Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Nexhat Halimi

 

 

Në gjurmë të Mujit

 

Ja seç i gjeta të gjitha pezull në kohë,

qëndronin në degë e s’binin në tokë,

çdo gjë luhatej me zjarr e vjellje

deri te burimi më i vjetër në kokë.

 

Zot im kaq larg e kaq afër në vetmi

e prapë e ndritur te derdhja pikës së ujit

të vetëtinte liqeni në gjurmë të Mujit

 

natyrisht ka ecur më parë dikush këtu.

 

 

Vetja tjetër

 

Sonte kthim prapa asesi nuk ka

ka veç vdekje, ka veç kujtim për ty

e borë resh në majat gurore

e detit ik nën vetëtimë `i galerë.

 

E zgjon dallgë nën erë e bie shi

në këtë mjegull mes të vërtetës

në ngrirje të gjakut fjalës së vjetër

zemrën të ta shkruaj vetes tjetër

 

sonte kthim prapa asesi nuk ka.

 

 

Në urë

 

Ndërmjet vinjetës së vjetër të vetëtimës

gjarpëroi tufë e dritës e shpërtheu lulja

zot ja kaq trëndafila e kaq ujë mes gjakut

 

dheut mbi varr i derdhej hije e kavakut

 

përherë djegie përtëritje në hapësirë

muzikë dhembje klarinetë e etje me lirë

e një flutur vjen dhe digjet në flakë qiriri

e pikon gur më gur gjak i ndezur ulliri

 

e një fluturim kujtimit të këputur për ty.

 

Please follow and like us: