Albspirit

Media/News/Publishing

Si u zbuluan tani babë e bir për vrasjen e Eglantina Bucit 8 vjet më parë?

Një i arrestuar në 2017-ën, dëshmitar tashmë në mbrojtje nga policia e shtetit, iu tha hetuesve se kishte dijeni për një krim të rëndë, ku ishte i përfshirë miku i tij, Shkëlzen Buci. Ky i fundit asokohe ishte arrestuar si i dyshuar për vrasjen me pagesë mbetur në tentativë ndaj aktorit Mishel Prela.

Bashkëpunëtori i drejtësisë pretendonte se e kishte shoqëruar me makinë Shkëlzenin dhe të motrën Eglantinën deri tek Mali me Gropa, por prej atij momenti e reja ishte zhdukur. Pikërisht në këtë vend, në shtator të 2012 ishin gjetur disa eshtra, por për vite të tëra nuk u bë dot i mundur identifikimi i kufomës.

I penduari jepte detaje edhe për një tjetër tentativë që Faik Buci kishte bërë për vrasjen e së bijës, pasi refuzonte bashkëjetesën e saj me një person. Deri ato momente, 23-vjeçarja deklarohej e zhdukur, dhe gjatë gjithë kohës babai deklaronte se vajza ishte trafikuar në Itali.

Por pas dëshmisë së të penduarit eshtrat e gjetura në Malin me Gropa u dërguan në Kosovë, në Agjencinë e Forenzikës (Mjekësisë Ligjore), ku u bë e mundur të përftohej një profil gjenetik dhe pas krahasimit me ADN-në e nënës së saj, u identifikua se eshtrat ishin të Eglantina Bucit.

Pas këtij zbulimi, me kërkesë të prokurorisë gjykata caktoi masë arresti për Faik Bucin dhe të birin Shkëlzenin. 66-vjeçari u vu menjëherë në pranga, ndërsa djalit të tij iu komunikua akuza në burg. Të dy pritet të dalin para gjykatës për seancën e marrjes në pyetje, edhe pse deri më tani e kanë mohuar akuzën.

Nga hetimet rezultoi se babë e bir e morën 23-vjeçaren dhe pasi e vranë me armë zjarri e groposën në Malin me Gropa. I ati i vajzës akuzohet si organizator i krimit, ndërsa vëllai i saj si ekzekutor. Kjo ngjarje e rëndë kriminale, nuk është e vetmja e kësaj natyre e ndodhur në familjen Buci.

Burimet thanë se nëna e Faik Bucit, u burgos për disa vite për vrasjen e nuses së djalit të saj. Në 2017, Shkëlzen Buci u arrestua dhe tashmë është dënuar me 13 vite burg për vrasjen e mbetur në tentativë të aktorit. Asokohe, ai deklaroi se vrasjen do ta kryente kundrejt pagesës dhe më ato para do të shlyente borxhet që mori për kurimin e të vëllait, i cili për fat të keq, ndërroi jetë nga kanceri.

Please follow and like us: