Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

E THJESHTA LUMTURI

Rendim më kot drejt lumturisë
Dhe ndodh të jetë aq afër nesh,
Mundim i verbër shpirtin gris
E lehtë ta gjesh, vështirë ta kesh.


Kam parë një herë të lumturuar,
Një ditë pazari në qytet,
Me fije malli të arnuar
Nja dy tre djem në qejf të vet.

Këmb’kryq të ulur një lulishte
Fytyrë qeshur përmbi bar,
S’mbaj mend ish festë, a ç’ditë ishte
Kujtoj veç djemtë, zemërbehar.

Një pjepër dyllë në duar mbanin
Të prerë në thela me biçak,
Shijonin ngastrat e gajasnin
Qëndiste lëngu mbi jatak.

Lëkurët flaknin, hidhnin pas
Pranë kalit jele ngjyrë flori,
Përtypte, çonte në gurmaz
Një çast të lumtur dhe ai.

Ja pra, e ëmbla lumturi
S’kërkon më shumë e bardha letër
E gjeta thjesht, as vetë se di
Me djemtë, një kalë, edhe një pjepër.

2017

KALTËRSI

“Kaltërsitë s’janë aq të thella
pa flatrat e saj…”
– I thosh bregu valës.
Në zënka të ëmbla,
Kur putheshin fshéhtas
Përtej pulëbardhës.

2018

DETI

S’u rrita me detin
dhe trembem atij..
Misteri të kaltër kur ngrihet furtunë.
I ardhur nga male, mbështjellë me stuhi,
më thuaj ti det
në trembesh nga unë.

KUJTIMIT TË SAJ

Ishim të vegjël, dhe ajo trembej ditës me diell kur i shihja dashurinë që fërgëllonte qerpikësh…syve pafaj.
Pastaj,
të largët u rritëm..
Dhe trembesha unë netëve në gjumë kur ritmin e zemrës s’e ndjeja të rrihte kujtimit të saj.

PRAG DIMRI

Gishtërinj të thekur shpuzitën xixash thëngjijtë e mangallit,
si të zgjonin e rindiznin një grusht yjesh të fikur..
Ish dorë e babait, teksa mbështillesha një ëndrre të ftohtë,
pranë nënës..
Që, lëmshit të hënës,
rënë dritares i shthurte një rreze,
dhe palltos sime, një komçëz, diç qepte.., astarit të grisur.

ROMANCË

Qaj një mall, e ti s’e di
Kur të shoh pa frymë mbi letër.
Del prej zemre poezi,
Endesh shpirt, romancë e vjetër..

Bojëngjyer ç’mall të fortë
Porsi unë dhe ime penë
Dhe më duket sikur thotë,
“Pranë asaj, më shkri poemë..

Zbrazur si nga qiell tjetër
Ç’yje mbledhur këtë natë.
Bashkë, me ta, dhe penë mbi letër
Të gjithë qamë një mall të zjarrtë.

Please follow and like us: