Albspirit

Media/News/Publishing

PIKTURA SI NJË POEZI E HESHTUR PËRMES NGJYRAVE DHE MOTIVEVE

Piktorja Besa Dauti, kuratore dhe udhëheqëse e sektorit artistik në Institucionin Nacional në Galerinë e Arteve Pamore Tetovë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, artin si forcë krijuese dhe emancipuese në shoqëri. Me Besa Dautin bisedoi gazetari i Diellit, Sokol PAJA.

TRËNDAFILI NË KRIJIMET ARTISTIKE, MISTICIZMI.

Në jetën time profesionale jam kujdesur gjithmonë që me artin tim të përcjell vlera dhe pozitivitet. Kam zgjedhur trëndafilin si një formë komunikimi e cila gjithmonë në thelb të saj ka mesazhin e dashurisë, anën njerëzore, ëndërrat, vështirësitë, këmbënguljen. Trëndafili shpreh simbolika të caktuara duke i dërguar sipas rastit të dashurve tanë mesazhet e paqes, dashurisë dhe lumturisë. Misticizmi i  trëndafilit qëndron në aftësinë e tij për të kamufluar nën petkun e një ngjyrë të caktuar një mesazh, ashtu si njeriu edhe trëndafili duron diellin, duron shiun. Kjo më ka bërë mua të jem një adhuruese e trëndafilit duke e bërë pjesë të jetës time artistike e cila më mbush me pozitivitet. Trëndafili në veprat e mia është një manifestim special i një ndjesie time të caktuar me publikun. Ky korelacion e ka bërë të bukur marrëdhënien tonë dhe pranueshmëria që më është bërë nga artdashësi im më ka motivuar të emetoj të gjithë ndjesinë time në pikturat e mia. Mundohem të ruaj këtë vrull krijues me veprat e mia dhe ti jap vetes dhe të gjithëve lumturi që nuk krahasohet me asgjë. Ka një thënie: Për piktorin e vërtetë më e vështirë është të pikturojë një trëndafil pasi së pari duhet të harrojë të gjithë trëndafilat që janë pikturuar ndonjëherë.

ARTI, FORCA QË CIVILIZON SHOQËRINË

Unë besoj shumë në fuqinë e artit për të bashkuar dhe jo për të ndarë, për të dashur dhe jo urryer, për të mbjellë paqe dhe jo luftë, për të pranuar ndryshimin dhe jo margjinalizimin e askujt. Kjo është forca  e artit e cila nuk mund të krahasohet me asnjë lloj force tokësore në botë. Përfitimet që vijnë si rrjedhojë e edukimit me artin janë një kultivim i gjeneratave të reja me aftësinë për të përqafuar të bukurën duke arritur të ruajnë një raport shumë të drejtë me tradicionalen. Përmirësimi i gjykimit dhe rritja e aftësisë krijuese tek njerëzit dhe brezat e rinj bën që ata të jenë më kreativ dhe mendjehapur duke dhënë një kontribut të paçmuar në vijimësinë e civilizimit të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj tonës në veçanti, dhe kjo është ideale për mendimin tim. Mënyra se si e përjetojmë botën, e cila për çdo piktor është një shtrirje e personalitetit, diçka më personale e asaj që shprehim nëpërmjet ngjyrës dhe motivit e cila është një poezi e heshtur dhe vetëm shikohet.

DEPËRTIMI TEK PUBLIKU SI SFIDË ARTISTIKE

Arti është sinonim i të bukurës dhe patjetër tek ne shqiptarët që kemi qënë të privuar në njëfarë mënyrë në manifestimin e të gjitha ndjesive të brendshme në vepra të ndryshme artistike,  kjo ka bërë që veçanërisht në këto tri dekadat e fundit ta duam më shumë artin. Nuk  mund të them që kjo na ka trazuar rrugën ne artistëve sepse njëkohësisht ndryshimet shoqërore, të shpejta dhe te dhunshme bënë që përballë sfidave të reja arti të ishte shumë luks, por ajo që desha të theksoj konsiston në artdashurinë e shqiptarëve për të marrë mesazhin e artit.

PIKTURA SI KOMUNIKIM I NGROHTË ME PUBLIKUN

Edukimi i hershëm artistik ndikon në rritjen e aftësisë së pari për ta njohur artin dhe më pas për të marrë mesazhet e tij. Mesazhet që përcillen përmes artit krijojnë tek artdashësi një komunikim i cili ndikon në mënyrën e konceptimit të gjërave. Kjo ka bërë të mundur që tek njerëzit të përcillet mesazhi i tolerancës, të kuptohet që nëpërmjet kreativitetit mund të lësh një gjurmë të mirë e cila do kontribuojë në komunitetin ku jeton apo do të jetojnë. Aftësia përceptuese fitohet duke kuptuar dhe edukuar mesazhin e ngjyrave. Së fundmi në ekspozitat e mia mund të them që kam vërejtur që njerëzit gjithnjë e më tepër kanë simbolikat e ngjyrave, pra kjo tregon që një koncept minimalist por një hap pozitiv në njohjen e artit dhe mesazhit të tij. Jam shpesh edhe një vëzhguese e mprehtë e botës,mjedisit të përditshëm qoftë e mirë apo dëshperuese, ku nxjerr çdo herë më të mirën dhe stimulohem nga situatat që më frymëzojnë qoftë edhe diçka shumë e vogël apo e thjeshtë sepse mbi të gjitha një vepër arti është një aventurë e mendjes.

MESAZHET MË TË FORTA SI ARTISTE

Mesazhet e pikturave të mia konsistojnë në një përzgjedhje të kujdeshme të ngjyrave në mënyrë që energjia e përgjithshme e një pikture të dominohet nga mesazhe pozitive. Nuk mund të them që janë ngjarje të caktuara që  më ndikojnë në punën time artistike. Është një gjë që e bëj me pasion dhe në mënyrë periodike, është një nevojë e një grumbullimi të caktuar ndjesish të cilat krijohen nga një botë e imja artistike dhe nevojës që ato të materializohen në pëlhurë duke nxjerr kështu një vepër të caktuar, e cila deri tani faleminderit Zotit dhe publikut tim ka qënë shumë motivuese për të më ndihmuar në rrugën time. Kur nis të pikturoj jam gjithmonë e qetë por nëse ndonjëherë jam e dëshpëruar nga shumë faktorë, është ngjyra pika ku tërhiqem plotësisht nga bota e jashtme, është kënaqësi e papërshkrueshme kur sheh ngjyrat e këndshme si shkëlqejnë në pëlhurë.

MOTIVET JETËSORE FRYMËZUESE

Krijimtaria ime ushqehet në vazhdimësi nga përditshmëria ku gjithnjë përpiqem të marr më të mirën e mundshme nga ambienti dhe njerëzit që më rrethojnë. Për punën time diçka shumë pozitive është fakti që kur ndodhem në një gjendje të caktuar shpirtërore i vetmi shpëtim është brusha e cila më bën të futem në botën e pikturës duke u harruar nga çdo energji negative. Nëpërmjet ngjyrave mund të shpreh rrëmujën apo qetesinë e brendshme e cila fillon në disa raste me diçka konkrete dhe më pas e gjej veten të fluturuar në kohë dhe me një punë të avancuar goxha. Kjo më bën ta dashuroj punën time dhe mund të them pa frikë që nuk është puna ime por jemi një, pra jetoj për ta bërë këtë art.

RAPORTI DRITË-ERRËSIRË, JETË-VDEKJE NË PIKTURË

Në punën time jam udhëhequr gjithmonë nga jeta dhe drita. Ngjyrat që përdor në vijimësi janë të ëmbla dhe të këndshme që përcjellin vetëm pozitivitet. Përpjekja është që ti jap sa më shumë që të jetë e mundur ngjyra jetës dhe të bukurës që na rrethon. Të gjitha fenomenet negative të cilat na rrethojnë në ditët e sotme besoj që janë më se të mjaftueshme për krijimin e nje sinergjie e cila fatkeqësisht dominohet nga intoksikimi i shoqërisë. Prandaj kontributi i punës sime është gjithmonë në ekspozimin e të bukurës së jetës. Nuk është kaq e thjeshte por këtë bëj dhe do bëj gjithmonë sepse besoj është ajo çfarë kanë më shumë nevojë njerëzit.  Bukuria e jetës që na rrethon është shumë atraktive dhe duhet me patjetër të marrim më të mirën e mundshme prej saj.

HAPËSIRA E ZOTIT NË KRIJIMTARINË ARTISTIKE

Zoti për mua është forca e brëndshme e cila na jep fuqi secilit sipas nevojave që kemi. Unë jam shumë e kënaqur që marr forcë nga besimi në Zot dhe mbështetje sa herë që jam me një moral te ulët. Si çdo njeri edhe unë kam ulje ngritjet e mia dhe besimi më ka bërë një njeri më të plotë, më të ndjeshëm, më njerëzore. Pra mendoj që besimi në Zot na bën ne njerëzve minimalisht më të mirë, më të kuptueshëm, më kreativ dhe për rrjedhojë më të suksesshëm.

MESAZHI JUAJ PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Ju falenderoj shumë për këtë intervistë duke më bërë pjesë të dritares suaj shumë të rëndësishme të komunikimit me publikun. Jam shumë krenare kur dëgjoj, shikoj apo përjetoj momente të cilat tregojnë që ne shqiptarët kur jemi të bashkuar nuk reshtim së prodhuari suksese të cilat lartësojnë dhe nderojnë emrin e shqiptarëve anë e mbanë globit, por edhe çojnë përpara amanetin e të parëve tanë për një Shqipëri dinjitoze për të gjithë shqiptarët. Ju jeni një ndër këta kontribues të heshtur me një punë jashtëzakonisht të vlerësuar.

KUSH ËSHTË BESA DAUTI

Besa Dauti ka kryer studimet te Universiteti i Arteve të Bukura, dega Pikturë. Tetovë, Maqedonia e Veriut. Besa Dauti eshte Kuratore dhe Udhëheqëse e sektorit artistik në Institucionin Nacional në Galerinë e Arteve Pamore, Tetove.

PIKTURA SI NJË POEZI E HESHTUR PËRMES NGJYRAVE DHE MOTIVEVE

Please follow and like us: