Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Meta dekoron 20 luftëtarë dhe komandantë të shquar të Luftës Kombëtare të Vlorës 1920

Në kuadër të përkujtimit të ngjarjes madhore historike të 100-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Tituj të lartë Nderi, disa nga luftëtarët dhe komandantët e saj më të shquar.

Në ceremoninë solemne të zhvilluar në “Sheshin e Flamurit”, në prani të Kryetarit të Kuvendit, SH.T.Z. Gramoz Ruçi, Kryeministrit, SH.T.Z. Edi Rama, autoriteteve vendore, deputetëve e përfaqësuesve të të gjitha forcave politike, si dhe të qindra qytetarëve vlonjatë e nga mbarë trevat shqiptare, Presidenti i Republikës çmoi (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Osman Haxhiu, Ahmet Lepenicën dhe Sali Vranishtin, ndërsa me Dekoratën “Nderi i Kombit” Halim Xhelon, Toto Hosin, Memo Bratin dhe Beqir Kaninën.

Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Kryetari i Shtetit vlerësoi Ibrahim Abdullain, Abdurrahman Çirakun, Arshi Dalanin, Sheme Sadikun, Rustem Çepanin dhe Muharrem Rushitin.

Ndërsa Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Presidenti Meta ua akordoi Ahmet Mukës dhe Nuredin Aliut.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” u vlerësua Halim Hamiti, Riza Kodheli, Xhem Misja, Zekije Krasta dhe Xhemal Shtylla (pas vdekjes).

Presidenti Meta, në fjalën e Tij me rastin e 100-vjetorit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike dhe kombëtare, u shpreh:

 Lufta e Vlorës e vitit 1920 ishte lufta më e vërtetë për Shqipërinë dhe ekzistenën e saj, ishte lufta që garantoi funksionimin e pavarësisë së shpallur nga Ismail Qemali. Ajo njihet si Lufta e Vlorës, por ishte lufta kombëtare për Shqipërinë, për mbrojtjen e integritetit territorial, për vendosjen e autoritetit të shtetit në të gjithë vendin, për ndalimin e planeve antishqiptare që vinin në pikëpyetje Pavarësinë e shpallur në 1912, por edhe kufijtë e njohur në 1913.

Lufta e Vlorës shpërtheu në një moment kyç në shkallë ndërkombëtare, për fatet e Shqipërisë dhe të popullit tonë. Atëherë kur të gjitha ushtritë ndërluftuese zbarkuan në Shqipëri duke shkelur me këmbë çdo pëllëmbë toke të këtij vendi.

Thirrja e Presidentit amerikan Wilson për të drejtën e popujve të vegjël për vetëvendosje dhe për t’u dhënë fund një herë e mirë traktateve të fshehta në dëm të tyre, ngjallën shpresa të mëdha edhe për shqiptarët.

Por çështja shqiptare vazhdonte të ishte e nënçmuar dhe paqartësia e së ardhmes së popullit tonë u bë edhe më e madhe se gjatë luftës, po të kemi parasysh se mbështetësja kryesore e pavarësisë sonë, Austro-Hungaria, ishte shpërbërë.

Vendin e ushtrive e zunë projektet e copëtimit të shtetit të pamëkëmbur shqiptar për interesa të ndryshme. Këto projekte nuk u pranuan nga komandantët dhe kapedanët e çetave dhe “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, dhe populli u ngrit më këmbë dhe u organizua për të luftuar si një trup i vetëm.

Vlora mori në duar fatet e veta. Dhe jo vetëm Vlora, por edhe Tepelena, Mallakastra, Himara, Korça, Dibra, Malësia e Mbi Shkodrës dhe gjithë Shqipëria.

Lufta e Vlorës është një luftë popullore dhe mbarëkombëtare kundër padrejtësisë. Njëherësh ajo është luftë për dinjitetin e shtetit të ri shqiptar, që duhej të qeverisej vetë, të kishte nën kontroll gjithë territorin, t’i njihej pavarësia, qoftë edhe duke i’u imponuar rendit të ri botëror, një rendi që nuk e pati jetën më të gjatë më shumë se sa dy dekada.

Shqiptarët kanë luftuar shumë për të mbrojtur të drejtat e veta, por edhe për të mirën e popujve të tjerë.

Lufta e Vlorës bën një dallim thelbësor nga historia e gjatë e luftërave, sepse ishte një luftë fitimtare.

Njëqind vjet më parë, për herë të parë që nga Shpallja e Pavarësisë, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes fitoi autoritet dhe kontrollin e plotë në të gjithë vendin. Kjo ishte një fitore historike. Më në fund Shqipëria u bë. U bë, në mënyrë të pakthyeshme dhe të pacenueshme.

Lufta e Vlorës krijoi modelin e mospranimit të sundimit të huaj, të ushtrive të huaja, të kufizimit të sovranitetit dhe të territorialitetit.

Lufta e Vlorës u dha fundin e merituar projekteve për shpërbërjen e Shqipërisë.

Populli i Vlorës mbrojti fitoret e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, vulosi moskthimin në shpërfilljen ndërkombëtare të popullit shqiptar, çimentoi Pavarësinë e Shqipërisë, rikonfirmoi statusin e tij si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, dëshmoi se ky vend ka zot dhe se zot i këtij vendi, dhe në rradhë të parë, është vetë populli.

Lufta e Vlorës është një model vetëorganizimi e vetëkomandimi, vullnetar por i disiplinuar, atdhetar por me njohje të rreptë të ligjeve ndërkombëtare të luftës.

Vlora ia ka ngritur kryet Shqipërisë në ditët e saj më të vështira. Ndaj, me të drejtë poeti ynë i madh Ali Asllani shkruan:

‘Ja do mbetet Vlora jona,
ja do bëhet shkrumb e hi.’

Sot nderojmë ushtrinë popullore që çliroi Vlorën, kapedanët që e komanduan, mjekët që shëruan plagët e të dëmtuarve, gjyqtarët që dhanë drejtësi, atyre që hartuan ultimatumin dhe atyre që e zbatuan atë me gjakun e tyre.

Vlerësojmë e nderojmë kontributin e jashtëzakonshëm të grave në këtë luftë çlirimtare, në krah të burrave.

Kujtojmë dhe vlerësojmë ndihmesën e diasporës sonë shqiptare në Amerikë, e cila pati dhe ajo një rëndësi shpëtimtare. Atdhetari i madh dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë, Fan Noli, e bindi Presidentin amerikan Wilson, mik të Shqipërisë, kur deklaroi se: ‘Amerika është pro Shqipërisë, ajo nuk do të preket dhe nuk do shpërbëhet!’ Një mirënjohje kombëtare kjo, që nuk duhet harruar kurrë!

Lufta e Vlorës do të mbetet modeli i reagimit intuitiv të vetëdijes atdhetare të shqiptarëve në momentet më kritike të ekzistencës së tyre si komb dhe si shtet, duke treguar se kur populli i merr në dorë fatet e veta ato janë të sigurta.

Por jo vetëm kaq, Lufta e Vlorës u kthye edhe në një burim frymëzimi dhe vetbesimi për popullin shqiptar në betejat e mëvonshme.

Të mos harrojmë se vetëm 22 vite më pas, jo larg nga këtu ku jemi mbledhur sot, 4 djem të rinj vlonjat bënë një histori të jashtëzakonshme, 4 heronj, 4 njëzetë vjeçarë kundër 400 fashistëve, këtu afër në lagjen Topana, një shtëpi e thjeshtë u kthye në një kala të pamposhtur.

Aredin Bylyshi, Murriz Sejlami, Bajram Tushi dhe Iqmet Buzi ranë heroikisht pikërisht sepse ishin të ngritur me krenarinë që Lufta e Vlorës u dha shqiptarëve dhe me ndjenjen e mbrojtjes së lirisë me çdo kusht me çdo çmim, ashtu sikurse djali i Vlorës Perlat Rexhepi së bashku me dy shokët e tij, Branko Kadinë dhe Jordan Misjen, do të shkruanin një nga epopetë më të lavdishme të Luftës Antifashiste në Shkodër, atë të tre heronjve të Shkodrës me gjakun e tyre.

Lufta e Vlorës edhe sot është jo vetëm një krenari historike, por është përcaktuar si një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë, por edhe simbol i qëndresës së popullit të Vlorës dhe popullit shqiptar ndaj çdo projekti sundues, duke i treguar mbarë botës se ky vend ka zot, se zot i këtij vendi është vetëm populli shqiptar, se sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar.

Nderim dhe mirënjohje të thellë për të gjithë patriotët, trimat dhe kapedanët që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, të cilët na kanë lënë si trashëgimi mesazhin e përjetshëm, që vleu dhe një shekull më parë, që vlen ende sot e që gjithmonë do të jetë i vlefshëm në të ardhmen, se në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë kurdoherë Shqipërinë, atdheun tonë, e aq më tepër këtu në Vlorën ku siç shkruan poeti i madh Ali Asllani:

“Jam vlonjat jam trim me besë rreth flamurit di të vdes, o me lir o me pahirë unë do të rroj i lirë”.

Ndaj, çdo 3 Shtator dhe çdo 28 Nëntor çdo shqiptar kudo ndodhet ndihet edhe vlonjat sepse këtu në Vlorë u bë historia, këtu u ngrit flamuri, këtu u nënshkrua liria, këtu u jetësua Pavarësia dhe kjo ndodhi me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke.

Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të Luftës së Vlorës dhe të kombit tonë!

Please follow and like us: