Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria dhe Italia nga Kongresi i Berlinit tek lufta greko-turke

ELENA GJIKA MERLIKA – KRUJA

 Më 20 prill 1880, përpara Konferencës së delegatëve evropianë në Kostandinopojë, Lordi Fitzmaurice, Ambasador i Anglisë, shpaloste një zgjidhje të tij për problemin shqiptar: të formohej një Shqipëri autonome, ku të përfshiheshin katër Vilajetet, i Shkodrës, Janinës, Kosovës e Manastirit. Propozimi ishte pasojë e një shkëmbimi të gjatë e të imtë letrash e shpjegimesh ndërmjet përfaqësuesve anglezë në Turqi dhe Lordit Granville e mbështetej në nenin 23 të Traktatit të Berlinit që parashikonte ndryshime dhe reforma të mundëshme në Turqinë e Evropës. Propozimi në përgjithësi u prit keq, por nëse orvajtja britanike nuk dha frutat e saj, ishte i rëndësishëm fakti që çështja shqiptare vihej para Fuqive të Mëdha: ky popull ishte i pranishëm me të gjitha nevojat e tij e përbënte një faktor të rëndësishëm në historinë e Ballkanit. Për këtë dëshmojnë dokumentat anglezë, të paraqitura n’atë kohë në parlamentin britanik.

N’Itali ngjarjet patën një jehonë të rëndësishme. Më 28 nëndor 1880 Francesco Crispi deklaronte: “Shqiptarët, si popujt e tjerë të përzierë n’atë pështjellim që është Perandoria Otomane, meritojnë të trajtohen si kombësitë e tjera…. në Turqinë evropiane ka një milion e gjysmë shqiptarë; është e vërtetë se ata nuk janë më ata të para katër shekuj e gjysmë…. por rënia e një populli nuk i jep të drejtë harresës së të drejtave të tij; harresa nuk mund të jetë kurrë një mbrojtje për një ministri italiane”.[1] Të tjera deklarata të ngjajshme nuk mungonin nga ana e njerëzve me përgjegjësi, gjithmonë në kuadrin e atyre parimeve që kishin formuar themelin e Rilindjes italiane. Më 1880 Franca pushtonte Tunizinë dhe është e njohur goditja e pësuar nga kjo ngjarje për dëshirat italiane: ishte frika se edhe në brigjet e Adriatikut, si n’ata afrikane, do të arrihej shumë vonë e më i gjallë bëhej interesi për Shqipërinë.

Më 28 gusht 1881 u nënëshkrua Traktati Austro – Ruso – Gjerman, që zgjeronte Traktatin e fshehtë të 7 tetorit 1879 ndërmjet Austro – Hungarisë dhe Gjermanisë. Në Traktatin e ri Rusia merrte përsipër të mbante parasysh interesat e Austro – Hungarisë e të mos lejonte, jashtë një marrëveshjeje të përbashkët, asnjë ndryshim në statu quon tokësore të Turqisë evropiane; Protokolli i fshehtë shoqëronjës i njihte Austro – Hungarisë të drejtën të bashkëngjiste Bosnjën dhe Herxegovinën, kur t’a shihte të nevojshme.

Italia, si pasojë e këtij Traktati, ishte e veçuar në Lindje, por ndërhynte Aleanca Tripalëshe më 1882 dhe Italia do të kishte që atëherë si aleate Austro – Hungarinë. Ishte një gjëndje ende më e vështirë për ndeshjet e pashmangëshme e të shumta të ndikimeve, veçanërisht në Shqipëri. Në krahasim me Italinë, Austro – Hungaria ishte pa dyshim në një pozitë më të mirë. Që nga viti 1857 Hecquart, konsulli i Francës në Shkodër, njoftonte Qeverinë e tij për depërtimin austriak, gjë të cilën e pohonte pak më vonë Merègnin. Mbretëria e Dyfishtë ndihmohej në veprën e saj të depërtimit në Veriun shqiptar, mes malsorëve e mirditorëve, nga lidhjet e tyre me Vatikanin, nga  mjetet financiare, nga aftësia e të dërguarve të saj, nga bashkëpunimi i klerit shqiptar për arsimimin e të cilit kujdesej me shumicë mjetesh, duke ndërtuar kisha, duke ndihmuar manastire, duke mbrojtur dhe nxitur kultin dhe besimin në Kishën e Romës. Italisë i mungonte ndihma e Vatikanit dhe mundësia e mjeteve të gjëra financiare, por nga ana tjetër, kishte mbështetjen e madhe të kolonive shqiptare si dhe kujtimin e veprës e politikës së Venedikut në Dalmaci e Shqipëri.

Kundër sllavizmit punonin Komitetet shqiptare jashtë, kundër sllavizmit drejtohej politika e Austro – Hungarisë, kundër sllavëve luftonin prej dhjetëvjeçarësh popullsitë malsore të Veriut shqiptar. Në fakt ishte një gjëndje guerriljeje të përherëshme e dukej se Qeveria e Kostandinopojës nuk ishte krejt e huaj ndaj lëvizjeve të tilla. Arsye historike e të çastit shtynin kundër njëri tjetrit sërbët e shqiptarët. Forcat e sllavizmit, të ripërtërira, në një jetë të re në sajë të disa Fuqive, ishin vënë në kërkim të atyre territoreve që i quanin të domosdoshme për t’ardhmen e popullit të tyre. Nuk mund të mos pranohet se arsyet e të dy popujve, secili për hesapin e tij, quheshin të sakta, por nuk duhet harruar sa shkatërruese ishte politika e Portës që mbështeste kryengritjet shqiptare kundër sërbëve, duke krijuar n’ato vise një gjëndje të vazhdueshme shqetësimi të përhershëm, duke nxitur nacionalizmat e të dy palëve, duke u shërbyer prej tyre për të vendosur mbi ato treva autoritetin e Gjysmëhënës.

Në Jugë po ashtu jetonin popujt fqinjë, shqiptarët e grekët. Shqiptarët shpesh janë qortuar se nuk kanë ditur të përfitojnë nga rastet e shumta e nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë, kur ngjarjet mund të ishin në dobi të tyre, si gjatë luftës greko-turke të 1897-ës. Por gjëndja në Shqipërinë Jugore nuk i jepte shqiptarëve një garanci të sigurtë mirëkuptimi e bashkëpunimi pa interes nga ana e grekëve, sepse këta prej vitesh ndiqnin një politikë të hapur shkombëtarizimi në trevat e fqinjëve të tyre, një politikë pa dyshim e aftë, e lidhur me interesat e Patriarkanës greke të Kostandinopojës, e drejtuar me metoda që nuk njihnin caqe, në një krahinë që do të ishte dëshmitare dhune, masakrash e poshtërimesh. Rumania bënte të njohur më 1905, në një Libër të Gjelbër, historinë e kobëshme të këtij depërtimi shkatërrimtar. Shëmbulli më i qartë i këtyre ndjenjave ishte kundërshtimi i shqiptarëve ndaj vendimeve të Berlinit. Më 1897, urrejtja e ngjeshur prej vitesh, shpërthente në luftën greko-turke.

Veprimet ushtarake shihnin shqiptarët në luftë përkrah trupave otomane kundra ushtrisë greke. Janë të njohura ngjarjet para luftës  dhe përfundimet rrënuese për Greqinë të betejave të ndryshme. Edhe populli grek, i shtyrë nga një valë entuziazmi, e kishte dëshiruar këtë luftë e kishte bindur për çështjen e saj të drejtë shtetet e Evropës, përfshirë Italinë. Niseshin nga siujdhesa  garibaldinët vullnetarë, nën komandën e Ricciotti Garibaldit, ndërmjet tyre edhe deputetët Faci e Fratti. Më 21 prill grekët u sprapsën në Ligaria, më 23 braktisnin Matrin duke u drejtuar për në Larisë, linin Velestinin, Volon e më 5 maj dukeshin në ultësinë e Farsalës. Garibaldinët i mbanin besën traditave luftarake të Këmishëkuqëve, por fati i armëve greke ishte shënuar pakthyeshmërisht. Dihet se Greqia  u shpëtua nga ndërhyrja e fuqive t’Evropës, por dështoi synimi i përkëdhelur prej kohësh, për të pushtuar zonat e lakmuara të Shqipërisë së Jugut. Fshatrat e shkatërruera ishin aty dëshmitare të “entuziazmit” me të cilin ishin pritur grekët nga gjindja e Epirit. Ishte thelluar aq shumë hendeku nga urrejtjet, mëritë, masakrat e dhjetëvjeçarëve, saqë nuk arrinte t’a mbushte as urrejtja për shtypësin otoman. Shqiptarët nuk kishin faj kur zbrapsnin me zjarr luftarak ushtritë greke, nën habinë dhe përbuzjen e Evropës. Për ndjenjat greke ata që nuk besonin do të bindeshin kur të bëhej realitet Lidhja ballkanike e të bëheshin të njohura projektet e serbëve e të grekëve kundrejt popullit shqiptar.

Dhe n’Itali nuk munguan ata që nuk miratuan sjelljen shqiptare n’atë rast, por Qeveria italiane e kishte bërë të njohur prej kohësh qëndrimin e saj: Italia dëshironte autonominë e kombësive të ndryshme, kur Perandoria turke nuk do t’ishte më në gjëndje të mbahej. Këtë politikë do t’a ndjekë vazhdimisht gjatë gjithë periudhës që do t’i paraprijë e do të pasojë fundin e zotërimit të Portës në Evropë. Më 6 tetor 1887, kur Nigra i kumtonte Francesco Crispit disa marrëveshje të kryera ndërmjet ambasadorëve të Austrisë, Anglisë e Italisë në Konstandinopojë, ministri italian shprehu gjithë mirëkuptimin dhe mbështetjen e tij. Ishin marrëveshje të mbështetura në tetë pika: “paqe, statu quo, mbështetje autonomive lokale, pavarësi nga Turqia, përfshirë dhe neutralitetin e ngushticave, mosnjohje të konçesioneve të saj për ndërhyrje në Bullgari në dëm të të drejtave sovrane të saj, dëshirë për të ortakësuar edhe Turqinë në veprimet e tri Fuqive, mbështetje asaj në rast ndërhyrjesh të sipërthëna ndaj të cilëve ajo ishte bashkëjetuese dhe e paaftë për qëndresë, pushtim i përkohshëm i disa pikave të Perandorisë otomane nga ana e tri Fuqive me marrëveshje për të rivendosur ekuilibrin.”[2]

Por kjo marrëveshje nuk pati jetë të gjatë. N’atë vit mbaronte dhe traktati i parë i Tripalëshes dhe protokolli i ri sillte edhe një formulë kushtuar “les regions des Balkans”, gjithmonë në kahun e marrëveshjes së përbashkët e të këshillimeve të ndërsjellta, në prani të ndryshimeve të mundëshme në shumë të dëshëruarën Turqi t’Evropës.

Në Shqipëri nuk pushonte për asnjë çast vepra e kombëtaristëve, të cilët nuk humbnin asnjë rast për t’i dërguar peticione e lutje Sulltanit, duke kërkuar me durim të njëjtat gjëra: njohjen e kombësisë, të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre, hapjen e shkollave shqipe. Një nga këto përkujtesa, më 1895, i kushtoi internimin dyqind bejlerëve.

Simpatitë shqiptare prireshin nga Italia dhe nga Janina vinte një raport i konsullit italian, më datën 6 janar 1896, që përmbante pohimet e bejlerëve shqiptarë një nënshtetësi italian. Ndërmjet të tjerash thuhej: “Bejlerët shqiptarë i thanë Fantit se tashmë nuk kishte asnjë dyshim se fati i Turqisë po rrëkëllehej e që në mes të shpërbërjes së afërt, sytë e të gjithë shqiptarëve të vërtetë si të krishterë ashtu edhe myslimanë, ishin drejtuar paprerë përtej Adriatikut, tek Italia. Ata gjithashtu janë shprehur se nuk do të pranonin kurrë bashkim me Greqinë…”[3] Por nuk mungonin edhe mendime që mbështetje të këtilla të kërkoheshin edhe nën mbrojtjen austriake.

Visconti-Venosta takonte në Monza Goluchoëski-n në nëndor 1897 dhe marrëveshja mbetej e qëndrueshme përsa i përkiste Ballkanit në përgjithësi e Shqipërisë në veçanti. Një vit më parë, mbas Aduas, Italia kishte qënë e detyruar të mbyllte shkollat e saj në Prevezë, në Vlorë e në Durrës, mbasi kjo marrëveshje mund të shëmbëllente si një farë shpërblimi për lëshimet e mëparëshme. Por kur ministri italian takonte Goluchoëskin ishte në fuqi marrëveshja austro-ruse për Ballkanin, e nënëshkruar në Petersburg në prill t’atij viti. Shqipëria përbënte një pikë të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje, megjithëse propozimet, vendimet, zgjidhjet e parashikuara ishin të përcaktuara njëanësisht, mbasi ishte e qartë se Rusia nuk angazhohej krejtësisht, duke e quajtur “të parakohshëm” çdo vendim përkundrejt Shqipërisë. Austro-Hungaria e përfundonte, pavarësisht nga Italia, marrëveshjen e saj me Petërsburgun duke e ndarë Ballkanin me Rusinë në dy zona eskluzive ndikimi: “sfera e ndikimit të plotë të Rusisë përfshinte Bullgarinë, ajo e Austrisë Sërbinë. Sfera e ndikimit të kufizuar të Austro – Hungarisë përfshinte Maqedoninë, Selanikun, Shqipërinë; ajo e Rusisë pjesën tjetër të Turqisë n’Evropë.”[4]

Nëse marrëveshja ishte me rëndësi të madhe për Austrinë sepse shmangëte luftën e gjatë e të heshtur ruse ndaj politikës ballkanike të Mbretërisë së Dyfishtë, por duke përjashtuar Italinë, mbi të gjitha nga problemi shqiptar, në siujdhesë trondiste besimin në një bashkëpunim italo – austriak në Shqipëri dhe asgjësonte pjesërisht vlerën themelore të Aleancës Tripalëshe. Por Italia hapte në Shqipëri konsullata, shkolla e përpiqej të kryente veprën e depërtimit fetar nëpërmjet Urdhërit Salezian, gjë që shkaktonte zëmërimin e hapur të Qeverisë së Vjenës.

Në korrik 1899 Komiteti shqiptar i lëshonte një thirrje bashkatdhetarëve për një kongres në Bukuresht, që duhej t’ishte një dëshmi e fuqishme e mundësive dhe dëshirave të racës. Duhej të mblidhte të gjithë kombëtaristët jashtë shtetit, atë bërthamë tundulluesash bredharakë në kryeqytetet e ndryshme t’Evropës, shpesh pa mjete, të trishtuar e të lodhur nga ankthi i arritjes së qëllimit e i fitores, të pakuptuar herë herë edhe nga bashkatdhetarët, të padëgjuar nga interesat e politikës dhe të diplomacisë së Kontinentit.

[1] Dokumenta të Parlamentit italian, 28 nëndor 1880

[2] Salvatorelli: “Aleanca Tripalëshe” Milano, Instituti për studimet e politikës ndërkombëtare, 1939, faqe 141 – 143.

[3] Francesco Crispi: “Çështje ndërkombëtare”, Milano, Treves 1923, faqja 239 e në vazhdim

[4] J. Larmeroux: “Politika e jashtëme e Austro – Hungarisë”, vëll. I Paris, libraria Plon, Plon-Nourrit e k. 1918, faqe 385

Marrë nga “REVISTA e SHQIPËRISË”, e drejtuar nga Francesco Ercole

Botim tremujor nën kujdesin e Qëndrës së studimeve për Shqipërinë, pranë Akademisë Mbretërore të Italisë.  Shtator 1942. 

Please follow and like us: