Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Sazan GOLIKU

 PESHORJA

Mbi prushin e luftës pa krye, pa fund

Hyjneshë e Drejtësisë pa parë askënd

e ngriti peshoren:

Në krahun e zemrës vendosi në pjatë

kokën

e prerë

të Adem

Jasharit

– rrethuar me rreze e yje të artë.

 

Arin e botës derdhi në pjatën tjetër –

peshorja s’lëvizi.

Pastaj vendosi pa zili

Afërditën e gjallë të re e të vjetër –

peshorja s’u tund.

Atëherë plot dyshim vuri vetë jetën –

peshorja magjike sërish s’u lëkund.

Globin hodhi mbi pjatë Hyjnesha syzënë –

s’u ul që s’u ul pjata fatlënë.

 

Mbi sup të Hyjneshës qëndroi Liria:

“Më lërë – i tha – përballë kokës së tij

ta qaj me lot gjaku si gjithë  Shqipëria”.

 

Hyjnesha e bardhë e mbushur drejtësi

në pjatë e uli dhe… për habi

peshorja lëvizi… u barazua.

 

Koka e Ademit – në njërën anë në tjetrën – Liria.

 

 

 

XHAMAT E THYER

Atdhetarit çam Spiro Çallëka

 

Heshtja nuk ta shojë dot emrin

vrasja nuk ta vrau dot ëndrrën

mohimi nuk ta mbylli dot gojën

 

gojën

 që ligjëronte ëmbëlsisht:

 

Këtu çdo gur flet shqip

këtu çdo fije bari pëshpërit shqip

këtu çdo zog këndon veç shqip

këtu burimet gurgullojnë veç shqip…

 

Mbi rrjetën me gjemba të vdekjes

në shtratin e Prokrustit shoven

gjaku yt rridhte e thërriste:

Ky dhe quhet Dhe!

Perënditë këtë tokë e kanë pagëzuar

Shqiptare.

 

Me xhamat e thyer të syzeve të tua

shpirtcopëtuar e shohim

Çamërinë.

 

Please follow and like us: