Aleksandër Sergejeviç Pushkin: LUTJE
Nëse është e vërtetë që natën,
kur gjithë të gjallët shkojnë për gjumë,
rrezet e hënës siç luhatën,
i ledhatojnë varret si shkumë.
Oh nëse kjo është e vërtetë
dhe varret zbrazen në atë orë
Leilen do ftoj, shpirtin hyjnor,
Eja, të pres! Të pres përjetë!
Shfaqmu, fantazmë e adhuruar,
ashtu siç shkove qetë e lehtë,
nga agonia e shfytyruar,
e ftohtë, si një ditë dimri, e zbehtë.
Eja si ylli në mëngjes,
si melodi, si frymë qiellore,
a si vizion i frikshëm, prore.
Unë jam këtu! Të pres përjetë!
Të pres të vish jo për hakmarrje,
ndaj smirëzinjve dashakeqë,
q’ u lumturuan nga kjo ndarje,
po lë të venë në djall, në dreq.
Jo se shpeshherë nuk kam dyshuar,
porse një mall, një nostalgji
më thonë të të shtrëngoj në gji.
Përjetë me ty, i dashuruar!
Shqipëroi: Arqile Garo, gusht 2020.