Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: PËR FSHATIN E ‘PRERË’ TË THANAS DINOS

Miho Gjini

 

Shënime kritike

Më ka rastitur të lexojë dy libra me të njëjtën temë. Romane të së njëjtës ndodhi të vërtetë, kur ‘mëndjet djallëzore’ i ndajnë popujt, si me thikë, në ‘pjesë të kundërta’, sikundër ka ngjarë në Shqipërinë tonë, njëqind e ca vite më parë, kur u ‘sajuan’ dhe kufijtë e saj. Të dyja librat i kanë shkruar autorë të minoritetit grek në Shqipëri. Njerin libër e ka shkruar Telemak Koça nga Bodrishta 15-20 vite më përpara e tjetrin Thanas Dino, me prindër nga minoriteti grek edhe ai, që e shkroi dhe e botoi tani, dy-tri muaj më parë. Sikundër shihet, është diçka që dhemb akoma. Se edhe kur pret një gisht, lemeriset njeriu i gjorë, i cili do të jetojë tërë jetën e vet në bashkësi e fqinjësi të mirë, pa ‘vija ndarëse’ që të vejë e të vijë ngado që e do puna e shpirti.
Kemi të bëjmë kështu, jo me një ‘vijë ndarëse’ me laps, po me kufijë që i veçon mëria, nacionalizmi, racizmi, armiqësia, kloni i telave me gjëmba dha armët e ftohta, mandej edhe me një fenomen ndryshe, që përfaqësojnë edhe shtete të ndryshme, bile edhe me ‘Fuqi të Mëdha’ që trazohen jo pak a ‘rrallë e tek’! Në një Ballkan që është quajtur ‘Fuçi baruti’, me luftra, urrejtje e trazira të pandërprera, Telemak Koça e trajton këtë ngjarrje tronditëse në një roman të gjatë, prej afro 500 faqesh, (“Në bregun përball”), ku ndarja ‘fshaçe, pa pyetur fare fshanë’, kthehet në në humnerë tragjike të dhimbshme, me një subjekt plot ngjarje e konflikte që ndizen e nuk shuhen kurrë, si edhe me personazhe herë realë e herë të sajuar, ku ndihet letërsia e mirëfilltë tradicionale.

Ndërsa Thanas Dino është e mbetet panoramik, konçiz, me një vështrim bashkëkohor, në jo më shumë se 119 faqe , kur ‘fshati pritet si me thikë’ e kjo ngjarje lë gjurmë të thella, diku në vetëdijen e disa njerëzve që mbetën, ca në njerën anë e ca në tjetrin, bile edhe pse të të njëjtit ‘bark e oborr’! kur as që munden ta takojnë dot njeri tjetrin, me frikë në palcë, duke i tjetërsuar ideollogjia e politika e ndarjes së një shteti, në të dyja brigjet e ‘një lumi’ që s’takohen gjëkundi, sikundër këndohet në një këngë që s’më hiqet kurrë nga mendja. Ngjan sikur në këtë libër të Dinos nuk duket fare shtrirja e romanit, artistikisht e sipas ‘rregullave’ të gjinisë në fjalë , po përsëri ai e quan atë roman! Se ka vetëm ‘grimca’ episodesh, tipa e personazhe të veçuar të së njëjtës ‘vorbull’ që ai rreket t’i mbledhë, t’i lidhë e skalitë me ‘daltën’ e vet e të sajojë atë tërrësi të dhimbjeve e të anomalive alogjike të kohërave reale, të cilat sjellin pikërisht të njëjtat dhimbje therëse. Po, djalli ta marrë këtë punën tonë, si i bëhet që i lexojmë me emocione e kërshëri që të dyja librat, diametralisht të kundërt në konceptimin e stilin e tyre!? Sepse janë që të dy shkrimtarë me talent këta autorë e aspak ‘nxirrësh letrash të bardha’ që të hiqen si të tillë, që rëndojnë raftet e librarive, të bibliotekave dhe stendat luksoze të panaireve të librit…

Se ndodh vërtetë që të shkruajnë libra e nganjëherë i vënë edhe emrin ‘roman’, si tek Dinoja, duke mbetur po aq në vlerën e vet si roman, ku çdo fjalë, frazë e periudhë është e mbetet letërsi e mirëfillt. Se rëndesën e një libri nuk e përbën volumi, po ‘misteri’ i talentit të atij që shkruan, i cili, mjerisht a fatlumërisht, nuk ndodhet asnjëherë tek të gjithë ata që ‘marrin lapsin’ dhe e keqpërdorin atë.
Për veçoritë e romanit interesant të shkrimtarit të të dy identiteteve, Telemak Koça, si edhe për vepra të tjera të tij, kam shkruar disa herë, po edhe për ato të Thanas Dinos, i cili ka njëfarë ‘shpërthimi’ vitet e fundit në prozën e tij, gjithmonë e më tepër, me ato ‘trazime’, ngjyrime e kontraste të forta që ka Jugu ynë… Ata janë shkrimtarë të vërtetë e jo të shpifur! Dhe dallojnë nga njeri-tjetri nga stili i të shkruarit e konceptimet kompozicionale, organizimi i kontradiktave, konfliteve dhe parashtrimi i personazheve në jetë-veprimin e tyre. Ndërsa në këtë libër të ri të Thanas Dinos, atë e dallon krijimi i njëfarë ‘mozaiku letrar’, me copëza jete që diku bashkohen e diku ndahen, me tipa e karaktere mbi të cilët rëndon koha, sistemi dhe humnera dramatike e ndarjeve, jo vetëm të një fshati, të një shteti e sistemi shoqëror, po ca më ngushtë akoma, të së njëjtës familjeje a oborri shtëpie.
Pa qenë nevoja te flasim për tipat ‘e skalitur’ të këtij libri të Thanas Dinos, që zaptojnë tri kohë të ndryshme, shtete , sisteme shoqërore e, si pasojë edhe mentalitete krejt të ndryshme, vijme tek nje tendencë ‘telegrafike’ e romancierit, për t’i shprehur gjërat, si në një tablo me penelata ‘të trasha’ që ka brenda vetes refleksione të imta piktorike, ndijesi të holla, nëntekste që ‘brazdojnë’ deri në thellësi jetën e njeriut, në atë sens e koncizitet që nganjëherë e kërkon edhe koha. Po pikërisht, në këtë ‘trajektore’ që tenton të japë, në trajtën më të mundshme moderniste, bashkëkohore, në këtë panoramë kaq të gjerë e me trazirat më dramatika të kohrave, nuk ka qenë e mundur që të shpëtonte pa u ndjerë edhe fluiditeti e fragmentarizmi. Se, ngadonjëherë, dëshira për t’i thënë të gjitha, apo ‘futja brenda thesit’ e gjithçkaje që ka ndodhur brenda një shekulli, kur mbyllet faqja e fundit e këtij libri, është e pa mundur të të mos mbetet edhe njëfarë boshllëku. Prandaj edhe shkrimtari do të dallohet nga piktori, nga historiani, në ‘misterin’ e punës së vet, përmes shpirtit njerëzor, që është e mbetet, për t’i shprehur gjëma të tilla, po nga shpirti i tij, me format letrare, simbolet, figurat, po aq të ‘mistershme’, kur në fund të fundit, nuk vlejnë as ‘recetat e prera’, as ‘rregullat’ e krijimit letrar, po nuk e ke atë të bekuar: TALENTIN! E megjithatë, i pranojmë që të dyja këto vepra letrare, diametralisht të kundërta, edhe pse për lexues e studjues të ndryshëm do të ketë me siguri edhe mendime krejt të ndryshme…

Miho Gjini: Mbi romanin e Telemak Koçës ‘Në bregun përballë’

Please follow and like us: