Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Ismet Mehmeti

BISEDE ME HENEN

Deti i himtë,
Qielli i përhimtë,
Pse fshihesh midis reve,
Sikur nga dikush ke frikë?

Kokën fut dhe nxjerr
Nga barku i grimtë,
Siç luajnë kukafshehti fëmijët.

Sonte do ta gdhijmë të dy,
Siç bënim shpesh kur ishim të rinj,
Ti sekretet i ban, unë e di,
Por mos harró:
Sonte kemi mbetur vetëm,
Unë dhe ti.

FTOHTESI E BARDHE

Pemët ngarkuar me pah të bardhë,
Asgjë s’lëviz, asnjë gërhimë,
Rrugës tek-tuk kalimtarë të rrallë,
Me qentë për dore, që sytë iu ndrijnë.

Si këto fluturza të bardha bien mendimet për ty,
Në këtë borë marsi, në këtë acar,
Me qindra vite dritë, mbetur larg,
As bashkë dhe as të ndarë..

NATE E VETMUAR

Ç’ma solle në mendje atë natë të vetmuar?
Të nesërmen ti do ktheheshe në qytetin tënd
jugor,
Në mendje më mbeten avujt e nxehtë që nga
nata buronin,
A, ndoshta, nga buzët e tua, si valë.

E mbetur larg, në atë fundgushti të harruar,
Pse gjumin ma prishe këtë natë?
Sonte me ngjan si një kantatë në gjuhë të huaj,
Që tekstin kurrë s’ia mësova dot…

(Nxjerrë nga vëllimi poetik “PUTHJA E EGER”), Tiranë, korrik 2019.

Please follow and like us: