Hafize F. Elshani: Unë dua që të vijë një kohë…
Unë dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua të mos ndjejë ankth kur niset për në gjinokologji për të lindur… pa patur frikë se nga pakujdesia e personelit mjekësor, ta pësojë foshnja me jetë.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua mos të ndjejë ankth të dërgojë fëmijët e saj në çerdhe… pa patur frikë se aty mund t’i keqtrajtojnë ata që janë të obliguar të kujdesen për fëmijët.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua mos të ndjejë ankth kur afër fëmijëve të saj afrohet ndonjë burrë… pa patur frikë se ai mund t’i rrëmbejë.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua mos të ndjejë ankth kur fëmija i saj për X arsye mbetet vetëm me ndonjë burrë/grua të rritur në ndonjë ambient… pa patur frikë se mund të bëhen viktimë të pedofilëve.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua të mos ndjejë ankth kur vajzat e tyre adoleshente të fillojnë të rriten… pa patur frikë se burra perversë do i ngacmojnë në shkolla, në rrugë, në parqe e kudo tjetër.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua të mos ndjejë ankth, kur fëmijët e tyre janë jashtë shtëpisë… pa patur frikë se dikush mund t’i bullizojë ato dhe fëmijët t’i bëjnë keq vetes për këtë arsye.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua të mos ndjejë ankth të përcjellë vajzën e saj në studime më të larta… pa patur frikë se ajo do ngelet pa kaluar provimet sepse profesorët do e shantazhojnë të kryejë favore perverse në këmbim të provimeve.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua të mos ndjejë ankth kur vajza e saj të dashurohet e martohet me atë që ia do zemra… pa patur frikë që ai mund të jetë personi që do ia ndalojë të rrahurat e zemrës, vajzës së saj.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua mos të ndjejë ankth kur vajza e saj të shkojë të denoncojë dhunën, ngacmimin, shantazhet që ia bëjnë… pa patur frikë se vajza do përballet me ngacmime nga policët.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua mos të ndjejë ankth, kur vajzat e tyre do kërkojnë punë… pa patur frikë se ‘shefat’ e punës do i kërkojnë favore seksuale në këmbim të punësimit apo rritjes së pagës.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua të mos ndjejë ankth kur vajza e saj të dalë jashtë shtëpisë… pa patur frikë se dikush mund ta rrëmbejë, ta përdhunojë, apo ta vrasë.
Dua që të vijë një kohë, kur asnjë grua të mos ndjejë ankth, të mos ndjejë frikë, të mos ndjejë shtrëngim gjoksi, të mos ndjejë mërzi… kur kupton që po sjell në jetë një vajzë, sepse secila grua e di që bota është treguar gjithmonë kaq e egër dhe e keqe ndaj vajzave dhe s’do që pjesa e zemrës së saj që sjellë në jetë të përfundojë e nëpërkëmbur, e shantazhuar, e ngacmuar, e bullizuar, e përdhunuar, por as e vrarë, nga kjo botë e mbushur me kaq shumë njerëz të pa njerëz.