Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Bislim Ahmetaj: Unë i thashë Presidentit!

 

Faleminderit për kohën dhe predispozitën tuaj për të na pritur dhe dëgjuar për një çeshtje kaq sensitive dhe delikate siç është marrëveshja e ujërave të Jonit me Greqinë.

Ne që jemi sot në këtë takim me Presidentin e Republikës nuk mund ta provojmë që jemi më patriotë se shumica e shqiptarëve, por ndoshta jemi pak më guximtarë, pak më kurajozë, më të lirë, të pakapur dhe më të përgjegjshëm.

Arsyeja kryesore pse jemi sot tek ju është shurdhëria e institucioneve shtetërore për çështjen e ujërave territoriale me fqinjin tonë jugor.

Para një jave i kërkuan Kryeministrit të vendit nga Sheshi ‘Skënderbej’, i cili ironikisht është edhe Ministër i Jashtëm të informonte zyrtarisht shqiptarët për negociatat që qeveria shqiptare ka bërë për këtë çështje.

I kërkuam gjithashtu të bënte publike bisedën që ka pasur me Ministrin e Jashtëm të Greqisë.

I kërkuam të bënte publike qëndrimet e qeverisë shqiptare për projektin e shpallur në parlamentin grek nga kryeministri Mitsotaqis.

Si përgjigje nga Kryeministri dhe njëkohësisht Ministër i Jashtëm morëm shantazhimin, anatemimin, sarkazmën dhe ironinë bajate nëpër rrjetet sociale dhe nëpër takime publike siç ishte edhe rasti i djeshëm gjatë përkujtimit të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës.

Është e frikshme dhe e turpshme për një vend sovran si ky i yni që e ka humbur besimin tek kryeministri i vendit deri në atë masë sa shoqëria civile, veprimtarët socialë dhe patriotët t’i drejtohen dhe të kërkojnë ndihmën e Presidentit të vendit për të mbrojtur Atdheun nga qeveria e vet.

E di që jemi në kushte dhe rrethana absurdi, por e vërteta na tremb, ndaj jemi edhe të shqetësuar.

Ai, kryeministri i vendit tim na ka vertetuar botërisht që ishte i përfshirë në aferën e shkëmbimit të territoreve të Kosovës me Serbinë (!)

A nuk u vërtetua që Kryeministri Rama u angazhua dhe u investua si krahu i djathtë i Presidentit serb Vuçiç në gjoja Shengenin Ballkanik duke shmangur dhe injoruar Kosovën (!)

A nuk ishte Kryeministri ynë që vetëm para pak ditësh shkeli haptazi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë duke i bërë thirrje qytetarëve të Malit të Zi për të votuar partinë e gjoja mikut të tij Millos, duke injoruar faktorin shqiptar, të cilin e ka detyrim kushtetues, gjithashtu duke shkelur çdo standard dhe normë diplomatike si drejtues radhës i OSBE/ODHIR-it( !)

Këto dhe shumë arësye të tjera e kanë bjerrur dhe fshirë besimin se Kryeministri i vendit tonë mbron interesat e shqiptarëve.

Ndaj NE kërkojmë nga ju zoti President, si garant i Kushtetutës, si kryetar i shtetit që të përdorësh çdo mundësi që ta njeh ligji dhe kushtetuta e vendit që shqiptarët së paku të informohen lidhur me këto çështje:

  1. Të bëhet publike dhe të botohet të paktën në tri gazeta me shpërndarje kombëtare marrëveshja e nënshkruar nga qeveria e Partisë Demokratike.
  2. Të bëhet publik me të njëjtat kushte botimi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anullimin dhe pezullimin e asaj marrëveshje. (Arsyeja pse duhen publikuar këto dy dokumeta është e thjeshtë, 99% e shqiptarëve s’kanë asnjë dijeni për to veç thashethemnajës dhe tymnajës propagandistike për t’i fshirë nga kujtesa njerëzve).
  3. Të bëhen publike dhe të botohen negociatat e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë me atë të Greqisë të kohës kur ministër i Jashtëm ishte z. Ditmir Bushati.
  4. T’i kërkosh Kryeministrit të bëjë publike në zbatim të ligjit për informim bisedën telefonike me Ministrin e Jashtëm të Greqisë si dhe axhenta e vizitës së tij të lajmëruar në Shqipëri.
  5. T’i kërkosh qeverisë shqiptare transperencë të plotë për këtë marrëveshje sensitive që Shqipëria të mos përdoret si “bedel” apo precedent për kufijtë detarë të Greqisë me Turqinë apo vende e tjera. Pasi vendi ynë është përdorur mjaftueshëm në histori si shembull dhe urë për përfitimet e vendeve të tjera.

Greqia është një vend mik, një fqinj ku jetojnë gati një milion shqiptarë, por kjo nuk duhet të përbej precedent apo shkak që politikanët shqiptarë, për hir të karriges së pushtetit, të falin det apo të bëjnë bedelin për precedentë diplomatiëk për vende të tjera të rajonit.

Ndaj ne kërkojmë angazhimin tuaj të fuqishëm kushtetues para se Kryeministri të na vëjë para fakteve të kryera.

E kërkojmë këtë angazhim tuajin si një detyrim kushtetues, por edhe si një sprovë tuajën personale si politikan karriere me përvojë.

Please follow and like us: