Ardhmëria e Kosovës u firmos në Washington e do të vuloset në tokën e shenjtë në Bethlehem dhe Vatikan
Marrëveshja historike Kosovë-Serbi u firmos në kryeqytetin e SHBA-së që mban emrin e Xhorxh Washingtonit të madh, konstruktorit gjenial të shtëpisë së lirisë së popujve, udhëheqësit të pavarësisë së këtij Kombi të madh, i cili prej me mëse një shekulli ka përcaktuar kthesat e mëdha historike të njerëzimit në rrugën drejt lirisë e demokracisë, drejt asaj që është quajtur me të drejtë ëndrra amerikane.
Presidenti i SHBA Donald Trump, ai që udhëheqësi i rilindjes në Shqipëri e pati cilësuar para katër vitesh si një rrezik për njerëzimin sigloi dy fitore spektakolare në politikën e jashtme amerikane, marrëveshjen arabo- izraelite dhe atë mes Kosovës dhe Serbisë.
E të mendosh se kur ai erdhi në krye të Shtëpise së Bardhë flamuri i zi i ISIS-it valvitej fitimtar në Lindjen e Mesme e terroristët e tij shfaqeshin në ekrane duke prerë me shpata dhe hanxharë koka njerëzish si në kohën e hordhive barbare të Xhengis Khanit, e në anën tjetër diktatori i emëruar Kim Jongu i Dytë lëshonte papushim raketa me rreze të gjatë veprimi duke kercënuar vetë SHBA- në.
Mposhtja e ISIS-it.
Futja në kafaz të hekurt të Kim Jongut të Dytë.
Nënshkrimi i marrëveshjes së paqes në Lindjen e Mesme.
Nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për të paqtuar Ballkanin janë suksese të jashtëzakonshme në një periudhë të shkurtër.
Ky triumf spektakolar celebron doktrinën e tij të lirisë në dy nga rajonet që kanë gjeneruar luftëra e konflikte të përgjakshme, duke rrezikuar jo pak herë një konflikt të përmasave të frikshme globale.
Presidenti Kenedi në fjalimin e tij para perdes së hekurt të Berlinit u tha të pranishmëve shprehjen lapidare: “Unë jam Berlinez”.
Donald Trump me prezencën e protagonizmin e tij të djeshëm në Zyrën Ovale i tha në heshtje kryeministrit të Kosovës e mbarë botës: “Unë jam shqiptar”.
Përtej këtij fakti nëse Presidenti Klinton konsiderohet çlirimtar i Kosovës.
E Presidenti Bush tha në Tiranë në vizitën e tij historike: “Pavarësi sot për Kosovën, nesër është vonë”.
Donald Trump e bëri institucional luftën e drejtë të UÇK- së së lavdishme dhe ndërhyrjen e NATO-s, por e çliroi edhe vetë Serbinë nga ëndrra e saj shoviniste serbomadhe, nga gënjeshtrat e marria e saj për të bërë rolin e viktimës e për t’u paraqitur në arenën ndërkombëtare si një komb i përsekutuar nga perëndimi dhe SHBA- ja.
Së shpejti pritet që Izraeli të njohë pavarësinë e Kosovës. Ky akt do të bëjë përfundimisht të pakthyeshme rrugën drejt ardhëmërisë e antarësimin në OKB dhe në Nato të Kosovës Dardane.
Simbolika e njohjes së Kosovës nga Shteti i Izraelit i tejkalon kufijtë e diplomacisë.
Izraeli është toka e shenjtë dhe e premtuar e Kombit të zgjedhur të Zotit.
Aty prehen eshtrat e profetëve të njerëzimit dhe aty sipas Librit të Shenjtë do të bëhet ringjallja e atyre që i besuan Krijuesit dhe gjyqi i fundit i botës.
E nëse toka e Izraelit është e bekuar nga varret e profetëve, qielli i Kosovës dhe i shqiptarëve shendrin nga drita e pashuar e shenjtorëve tanë, dritë që ndriçon pesë kontinetet.
Shën Kostandini e Shën Elena që e ndërtuan Varrin e Kishën e Jezu Krishtit në tokën e shenjtë.
Nga Shën Jeremia e deri tek Shën Tereza janë emblemat hyjnore të Kombit Shqiptar, i cili ashtu si hebrejtë ka kaluar përsekucione, kalvar të mundimshëm dhe është ballafaquar me programe dhe ideologji që kanë synuar shfarosjen e tij.
Njohja e Kosovës nga Izraeli, nga ky popull që ka jetuar 2500 vjet larg Atdheut të tij deri në krijimin e shtetit tě vet në vitin 1949, në sajë të gjenisë së bijeve të tij dhe të kujtesës historike është nder të tjera një gjest mirënjohje për ndihmën vëllazërore që shqiptarët ju dhanë hebrejëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke iu hapur dyert e shtepive e zemrat e tyre, duke i mbrojtur nga përsekutimi nazist.
Në jemi i vetmi Komb në botë që e kemi të saksionuar në të drejtën tonë zakonore shprehjen hyjnore: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Kombi i lirisë e Presidenti i sa Donald Trump e firmosën Ardhmërinë e Kosovës e Kombi i shenjtë i Izraelit do ta çertifikojë atë dhe së shpejti do ta firmosë dhe Vatikani.
Të priftë e mbara Kosovë jonë!
Ti nuk je vetëm në mbivjeçarin e ri sepse vetë Zoti po flet shqip.