ndërsa me ju shqiptarët po përjetojne parajsen e shëndetësisë falas.
  4. Theksoni në mënyrë propagandistike se qeveria e Partisë Socialiste prej 2 vitesh paska punësuar 600 mjekë dhe 2400 infermierë!!! Një pyetje, o zonja e propagandës së Rilindjes?!? Sa mjekë diplomohen në dy vite nga fakulteti i mjekësisë?! Sa mjekë dalin në pension në dy vite?!? Sa mjekë të janë larguar nga hqipëria në dy vite?!? Mos të duken gjë mjekë kordinatorët e famshëm të partisë që ke punësuar në Q.S.U.T e M.SH.M.S dhe paguhen për tu marrë me FB tuaj e të K.M-së.
  5. Ju nuk jeni mjeke dhe nuk mund të merrni vesh nga sistemi shëndetësor dhe po ju mirëkuptoj, por si menaxhere e politikane duhet të kuptoni llogjiken e shifrave se ato janë kokëforta e nuk të lënë të lëvizesh, nga buxheti shumë i vogël e i pamjaftueshëm që ka pasur Ministria e Shëndetësisë në të gjitha kohrat për hir të së vërtetës. Ju i keni hequr këtij buxheti mbi 300 milionë euro dhe ja keni dhënë privatit pa asnjë lloj përfitimi të qenësishëm për pacientin e as për sistemin. Duke zvogëluar po në të njëjtën masë shërbimin dhe aksesin e qytetarëve shqipëtar në sistemin shëndetësor. Dhe sa herë që sëmureni ju apo familjarët tuaj, apo ata që kanë koncensionet në shëndetësi merrni rrugët e botës për shërbim shëndetësor. Në një kohë kur OBSH dhe të gjitha institucionet e tjera që bëjnë performancën e sistemeve shëndetësore japin sinjalin SOS për sistemin tonë…ju dilni e kakarisni si ‘gjeli në maj të plehut’… për mrekullinë që keni bërë në shëndetësi. Më vjen vërtet keq por deklarata juaj ishte jo profesionale, tejet propogandistike dhe e turpshme.
Please follow and like us: