Albspirit

Media/News/Publishing

Elena Gjika Merlika-Kruja: Vitet e internimeve

Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, kantieri 216, nga Tirana, Kampi n.3, në Lushnjë,  Gradisht,  Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi. Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato gra e vajza shqiptare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetonja, flisnja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin dashuri e më jepnin  kurajo,  kemi kaluar një jetë të tërë. Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e gazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjenike në të cilat jetohej. Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro. Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa  t’a quanin “t’arsyeshme” xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme!

Ishte viti 1952, kishte tre vite që ishim “mysafirë” në Tepelenë. Jetonja me vjehrrën dhe djalin tim, dukeshim një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm. Im shoq, që ishte dënuar me 15 vjet pune të detyruar si “armik i popullit”, ndiqte kalvarin e tij në kampet e tmerrshme të Maliqit, ku të burgosurit duhej të thanin kënetën me krahë e jo me mjete  mekanike. Kanale gjigandë, që duhej të çonin drejt detit ujrat e shumta të kënetës, për të liruar qindra mijra hektarë toke, ky ishte objekti i punës së “armiqve të popullit”. Për vite të tëra nuk jemi parë, ndonjëherë këmbenim pak rrjeshta, kur e lejonin, për t’u siguruar se ishim gjallë.

Erdhi pranvera, malet u veshën me gjineshtra, shumë gjineshtra me ngjyrën e verdhë dhe me aromën e tyre. Stina e bukur duhej të na jepte pak ngushëllim e më shumë fuqi në punën tonë. Ndërsa për ne ishte fillimi i një ankthi: nisnin shpërnguljet për arsye pune. Të tjera kampe na prisnin, të tjera mundime, të tjera “plane” të regjimit komunist, për t’u sendërtuar “për të mirën e popullit”, nëpërmjet vuajtjeve dhe poshtërimeve tona.

N’atë vit i gjithë Vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit n’ato gazerma, na katandisën në skeletër shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysëm i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me rradhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zjeja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.

Të ftohtit po pakësohej me kalimin e ditëve, afrohej maji dhe epidemia zvogëlohej si shtrirje e si rrezikshmëri. Në një ditë të bukur me diell u zgjuam të befasuar nga një sërë kamionësh të ndritshëm, me një grup të madh policësh që i shoqëronin e që drejtoheshin nga një oficer i ri, me një sjellje më pak t’ashpër nga rojet tona të zakonshme e më i edukuar. Vinte nga Tirana dhe duhej të përfaqësonte “me dinjitet” ata që e kishin dërguar. Atë ditë nuk shkuam në punë: u bë një mbledhje e përgjithshme në fushën e gjërë të kampit, ku u lexuan shifra e të dhëna mbi realizimet e mëdha të regjimit për “të mirën dhe përparimin e popullit”, programe të tjera pune e, si përfundim, lista me emrat e atyre që brënda një ore duhej të linin kampin e Tepelenës për arsye pune e do të shpërnguleshin gjetiu, në një drejtim të panjohur deri në çastin e mbrritjes në vëndin e caktuar.

Një heshtje e plotë nga të pranishmit dhe një pritje me dridhje: së pari nevoja për tridhjetë  puntore gra, emri im i pari në listë, “në krye të klasifikimit”, më pas 29 të tjera; pastaj burrat për dy qëllime të ndryshme, njëqind me ne gratë, njëqind gjetiu. Me të thënë e me të bërë: brenda një ore dysheku i palosur e i lidhur, një valixhe druri në dorë e të gjithë në rrjesht para kamionave që duhej të ngarkonin më parë teshat e, mbi këto, tridhjetë vetë në secilin automjet. Të kota lutjet për të më zëvendësuar me ndonjërën që nuk kishte fëmijë. Dolën shumë gra të reja që ishin gati të zinin vëndin tim, mbasi kisha një fëmijë dhe vjehrrën të moshuar e të sëmurë. I luteshin komandantit të operacionit të më linte në Tepelenë me të dashurit e mij, por nuk qe e mundur. Nuk mund të harroj kurrë atë skenë: vjehrra, pothuajse një hije, që më shihte nga dera e gazermës së madhe, djali im që kacavirrej në spondën e maqinës e më thërriste, polici që i binte duarve të tij me qytën e pushkës, ai që binte por nuk epej dhe ne që ishim shtrënguar pranë njëra tjetrës mbi dyshekët në një heshtje varri.

Na dhanë një racion bukë e një presh, ishte e mjaftueshme për një ditë! Lotët e vjehrrës, që kishte zëvendësuar nënën të cilën nuk e shihnja prej dhjetë vitesh, nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa ime së bashku me zërin e hollë të fëmijës time “mama, mama”. Të tjera gra e merrnin me të mirë e më thonin të ikja e qetë mbasi do të kujdeseshin ato për të, se së shpejti do të bashkoheshim përsëri… Kollona e gjatë e maqinave u nis e pak nga pak u zhdukën shembëlltyrat e të dashurve tanë dhe pamja e atij kampi të mallkuar.

U nisa dhe Tepelenën nuk e pashë më kurrë. Kaluam në kampe të tjera vite të gjata, vënde të ndryshme, por gjithmonë me një ankth që na printe e na përcillte: e panjohura e së nesërmes. Ç’do të bëhej me neve?

Please follow and like us: