Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Sabina Darova

Zoti t’dhashtë!

Në vendin tim
këtë verë buletinet rrëfejnë
numrin e humbësve të betejës me koronën
e të pabesive nga plumbat pas shpine.

Në vendin tim
garojnë si merimangat varur dyerve
vrasësi i padukshëm dhe xhelati i hakmarrjes.

Në vendin tim
këtë verë ashtu si në shumë të tjera
pika e ujit barazohet me të naftës,
dhe mizat vallëzojnë mbi grumbujt e plehrave.

Vendi im këtë verë
Ulur këmbëkryq në prag të mizerjes
duke numëruar tespiet me vështrim nga Zoti!

Konformizëm

Fshin gjethet
Që bien
Lulishtari…

Ato, të urtat
Të mardhurat
Të pambrojturat
Divorcuar
Nga pemët
I binden turrës
E i rebelohen erës.

I vetëkënaqur
Lulishtari…

Please follow and like us: