Kujtim Mateli: Kënga e Luftës së Vlorës
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
…………………………………..
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, më të lumtë dora!
Poemë
Hyrje
1
Këngë moj, mbushe një shekull,
Siç linde ashtu ke mbetur.
Këngë me kryet përpjetë,
Këngë e viteve njëzetë.
Këngë e besës te flamuri,
Këngë ku rinohet burri.
2
Lakmi e zezë si katrani,
Ç`kërkon në Vlorë italiani!?
Itali syri me perde,
Pse i shkele këto vende!?
Mitraloz, bomba e topa,
Rënkon deti, rënkon toka.
KËNGA E PARË
1
-Këngë, ku janë ato fillime?
-Dukatit erë trëndeline.
Dukati dielli me rreze,
Çeli rrugën e një shprese.
Burra, gra çuar në këmbë,
Lidhur si malet e rëndë.
2
Maji ishte në të dalë,
Dyqind burra luftëtarë.
Dyqind burra flakë rrufeje,
Zemërimi gjer në deje.
Ishin trima s`i bën nëna,
Lindur për halle të rënda.
3
Mbledhur burrat te Kuvendi,
Trimërinë nuk e mban vendi.
Kuvend me status të lartë,
I jep Luftës Komandant.
Guximi në fron është ngjitur,
Shikon bijtë që ka lindur.
4
Gjiri Vlorës rrotull male,
Histori mijravjeçare.
Çika tempull për Hyjninë,
Pasaportë për lashtësinë.
Koha, kur e morëm zjarrin,
Të djegim armik qyqarin.
KËNGA E DYTË
1
Këngë moj, rritur në male,
Ku shkojnë vajzat si sorkadhe.
Burra rritur n`ato shkrepa,
Ku gjenezën ka legjenda.
Ku ka shkollën trimëria,
Ku ka vatrën krenaria.
2
Shushica valë argjendi,
Mbledhur burrat te kuvendi.
Flakë e zjarr mori lugina,
Kush i lindi ata trima?
Ç`qumësht u dhanë ato nëna,
Që thyen armët e rënda?
KËNGA E TRETË
1
-Këngë moj, valë Joniane,
Ç`u bën djemtë e asaj ane?
Ç`u bën djemtë e Çamërisë,
Që janë syri Shqipërisë?
-Ja, atje në Vlorë i kam,
Si fishekët në gjerdan.
2
Çamëri me plagë të rënda,
Shami zezat, ato nëna.
Një mbret me 40 milionë,
S’do të ik nga Vlora jonë.
Prit o mbret, ti gjeneral,
Me sy ta shikosh hatanë.
3
Zien urrejtja si vullkani,
Mbledhur barinjtë te stani.
Rinia uratën merr,
Pleqërisë i lë kopenë.
Tok me ta dhe djem të tjerë,
Rrugës Vlorës bëhen erë.
KËNGA E KATËRT
1
Këngë moj, kushtrim lirie,
N`ato male labërie.
Bie një fyell, mbledhur te kënga,
Ndizet zjarr stani dhe tënda.
Shkrep një armë e çelet dera,
Bëhen bashkë një mijë të tjera.
2
Labëri mali me borë,
Mblidhi djemtë e shko në Vlorë.
Vlorë e bukur, kryelartë,
Luftë ditë e luftë natë.
Koha nofull egërsire,
Na kërkon trojet ilire.
KËNGA E PESTË
1
-Këngë moj, me krahë shqiponje,
I njeh bijtë e asaj zone,
Ku shkon Vjosa me furi,
Ku plaku ndjehet i ri?
-Lanë fëmijët në gjumë,
Krenari Vlorës i shpunë.
2
O ju malet e Përmetit,
Ku është portë e Universit.
Kombit i dhe dijetarë,
Sypatremburit luftëtarë.
Bekuar qofsh moj Trebeshinë,
Ku vet Zoti ka shtëpinë.
KËNGA E GJASHTË
1
Vlorë moj si lule stralli,
Po vijnë bijtë nga Skrapari.
Janë të shumtë sa malet zgjohen,
Udhës Beratit shumohen.
Lavdi pastë kush lë shtëpinë
Dhe lufton për Shqipërinë.
2
Këngë moj, maja mbi male,
Këngë e Vlorës legjendare.
Aty bijtë e Toskërisë,
Flamurmbajtësit e lirisë.
Gjëmon deti dallgë e valë,
I çon Vjosa mijëra fjalë.
3
Mbi Gramoz-n`Apolloni,
Vende që bën histori.
Jeta, vdekja në një pe,
Bij të lindur për Atdhe.
Botë e keqe e lakmisë,
Priti bijtë e Shqipërisë!
4
Ç`janë ata? Nga larg po vijnë,
Mbi kuaj kaluan Shkumbin.
Lidhur në fjalë e në besë,
Këmbë armiku të mos mbesë.
Një merak e kanë në ballë,
Ta zënë Vlorën sa më parë.
KËNGA E SHTATË
1
Moj Evropë mbushur me dreqër,
Ç’të ka bëre ty kombi vjetër!?
Ç`qëllim ke, pse prish kufijtë,
Pse ia zgjat derrit turinjtë?
Pse s`i thua Italisë,
Ç`do bregdetit Shqipërisë!?
2
Moj Evropë, kafka pa mëndje,
Kush derdh gjak nën hijen tënde!?
Pse s`i thua grek mavrisë,
Larg nga jugu Shqipërisë!
Dhe ti serb, ngjitu përpjetë,
Lëria shqiponjës foletë!
3
I njeh Evropë këto vende,
Ku ke patur zemrën tënde!?
Vendi ku u lind Dodona,
Ku dritë morën vatrat tona.
Ku njeriu u bë njeri,
Me ligje në shoqëri.
KËNGA E TETË
1
-Këngë moj, fllad i lirisë,
Çu bë luani Salarisë?
-Mblodhi djemtë nga Tepelena,
Trimat si nëpër legjenda.
Vlorë moj po vjen Selami,
Vetëtimë mbi maja mali.
2
Ç`është ky lab kështu me huqe,
Topi bam ai bën tutje.
Ç`është ky lab me bij furtune,
Dridhen telat poshtë një gune.
Ç`është ky lab që s`di ç`është frika,
E kapi topin nga gryka.
3
Selam t`u largoft` e liga,
Balli burrërisë me çika.
Dridhet dheu, Vlora dridhet,
Në strofull bisha përdridhet.
Mos Selam.., mos bëj përpara!
…………………
Pjell` e keqe t’u shoft` fara!
4
-Vlorë moj, trimat ku vanë,
Ku e ke Selam Musanë?
-Te kënga e Labërisë
Dhe te zemra e rinisë.
Do t’i ruaj sa të jetë jeta,
Si yjet që ndrijnë mbi shkrepa.
KËNGA E NËNTË
1
U tërhoq deti nga bregu,
E pushoi këngën dyfeku.
Ish një djalë në male rritur,
Si shqiponjë kishte zbritur.
Po luftonte ball` për ballë,
Mbi llogoret me ushtarë.
2
Ç`oshëtin në breg të detit?
Luftojnë djemtë e Përmetit.
Rritur me libra në gji,
Librat që bën Shqipëri.
Thyhet,….. vdekje rrënjë dala,
Djemtë e Vjosës shkojnë përpara.
3
I pabesë fytyrë meiti,
Djemtë e Mallakastrës priti.
Pa guxo e para dil,
Ta pret kokën mor qafir.
Njeriu shkon e ndërron jeta,
Tek Atdheu rron e vërteta.
KËNGA E DHJETË
1
Shushica zinxhir argjendi,
Dridhen kodrat, gjëmon vendi.
Zjarr këtej e zjarr matanë,
Lufton biri me babanë.
Italian,… dru që s`ha pyka,
Po të vjen laku te gryka.
2
Në front gratë kanë shkuar,
Plagë trimash mbajnë në duar.
I lë burri amanet:
Ma rrit çupën siç je vet.
Ma rrit djalin për vatan
Dhe për luftë, dhe për stan.
3
Kotë e bardhë, tymi i zi,
Prapa topit vdekja rri.
Italian, shko futu brenda!
S`luftojnë armët, lufton zemra.
Do bëhet e jona Kota,
E jona, kur u lind bota.
KËNGA E NJËMBËDHJETË
1
Këngë moj, zgjuar më mban,
Më shpie larg e më sjell pranë.
Vargu yt zjarr i lirisë,
Është flamur` i Shqipërisë.
Është dritë në natë të keqe,
Është baruti për dyfeqe.
2
-Këngë moj, ç` thotë Kanina?
-Djem të zgjuar e burra trima.
E han armikun me dhëmbë,
E shkelin vdekjen me këmbë.
Si shqiponja mbi bedena,
Me gjak ilirian në vena.
KËNGA E DYMBËDHJETË
1
Këngë, ngjitu në kurorë,
Betejë e fundit në Vlorë.
Zjarr nga toka, zjarr nga deti,
Qafë thyer mbeti mbreti.
Këtej bijtë bien dëshmorë,
Andej vrasës dhe mizor.
2
Kënga para, në ballë burri,
Shtiza ku qëndron flamuri.
Në fshatra vetëm fëmia,
Njësh kolonë ecën liria.
Me flamur të kuq te dora,
Duke thirrur: Vlora! Vlora!
3
Komandant Qazim Koculi,
Përpara armiqtë i vuri.
Zëri i tij si bubullimë
I ndjek pas, përdhe i shtrin:
Bën vaki ktheheni prapë,
Ua përdredh qafën si patë!
4
Vlorë moj ç`u prenë ç`u grinë,
Liria me robërinë.
S`ishin pushkët, ishte zemra
Që mposhti armët e rënda.
Ishte Vlorë e Pavarësisë,
Fytyra e trimërisë.
MBYLLJE
1
Këngë moj, ç`shikon tek unë?
Jam si gjyshi në furtunë.
Këngë moj, qofsh e bekuar,
Me gjak trimash fjalët shkruar.
Mali, kodra, fusha, lumi,
Vendet ku i zuri gjumi.
2
Këngë moj, ç`kërkon nga unë?
Si ata mbetsha në gjumë.
Me flamur të kuq në dorë,
T`më rrinë malet si kurorë.
Përmbi krye qiell lirie,
Poshtë një copëz Shqipërie.
Maj-gusht 2020.