Eden Babani: Lepuri fle gjetkë
Eden Babani, Bruksel
Skandalet zinxhir të qeverisë së sotme socialiste janë sa të pritshme, aq edhe jo.
Them të pritshme, sepse po na bëhet të besojmë sikur skandali pret skandalin e radhës, pa të nxjerrë krye hajdutçe, sa herë Kryeministri është nën akuzë abuzimesh, duke filluar nga ato me karakter ekonomik (vjedhje, më saktë), deri te ato me karakter kombëtar, të cilat emrin e vërtetë e kanë tradhti.
Jo të pritshme, sepse s’ta do logjika t’i pranosh, sado që burojnë nga logjika qeverisëse e tipit të vjedhim sa më shumë, pa të dalë ku të dalë. I tillë është skandali i bisedimeve për shtrirjen e Greqisë me 12 milje në ujërat e detit Jon, poshtë të cilave llogariten pasuri marramendëse nafte e gazi.
Tashmë dihet botërisht se në tetor të 2009-ës grupi parlamentar i Partisë Socialiste, asohere në opozitë, e kundërshtoi një marrëveshje të qeverisë Berisha me qeverinë greke, pak a shumë për të njëjtën çështje, atë të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë në Kanalin e Korfuzit. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. Me të drejtë a pa të drejtë, kjo është më tepër çështje ekspertësh e gjykatash, sesa këndvështrimesh politike. Në fund fare, të vërtetën nuk mund ta vulosë tjetërkush në mënyrë të paanshme, përveç historisë.
Dihet gjithashtu se sot, pas më shumë se dhjetë vjetësh, kreu i qeverisë së vetëquajtur “Rilindje”, i është kthyer së njëjtës çështje, por me sens të kundërt, duke shpalosur një absurd politik të paprecedent. Deklarata e 27 gushtit e Taulant Ballës se “ajo marrëveshje (e tetorit 2009, E.B.) u rrëzua dhe se Partia Socialiste mbetet gjithmonë në krahun e duhur të historisë”, më tepër sesa përçartje retorike, është kokëfortësi shejtanbudallai, – absurd mbi absurd, – që s’ma do mendja ta besojë as vetë shejtanbudallai. Pluhuri dhe mjegullnaja e ngritur për të fshehur të vërtetën, s’bën tjetër veçse e nxjerr skandalin ashiqare në sytë e bashkëkombësve. Sepse ujërat territoriale që lagin brigjet tona, të Adriatikut a të Jonit, nuk janë pronë e Kryeministrit Rama që e kurdis Ballën si lodër me zemberek, sa herë i duhet. Aq më pak të qeverive greke që venë e vinë, në vartësi të rrjedhave politike të ditës, që nga Papandreu, te Samaras, te Cipras a te Micotaqis. Ato janë pasuri mbarëkombëtare e gjithë shqiptarëve, kudo ku jetojnë, në trojet etnike a në diasporë.
* * *
Përmes shkrimit me titullin mjaft domethënës “Unë i thashë Presidentit” (Albspirit, 05.09.2020) mësova se këto ditë një grup intelektualësh u takua me Presidentin e Republikës dhe ngriti shqetësimet lidhur me bisedimet okulte mes qeverive greke e shqiptare për të njëjtën çështje, atë të tetorit 2009, tashmë të mbyllur ligjërisht.
“Ne që jemi sot në këtë takim, nuk mund ta provojmë që jemi më patriotë se shumica e shqiptarëve…”, e ka filluar ligjëratën e vet përpara Presidentit njëri syresh, Dr. Bislim Ahmetaj. Bash te kjo hyrje, e ndjeva veten edhe unë pjesë të atij grupi njerëzish “…pak më guximtarë, pak më kurajozë, më të lirë, të pakapur dhe më të përgjegjshëm”.
Dhe ja, në pamundësi t’i qasem grupit fizikisht, i bashkohem moralisht, ashtu siç do t’i bashkoheshin edhe plot nga miqtë e mi këtu, në Belgjikë, si, fjala vjen, gostivarasi Myrteza Bajraktari, i cili bëri dy herë burg politik për çështjen kombëtare, – njëherë në ish-Republikën e Maqedonisë, dhe herën tjetër në Shqipërinë e diktatorit Hoxha. Si fotografi i njohur gjilanas, Asllan Krasniqi, i cili shpërndan nëpër botë atdhetarizëm me ekspozitat e tij fotografike aq të spikatura, ku përfshihen edhe brigjet e Jonit, nga Vlora, në Sarandë e në Ksamil. Në fund të fundit, si çdo bashkatdhetar tjetër kudo ku jeton, mes Alpeve të Zvicrës, të Austrisë, të Italisë a gjetiu, këtej e andej Atlantikut.
Siç pohon autori i shkrimit të sipërpërmendur, ca ditë përpara takimit me Presidentin, grupi intelektualëve i kishte kërkuar Kryeministrit Rama “të informonte zyrtarisht shqiptarët për negociatat që ka bërë qeveria shqiptare” dhe të bënte publike “qëndrimet e qeverisë për projektin e shpallur në parlamentin grek nga kryeministri Mitsotaqis”. Si përgjigje kanë marrë “shantazhimin, anatemimin, sarkazmën dhe ironinë bajate nëpër rrjetet sociale dhe nëpër takime publike siç ishte rasti i 100-vjetorit të Luftës së Vlorës”. Të mos harrojmë se mbi 90% e shqiptarëve janë fare të painformuar për çka po luhet kulisave me pasurinë e tyre.
E pështirë, madje ndyrë, edhe ironia e djeshme e Kryeministrit gjatë fjalës së mbajtur me rastin e fillimit të sezonit të ri të Kuvendit. “Keni dëgjuar gjë që Greqia ka zbritur tek deti, apo e kanë zaptuar detin tonë?”
Batuta të tilla pa kripë të liderit “rilindës” nuk janë aspak të panjohura. Përkundrazi, janë vazhdë e llomotitjeve të tij të përditshme.
Lepuri fle gjetkë, te llogaritë bankare, jo siç pandeh Spartak Ngjela se Rama bëhet gati të kërkojë azil politik në Greqi dhe se pastaj do të dalë një Avni Rustem që t’ia numërojë në lule të ballit. Budallallëqe!… Transfertat nën dorë të kapitaleve përtej meridianit të Grinviçit, në ishujt parajsë të Karaibeve, s’pyesin as për azil politik, as për trima shqiptarë.
Mbrëmë, në bisedë me Çim Pekën, Dr. Berisha tha: “Çfarë ka thënë Rama? Nuk jemi në negociata. Kjo është fjala kyç e tradhtisë së lartë. Kështu Greqisë i lind e drejta të kalojë në 12 milje… Ajo çka rreh të bëjë Edi Rama me ujërat territoriale shqiptare, përveçse vjedhje e ka emrin tradhti kombëtare”. Kësisoj, siç tha Dr. Berisha për këtë tradhti, akti i parë, që do të bënte ai nëse do ta takonte Kryeministrin, do ta pështynte në surrat.
A thua do të kishin guximin e tij të gjithë politikanët tanë që përbetohen ditë e natë për komb e atdhe, të bënin të njëjtën gjë përpara se të uleshin para ekraneve televizive e të haheshin si qen me Edi Ramën “për interesat e Atdheut”?