Albspirit

Media/News/Publishing

Juela Hamati: Përfituesit e vërtetë të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë e arritur më 4 Shtator, padyshim që është lajm i mirë dhe i rëndësishëm, jo vetëm për dy vendet por për rajonin dhe më gjerë.
Me anë të kësaj marrëveshje, Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për ndërtimin e autostradës dhe hekurudhës midis tyre, bashkëpunimin për personat e zhdukur, studimin e liqenit të Ujmanit(i cili ndodhet në Kosovë) me qëllim zhvillimin ekonomik të tij dhe zonave përreth si edhe njohjen e ndërsjelltë të diplomave.
Pra, sic edhe është pranuar që ditën e parë të fillimit të negociatave, kryefjala është ekonomia, zhvillimi, krijimi i vendeve të reja të punës.
Nga kjo marrëveshje, ekonomikisht pritet të përfitojnë jo vetëm Kosova dhe Serbia por edhe vendet e tjera të rajonit, i cili do jetë më tërheqës për investitorët e huaj.
E ndërsa bashkëpunimi ekonomik dhe politik natyrisht i prijnë njëri tjetrit, është realiste të themi se përfituesit e vertetë të tij, do të jenë të rinjtë.

Një pjesë e mirë e vendeve të punës që priten të hapen si rezultat i marrëveshjes, do të shkojnë te rinia duke sjellë kështu uljen e papunësisë në një rajon ku përqindja e të rinjve të papunë dhe emigracioni, është ndër më të lartat në botë, pavarësisht shkollmit të duhur që ata kanë.

Një pikë e rëndësishme dhe me impakt të drejtpërdrejtë do të jetë njohja e ndërsjelltë e diplomave të Universiteteve të Serbisë dhe Kosovës për të arsimuarit në këto dy vende e vecanërsht për shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës e po ashtu për minoritetin serb në Kosovë pasi shumë prej të rinjve që kanë zgjedhur të arsimohen në institucionet Kosovës apo Serbisë, deri dje e kanë patur të pamundur të rikthehen e të ushtrojnë profesionin në vendin e tyre të lindjes për shkak të mosnjohjes se diplomave.
A është kjo marrëveshja ideale? Padyshim që jo! Por është një bazë e mirë mbi të cilën brezat e rinj në Kosovë e në Serbi, mund dhe duhet të punojnë e ta cojnë edhe më tej deri në njohjen (e pashmangshme) të Republikës së Kosovës edhe nga Republika e Serbisë.
Plagët e një konflikti më të vjetër sesa mosha e atyre që do jenë përfituesit e vërtetë të kësaj marrëveshjeje, të rinjtë, nuk janë shëruar ende, por i takon pikërisht atyre që të lënë të kaluarën e dhimbshme pas, e bashkë të shohin drejt së ardhmes.

Please follow and like us: