Alda Bida: “Miss Shqipëria 2020”, sfida e bukurisë ndaj pandemisë
Intervistë me skenaristen e spektaklit, Alda Bida
CMG: Spektakli më i madh i bukurisë shqiptare “Miss Shqipëria” në edicionin e sivjetëm sfidoi pandeminë Covid 19. Si drejtues të këtij spektakli si arritët ta zhvilloni në atmosferën shqetësuese të shtimit të rasteve me koronavirus? Çfarë masash morët për garantimin e shëndetit të vajzave konkurruese dhe stafit tuaj?
Alda Bida: Përzgjedhja e konkurrenteve u zhvillua në dy faza online me fotografi dhe Skype, apo xhirime të realizuara nga vetë pjesëmarrëset dhe pjesa e dytë me audicione të hapura në datat 9 deri në 12 qershor. Kjo ishte një periudhë gjatë të cilës në studion e TV Klan mbi bazë të përllogaritjes së sipërfaqes u caktuan sa persona mund të qëndronin. Pjesëmarrëset në audicione përpara se të hynin në studio kryenin procedurën e matjes së temperaturës, dezinfektimin me alkool, anëtarë të stafit gjatë gjithë kohës mbanin maskat dhe dorezat të cilat i ndërronin çdo 2 orë. Pas përzgjedhjes së 26 konkurrenteve( ndryshe nga vitet e tjera që kanë qënë 31 pjesëmarrëse, pasi nuk morën pjesë vajzat nga diaspora), stafi u përpoq që të krijonte kushtet e distancimit, në prova, në aktivitete dhe mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura. U kufizuan lëvizjet ndërqytetase, duke u përqëndruar në Tiranë, Durrës dhe Lushnjë.
Dukej sikur stafi dhe konkurrentet ishin një familje e vetme për gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të eventit. Në të gjitha rastet matja e temperaturës, maskat dhe distancimi social ishin ritual i zakonshëm. Ne shqiptarët kemi shprehjen “Ruaju që të të Ruaj!” Moto e Miss Shqipëria 2020 ishte “Besojini ëndrrave, dashurisë dhe kujdesuni për veten…..jeta vazhdon!” Për gati më shumë se një muaj vajzat e përzgjedhura u angazhuan me provat, xhirime e photoshooting.
Për shkak të pandemisë, duartrokitjet ishin të regjistruara…komunikimi në distancë… Publiku i kufizuar u ul në karrige me një metër e 20 cm distancë, në hyrje iu mat temperatura dhe u dezinfektuan.
CMG: Për 21 vite “Miss Shqipëria” është zhvilluar në monumentet më të bukura të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i promovuar ato. Përse sivjet u zgjodh Shtëpia e Kongresit të Lushnjës?
Alda Bida: Prej vitesh, atje ku ka një kujtesë historike, një vlerë arkitekturore për t’u rizgjuar e rikujtuar është Miss Shqipëria që udhëton çdo vit për të bërë bashkë bukurinë dhe kujtesën historike të vendit të shqiponjave.
Ideatori dhe protagonist i këtij eventi Petri Bozo, vendosi ta zhvillonte spektaklin “Miss Shqipëria”, këtë vit në qytetin e të parëve të tij, si një homazh për të gjithë banorët e qytetit të Kongresit e të zonave përreth, për patriotët që i dhuruan kombit shqiptar pa kushte veten e tyre….Për të thënë gojëplot se rrënjët janë shenjtërimi i një kombi, por edhe i çdo individi. Mos harro nga vjen që të kuptosh ku dëshiron të shkosh, beso në ëndrra e hape shpirtin, dhuro dashuri!
Ky ishte viti i 100 Vjetorit të Kongresit të Lushnjës dhe kjo mjaftonte që të merrnim vendimin për ta zhvilluar eventin në këtë vend me vlerë për historinë e shtetformimit shqiptar.
“Deliart Association” beson tek dashuria e kujdesi ndaj njëri -tjetrit, me shumë përkushtim, pa asnjë hezitim u angazhua që pikërisht aty ku 100 vjet më parë u shpall parlamenti i parë shqiptar të mblidhte dhe organizonte eventin për të shpallur më të bukurën e Shqipërisë.
CMG: Në traditën e “Miss Shqipërisë” ka patur pjesëmarrje vajzash jo vetëm brenda vendit, por dhe nga diaspora. Sivjet ndikoi mungesa e vajzave nga diaspora në konceptimin e spektaklit?
Alda Bida: E ndjemë mungesën e pjesëmarrjes së vajzave shqiptare nga Diaspora, por kjo nuk e ndryshoi konceptin e spektaklit.
Pjesëmarrëset e konsideruan “Miss Shqipërinë” si një eksperiencë dhe ndoshta ka qenë ndër vitet ku të gjitha konkurrentet ishin jo thjeshtë vajza të bukura, por të shkolluara, të mençura e me synime të qarta për atë çfarë donin të realizonin në të ardhmen.
Mes konkurrenteve ishte edhe një 17 vjeçare shqiptare Aleksia Taçi, e cila fliste dialektin mandarin. Po kështu një tjetër konkurruese ishte Ines Kasemi e cila kishte mbaruar studimet në Universitetin austriak të Gracit dhe po mësonte gjuhën kineze. Një vajzë tjetër shqiptare Ornell Karruku, e lindur në Gjermani kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri për të bërë shkollë make-up e parukiere.
Ka qenë vërtet impresionuese që testi i inteligjencës i realizuar nga Universiteti që ofron dy bursa të plota studimi për “Miss Inteligjencën” dhe për fituesen e Kurorës, është konsideruar i nivelit më të mirë në vit, për konkurrencën e fortë që kishte kur u korrigjuan testet. Ambientet e zhvillimit të testit apo edhe të aktiviteteve gjithnjë ishin në vende të hapura, në natyrë.
CMG: Kompania Deliart Association përveç “Miss Shqipërisë” ka organizuar spektakle të tjerë këtë vit? Në projektet e ardhshme do të guxoni sërish, apo do të përshtateni në platforma digjitale?
Alda Bida: Festivali i Videoklipit këtë vit ishte eventi i parë në kushtet e pandemisë. E ndërtuam strukturën, që të ishte vetëm digjitale dhe të 8-të programet prezantuese të klipeve konkurruese ishin të tilla. Më 20 qershor Deliart kaloi një provë tjetër të fortë me Pandeminë në zhvillimin e Festivalit të videoklipit në Ulqin, ku morën pjesë shumë artistë prodhues të videoklipeve dhe këngëtarë. Sipas protokollit të shtetit të Malit të Zi i gjithë aktiviteti u zhvillua mbi bazë të mbikëqyrjes dhe distancimit social në ambient të hapur në molin e Kalasë së Ulqinit. Ne ishim përgatitur që edhe natën Gala ta realizonim po njësoj, por situata e karantinimit përfundoi dhe më 1 qershor ne nisëm organizimin e finales sipas protokollit të shtetit të Malit të Zi dhe të Shqipërisë finalen në Ulqin. Nata Gala e Festivalit u mbajt nën mbikëqyrjen e rreptë të shtetit malazez në qytetin e Ulqinit dhe pati një sukses të madh, u transmetua në tre televizione shtetërore në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Munguan artistët e Maqedonisë së Veriut të cilët nuk mund të hynin për shkak të rregullave në territorin e Malit të Zi. Por munguan fizikisht sepse mesazhet e tyre dhe dhënia e çmimeve për ta u realizua falë teknologjisë.
Pothuajse një muaj më pas në 18 korrik zhvilluam Miss Shqipërinë sigurisht në kushte shumë të rrepta sipas protokollit dhe deri më tani askush nuk është sëmurë.
Ne jemi duke u përgatitur për “The Miss Globe” që është një event botëror, kemi dy variante të organizimit(Platforma të ndërtuara) dhe kjo do të merret vesh në muajin tetor se si do të jemi me një natë Show si dy eventet e tjera apo në platformë digjitale.
Është një nga ëndrrat tona që “The Miss Globe” ta realizojmë në Kinë e ndoshta pak nga pak dhe bashkë do të mundemi!
Jeta vazhdon dhe duhet të besojmë fort se ilaçi më i mirë është dashuria dhe kujdesi për veten dhe ata që na rrethojnë.
Puna është formula që vë mendjen në lëvizje, për të qenë pranë me ata që vlerësojnë artin dhe shpirtin krijues… Deri tani ia kemi dalë!
Intervistoi Eda Merepeza.
http://albanian.cri.cn/china_today/more/3113/20200727/513552.html