Cikël poetik nga Nexhat Halimi
Gjurmë e humbur
Ti je larg në natë e unë bri ulliri te deti
I vetmuar i mbytur ëndrrës vetë i dyzeti
Ja pushoi së lehuri dhe njaj qeni minak
në mol vetëm `i dritëz e hënës pik gjak
E tej dritares fluturon pavdekësia e fjalës
apo gjithnjë më përhitet hije e ngjalës
Përmbytet shfaqet e rrëshqet për të dy
Të majtës së shpirtit çelet qielli në plagë
E kaltërsisë së etur dridhet ylli në dallgë
Ti je larg e unë në litar prek vetmi në ujë
zgjoj në gur gjurmën e humbur të dikuj`
Gjithë pa frymë të shkruaj letër në poezi
Ti je larg shpirti e unë te ulliri buzë deti
I vetmuar e i këputur në nyja për ty treti
Udhëtim në ëndërr
Ja, arritëm vogëlushe me gjak e fanfare.
Do ta kthejmë në tërësi të vet Ilirinë,
Me rrënjë e varre e zogj e thurim mëvetësinë.
Preke me dorë, kjo është Toplica nën borë,
Ja Malësia e Madhe nga ndrit në dritare,
Preke flakën, Çamërinë e pashuar në dorë.
E ti dhe unë udhëtojmë kaq vjet robër fare.
Udhëtojmë etjes,ëndrrës me Mollë të Kuqe,
Ndoshta do të arrijmë te ajo burbuqe!
Ja, i pikin petalet gjak të ngjitemi në Rumi,
Ti me gur të rëndë e me diell shpërthyer në sy
Unë me kaq rrugë botës, me gjarpër në gji.
A do të arrijmë në vetvete në një kurorë,
Ja, të flijuarit ëndrrës digjen qiellit meteorë.
Hija e Halit Tullarit
Ti del nga shtëpia e merr të ikësh në treg
kalon fushën e gjelbër e arën me grurë
Shkel udhën me pluhur e trupon për breg
Te jallia me lule të egra afrohesh në urë
Mendon ca, kanë ikur njëqind e dyzet vjet
dera e shtëpisë pemishtja ka ngel shkret
oh zot kaq ashpër shpërthen vetmia vret
jallisë përhitesh, e ecë, zbret gur më gur
shkel lumin Tullar ngjitesh ëndrrës qiellit
dikush megjithatë në varre ja i bie fyellit
Ti ec e tjerr mendim ka vjet baba i vdekur
Unë qaj me dhembje guri me të prekur
hijes vijnë fëmijët e natyrisht dalin në urë
Ikin zjarrit të vetmuar të ëndrrës në cicë
Çdo gjë ka ndërruar ti njëjtë në Dumincë
e përsëri lëviz rrugës së vjetër në Toplicë.