Avdulla Kënaçi: Gruaja përballë
Tregim
1.
Frika ndaj epidemisë COVID-19 jo vetëm na mbylli brenda katër mureve të shtëpisë, por na ndau edhe nga gjithë të dashurit dhe fqinjët. Në rrugët e bllokut ku unë banoj, tani rrrallë qarkullojnë makina, vetëm shihen ca furgonë postash apo shërbimesh që rrëshqasin heshturazi si krimba. Blloku ynë është afër aeroportit dhe zhurmat që bënin dikur aeroplanët në qiell, nuk dëgjohen më dhe ne kemi harruar të ngremë kryet lart, drejt kupës blu. Na ka marrë malli për ato vija të holla tymi si fustane nusërie. Nuk jemi të sigurtë se sa do të zgjasë kjo situatë e mërzitshme dhe e zymtë.
Muajin e tretë të izolimit, gjatë kësaj pranvere, pikërisht kur pemët ishin mbushur me gjelbërim e lule, aty nga ora dhjetë e paradites, u dëgjuan ca të rrahura çekiçi e gërvima sharrash mbi dru. Diku punohej, dikush po ndërtonte. Jo vetëm që nuk u ankuam ndaj zhurmave, por dëshironim që ato të vazhdonin sa më gjatë. Me mendjen tonë, nuk i quajtëm “ndotje mjedisi”, por tinguj jete, sinjale shprese se gjallëria do të vazhdonte si tre muaj të shkuar. Ishte hera e parë që zhurmat na pëlqenin dhe na e kishte ënda që ato të vazhdonin pa mbarim. Po kush ishin këta të marrë që guxonin të thyenin karantinën? Nuk di cila qe ajo mendje që më tha se ata duhet të ishin shqiptarë. Çudi se shqiptarët këtu në Kanada i ndesh rrallë dhe jo gjithnjë në grup. Vërtetë ata ishin bashkëatdhetarët e mi. Ishin tre vetë, dy vëllezër dhe një bashkëfshatar i tyre me origjinë nga veriu, ose më saktë nga Kukësi. Ata kanë kohë që blejnë me kredi ndërtesa të vjetra dhe i ngrenë nga themelet të reja. U dhjetëfishojnë vlerën dhe pastaj i shesin përsëri. U bie goxha fitim i madh. Punojnë shpejt dhe me orar të zgjatur. Kështu po bënin edhe kësaj radhe me shtëpinë në fund të bllokut. Pas ca ditësh u shtua edhe një punëtor i katërt. U kuptua që edhe ai ishte shqiptar jo vetëm nga portreti, por edhe se kuksianët i thërrisnin “Karçin”. Emrin e vërtetë e kishte Agim. Ishte ndryshe nga tre të tjerët; mjaft i rregullt; i rruar, i krehur dhe i qethur sipas modës së fundit. Ndërronte çdo ditë bluzën apo pantallonat, ndryshe nga tre të tjerët që mbanin të njëjtat rroba. Detyra e tij ishte të furnizonte me materiale ndërtimi tre të tjerët, ndaj ai më shumë shihej poshtë në rrugë, buzë trotuarit, ku shkarkoheshin trarë, dërrasa dhe tabakë kompesatoje. Dukej se këtë punë e bënte nga e keqja, ose siç themi ndryshe “I kishte zënë rrota bishtin”. E vërtetë, në Shqipëri ai kishte punuar si inxhinier ndërtimi në një firmë private, ndërsa këtu…
Dhe ja tani ku ndodhej në një bllok të vdekur në periferi të Torontos. As zëra fëmijësh, as muzikë, as biseda njerëzish nuk ndjeheshin, vetëm herë pas here ai dëgjonte thirrjet e bosit: “Karçin, na sill gozhdë, Karçin na bjer dërrasa, Karçin, ku humbe, or burrë”?! Asnjeri nga kuksianët nuk preferonte t’i thërriste me emrin e tij të vërtetë. Dhe kjo ndodhi kur ai u tha se kishte pesë muaj që kishte hyrë në Kanada. Ata e trajtuan si rekrutët e rinj në ushtri dhe e pagëzuan me emër cjapi motak, Karçin. Nuk i leverdiste t’u kundërvihej. Në fund të fundit aty ishte provizorisht, sa për të fituar ca dollarë që i duheshin për gjyqin. E paguanin kesh; 150 dollarë dita, para që i kishte të domosdoshme. Realisht ndërtuesit nuk ishin nga qyteti i Kukësit, por nga Kalaja e Dodës. Para trembëdhjetë vjetësh kishin siguruar ca çertifikata fallco si shishtavecarë me që kjo krahinë konsiderohej si pakicë bullgare. Fillimisht kishin mbërritur në Londër pastaj kishin udhëtuar drejt Torontos, po me viza fals. Aty kishin kërkuar strehim politik “sepse u ishte mohuar origjina bullgare”. Dhe kishin marrë statusin e të përndjekurve.
Ditën e tretë të punës ndryshoi gjithçka. Moti u ngroh përnjëherësh dhe ai kishte vapë; hoqi bluzën dhe mbeti me kanotjere. Befas në shtëpinë përballë, sikur mbiu nga dheu, ulur tek porta mbi një karrike portative, pa një vajzë apo grua të re, bionde simpatike. Nuk mbante maskë, por një kufje në vesh nga ku besohej se dëgjonte muzikë. Ajo kishte veshur xhinse tepër të shkurtëra e të bardha. Fillimisht ai u hutua dhe i mori ato për mbathje. Vetëm kur u pa thekët në këmbëza e kuptoi që ishin pantallona të shkurtra. Përsipër, gruaja apo vajza, kishte hedhur një bluzë të hollë mëndafshi ngjyrë vjollcë e cila mbahej mbi supe me dy rripa të hollë. Sa herë që dy vëllezërit kuksianë dhe ndihmësi i tyre nuk e thërrisnin për t’u furnizuar me ndonjë material, ai kundronte me nge gjithë tiparet e gruas përballë; gjoksin, pulpat, mënyrën si kishte krehur flokët, në i kishte lyer apo jo thonjtë e këmbëve, i kishte sytë me rimel dhe çfarë lloj buzëkuqi kishte vënë. E gjeti këtë si një lloj engledisje për të vrarë kohën e mërzitëshme.
Gruaja apo vajza, herë dukej e herë zhdukej, herë kthehej me kurriz e herë me bark nga ai. Dhe këto veprime të saj, gjasme se ajo po merrte rreze dielli, inxhinier Agimit i dukeshin si thirrje apo ftesa për t’u afruar e miqësuar. Nuk ishte aq i pacipë sa të mund ta përshëndeste apo të hynte me të në bisedë deri sa askush nuk e kishte prezantuar. Ama kur ajo ishte kthyer me kurriz, ai i lëshonte pa fre ata sytë e tij lakmimtarë e të uritur si të një studenti të zbritur nga fshatrat e thellë malorë. Zëri i bosit që vazhdimisht kërkonte furnizime e kishte shkëputur sa e sa herë nga ëndërrimet. I kthehej punës me zell, por mendjen e kishte lënë aty tek vila përballë. Stivoste materialet e saposhkarkuara apo afronte dërrasa në katin e parë të ndërtesës që po hidhte shtat dhe me lezet e gjente momentin të përfshinte me sy atë alamet femre, seksi dhe të paturp.
Pas disa ditësh, gruaja apo vajza përballë, nuk doli më tek dera e shtëpisë së saj. Porta as hapej e as mbylljej. “Ndoshta ka shkuar diku gjetkë”, tha me mendje dhe vazhdoi punën duke psherëtirë. Pas dy javësh ishte montuar krejtësisht skeleti prej druri i gjithë godinës me dy kate. Binte erë rrëshirë. Trarët dhe dërrasat prej pishe kishin marrë ngjyrën e gjalpit të lopëve. Në Kanada, për shkak të temperaturave të ulëta, shtëpitë ndërtohen prej druri dhe mbushen midis me sfungjer, ndërsa nga jashtë vishen me tulla zjarrduruese. Materialet janë standart dhe të gatshme, kështu godina ecën shpejt. Pranvera është koha më e volitshme për ndërtime.
Në një prej atyre ditëve, inxhinier Agimi nuk po dëgjonte as zhurmën e çekiçit dhe as zërat e bashkëkombasve të tij. “Po këta ku humbën”? i bëri vetes një pyetje. Dhe u nis të shihte. Sa vuri këmbën në katin e dytë, i pa që ishin ngjeshur që të tre njëri pas tjetrit duke shikur në drejtim të vilës përballë. Nuk di si e qysh kishin siguruar një dylbi dhe kqyrnin me radhë të strukur pas shtyllave prej pishe. I bënë shenjë të mos ngrinte zërin. Pas pak ia kaluan edhe atij dylbinë. Tej murit, nja dy metra e gjysmë të lartë, paskishte pishinë. Brenda saj notonte një femër. Ishte biondja që atij i kishte humbur nga sytë. Në kopshtin pas shtëpisë ajo paskishte një pishinë goxha të madhe.
– Është pa brekë, është cullak, – tha bosi duke kruar dhëmbët me një kleçkë pishe – kjo tregon se ajo është vetëm në shtëpi, pa njerëz.
– Se mos bëni gabim dhe e filmoni me celular se po u ankua, na piu e zeza, – sugjeroi vëllai i dytë.
– Me sa duket ajo është nxirë sepse më parë ka bërë banjo dielli. Vini re; vetëm bythët dhe gjoksi i duken të bardha, – tha i treti që u duk se ishte më i interesuar.
– E paska si pyjet e Lurës… Jepjani dylbitë edhe Karçinit të kullosë sytë e të englediset një copë herë, – tha bosi si për mëshirë.
Agimi i mori dylbitë me ndrojtje. Ishte nervoz dhe i dridheshin pak duart, por atyre nuk u ra në sy. Rregulloi fokusin e veglës dhe kopshti u shpalos ja aty, poshtë hundës së tij. Vajza apo gruaja i ra me not mes për mes pishinës dhe u drejtua tek shkallarja e hekurt. Ai pa se si bulëzat e ujit mbi kurrizin e bardhë u rrokullisën sumbulla-sumbulla duke u kthyer nga kishin ardhur. Dukeshin si vesa e mëngjesit mbi bar. Tani ai po shihte qartë një trup të rregullt e të bukur mbuluar nga një push i hollë si ndryshk hekuri.
“Arkitekturë e përsosur” gati sa nuk foli me zë, por u përmbajt në sekondën e fundit. Nuk duhet t’u jepte shkas kuksianëve ta komentonin. Njëri prej tyre, ai më i riu, nuk u përmbajt më, por iu lëshua një arkitrari vertikal duke e shtrënguar fort me të dy duart. “Pasha zoten, e dini çfarë i baj unë asaj? I qit ujë të zi, e baj për spital”! Të tjerët qeshën me të madhe, inxhinieri vetëm vuri buzën në gaz. E pse duhet ta bënte për spital?!
Të nesërmen temperaturat u ulën, moti u ftoh dhe ata më kot pritën që gruaja të zhvishej përsëri e të rrëshqiste si ngjalë në kaltërsinë e pishinës. Por mësuan diçka tjetër prej shoferit që sillte materialet. Ai tha se e njihte, quhej Silva. Jetonte vetëm, shtëpia ishte e saj dhe para një viti ishte ndarë me burrin, një refugjat polak. I kishte vënë munxat burrit sepse ai kishte një ves të keq; shpenzonte gjithë rrogën në kazino dhe në shtëpi nuk sillte asnjë grosh.
Inxhinier Agimi vazhdoi punën si zakonisht, buzë trotuarit.
Gruaja doli përsëri tek hyrja. Kësaj radhe rrobat i kishte shkurtuar edhe më. Ndoshta do t’i kishte hequr fare sikur të mos e bezdiste vështrimi grabitqar i shqiptarit që priste në rrugë të mbërrinin materialet e ndërtimit. “Tani është vetëm e imja”, mendoi ai, por e kishte gabim. Nuk ishte tamam ashtu. Gjërat nuk janë gjithmonë ashtu siç duken në pamjen e parë.
2.
Inxhinier Agimi, së bashku me nusen e tij të re, përpara njëmbëdhejtë muajsh kërkoi strehim politik në Kanada. E dinin se historia që kishin sajuar nuk ishte fort e besueshme, por le ta provonin fatin, nuk humbisin asgjë. Erdhën në kontinentin amerikan si zotërinj të respektuar me linjën e “Lufthansa”, me vizë të rregullt vizitorësh. Nuk ngjanin fare me ca budallenj bashkëkombas që ropateshin nëpër vaporë e trajlera dhe mbërrinin në Kanada pas një apo dy javësh të lodhur e të rraskapitur. Këta ishin të pudrosur, të larë e të hekurosur. Në fund të fundit ishin njerëz të nderuar e jo si ata halabakët që zbrisnin nga bjeshkët. Vërtetë vinin nga një vend i varfër, por këta ishin “intelektualë të persekutuar të dorës së parë”. Burri inxhinier dhe bashkëshortja arkitekte e sapodiplomuar. Përpara se sa “Boeingu 777” të prekte tokën kanadeze, nusja e re hapi çantën e vogël, nxori parfumin francez “Yves Sant Laurent” dhe i shkoi një vrushkull të lehtë bluzës dhe noçkave të duarve. Gjithë edukatë e mirësjellje ata u paraqitën në policinë kufitare të aeroportit. Kërkuan strehim në kontinentin amerikan. Policia kanadeze i dëgjoi me kujdes, mbajti shënim, formuloi një proces-verbal dhe u kërkoi adresën se ku do të qëndronin përkohësisht. Ata dhanë emrin e një hoteli të vogël në periferi të Torontos të cilin e kishin pronotuar qysh nga Tirana. Edhe pse hoteli ishte ndër më të lirët, në pak ditë, ua thithi me shpejtësi të gjitha kursimet që kishin sjellë me vete. Kështu, arkitektja e re u detyrua të kërkojë ndihmë financiare tek prindërit në Shqipëri. Puna e parë që bënë të dy së bashku ishte hetimi për të gjetur shtëpi me qira. Ende nuk kishin vizituar qendrën e Torontos.
Mbetën përmbys mbi fletushka reklamash e internet për të gjurmuar ndonjë hyrje apartamenti të lirë, por kudo ishin shumë të shtrenjta, lëre më që kur u thoshnin se jemi emigrantë dhe ende nuk kemi marrë letrat, qiradhënësit u kthenin krahët. Më në fund u gjend një kanadez shpirtmadh. Kur ai mësoi se ata zotëronin e flisnin gjuhën e nënës së tij, italisht, mbylli sytë e nuk u kërkoi më dokumente. I besoi paraqitjes së tyre. U tha se kishte një bodrum të lirë, dhomë e kuzhinë për 1000 dollarë në muaj. Panë ç’panë, e morën. Ishte kati nën tokë i një apartamenti të vjetër i cili ndriçohej vetëm nga një rrip drite e cila vinte nga jashtë, prej baxhës së ngushtë. Nënshkruan kontratën dhe menjëherë nisën nga sistemimet e pastrimet. Pas një jave, u qetësuan disi. Laurës nuk i kishte pushuar dhimbja e kokës qëkurse hynë në bodrum. Nuk e përfytyronte dot veten të jetonte gjatë aty. Dhe një mbrëmje i tha të shoqit:
– Turp e faqja e zezë, shyqyr që nuk na viziton njeri në këtë vrimë miu, ne as në Tiranë, në çdo regjim, nuk kemi jetuar në këto kushte. Të paktën aty kurrë nuk na ka munguar drita e diellit. Këtu nuk merrr vesh çfarë bëhet jashtë, është diell apo shi, fryn erë apo vjen stuhi.
– Durim, – i tha i shoqi – është situatë e përkohshme, do t’ia dalim. Mos harro, ka ngrohje me gaz, kjo është e rëndësishme. Në Kanada dimri të pi gjakun. Njëri nga ne të dy duhet të gjejë punë. Nëse aprovohet asistenca, paguajmë qiranë dhe na mbeten edhe 400 dollarë në muaj, por ne nuk jemi as në tokë e as në qiell.
– Unë do të filloj kurse dhe specializime, – i tha Laura – si të shkoj unë pjatalarëse?! Kurrë, harroje. Më mirë kthehem në Tiranë. Nuk ka punë për arkitekte, nuk na njihet diploma as ty e as mua. Këta duan eksperiencë amerikane ose kanadeze. Kot i hymë kësaj valleje, ti ma bëre. Ishim mirë.
– E di, e di, por nuk ka turp më të madh se sa të kthehemi mbrapsht, sidomos me ato telashet që më janë hapur në Durrës. Kishte rrezik të arrestohesha. Atëherë më mbetet mua radha të pranoj një punë çfarëdo, – i tha i menduar e pak nervoz duke vështruar ca pllaka të plasaritura në dysheme.
– Në radhë të parë duhet të gjejmë atë avokatin çifut që na rekomanduan para se të niseshim këtu. Qysh nesër merru me këtë punë, – i sugjeroi Laura e cila gjithmonë merrte e para nisiativën për çdo hap të ri që duhet të bënin.
– Si na thanë për të, “piks ujin dhe e bën djathë?”, ashtu qoftë, por flasin se ka dorë të rëndë, – ia ktheu i shoqi dhe u përkul mbi ekranin e laptopit për të gjetur adresën e avokatit me famë.
Vendndodhjen e gjeti në internet pa shumë mundim. Përcaktoi adresën e zyrave dhe vuri re se mund të kapej me linjën e metrosë. E gëzoi ky fakt; nuk do të paguanin taksi. Gjeti adresën e e-mailit të avokatit; u prezantua me mesazh dhe kërkoi takim. Inxhinier Agimi është aty afër të tridhjetave. Ka fytyrë rrumbullake e të lëmuar, të lyer si me vaj, flokë gështenjë, të dendur e me bukle. Është burrë i qetë dhe i ëmbël. Inatoset rrallë dhe buzëqesh bukur, edhe kur punët i ka keq. Buzëqesh si një aktor filmash. Pikërisht ajo buzëqeshje e rrëzoi Laurën përdhe qysh studente dhe e bëri t’i thotë po martesës. Nuk qe e thënë që lidhja bashkëshortore t’u ecte mbroth. Tërmeti që ra në Durrës u ngriu buzëqeshjen në buzë dhe ua prishi ëndërrat. Një pallat katërkatësh që kish ndërtuar inxhinier Agimi, ose më saktë ku kishte punuar si zbatues projekti, u rrafshua nga themelet duke plagosur tetë banorë, ndërsa dy prej tyre ishin varrosur nën gërmadha. I nxorën pa jetë. Tragjedi e paparë. Shteti kishte filluar hetimet. Ai e ndjeu se do të bëhej kokë turku, nuk kishte përkrahje. I shkoi mendja tek një vizë turistike kanadeze që kishin marrë para disa muajsh për muajin e mjaltit, por nuk e kishin konsumuar. Pas debatesh, grindjesh e mosmarrëveshjesh, më në fund Kanadanë e panë si barkë shpëtimi. Pa një, pa dy, u nisën. Po bënin njëmbëdhjetë ditë pas mbërritjes dhe ishin tym. As ndërtesat, as kulla, as liqeni, as rrugët, as pyjet, as parqet, nuk u hynin në sy. Në çdo hap duheshin shpenzuar para dhe qëndrimi ishte i pasigurtë. Kishin rezervuar vetëm ca dollarë për avokatin, por ende nuk dinin saktësisht se sa do të kërkonte ai peshkaqen. Pikërisht kur Agimi kishte mbyllur laptopin, e shoqja u kthye nga ai me rrëmbim dhe i tha se ndeshi një lajm të çuditshëm në njoftimet e televizionit lokal. Flitej për një virus të ri, të panjohur i cili qarkullonte në Kinë, në Vuhan me 11 milion banorë. Thuhej se njerëzit vdisnin në rrugë, tak, fak, binin si pulat, u zihej fryma, sikur një njeri i padukshëm u mbërthente fytin e nuk i lëshonte gjersa jepnin shpirt.
– Lavdi Zotit që Kina është shumë larg Kanadasë, – tha ai duke fërkuar sytë dhe shkoi vetëm drejt dhomës së gjumit.
Ndryshe nga i shoqi, Laurës i la mbresa të thella ai lajm. Thuhej se ishte një virus i ri, i panjohur dhe i rrezikshëm i cili po kërcënonte njerëzimin. “O Zot, vetëm armë biologjike luftarake të mos jetë”, mendoi dhe lëvizi pultin në kanale të tjerë televizivë. Ja ku e ndeshi përsëri virusin e panjohur në lajmet kryesore të CNN. Nuk ishte shaka, qenkishte punë me spec. Vazhdoi të kërkonte në gjithë kanalet televizivë të botës, por ai lajm nuk përsëritej më. E stresuar e gjithë ankth shkoi edhe ajo të flerë.
3.
Avokati u ktheu përgjigje se i priste në çdo kohë; nga ora 10 e mëngjesit gjer në orën 5 mbasdite, veçse duhet të njoftonin një ditë më parë. Ashtu vepruan. Pas dy ditësh, u nisën herët në mëngjes, të dy së bashku. Pa u hapur zyrat u gjendën përpara derës ku shkruhej emri i avokatit të njohur dhe grada e tij shkencore. U habitën kur një vajzë e re, brune, simpatike, plot mirësjellje i përshëndeti në gjuhën shqip dhe u prezantua si asistente e profesorit. Ajo u tha se para dy vjetësh kishte mbaruar për drejtësi në Otava. Ishte zgjedhur nga vetë profesori si ndihmëse e tij kur ai pa rezultatet në provime. Dhe mbeti këtu. Kishte filluar menjëherë punë tek zyra e tij. Merrej vetëm me shqiptarët. Duhet t’i tregonin historinë e tyre pse kërkonin strehim në Kanada me qëllim që ajo të ndërtonte kejsin, ose si i thonë në shqip, rastin. Çifti, herë njëri e herë tjetri, folën për rreth dy orë. Asistentja dëgjonte me durim dhe mbante shënime në një bllok të madh. U vuri përpara kafe të gjata amerikane dhe u tha të prisnin. Ajo do të relatonte rastin e tyre tek profesori. Mbaruan kafet dhe po kërkonin koshin e mbeturinave kur asistentja i ftoi të hynin në zyrën e profesorit. Ai duhet të ishte; një burrë i bëshëm, me mjekër të shkurtër e me flokë të zbardhura. Duhet të ishte tek të gjashtëdhjetat. U foli të dyve me emër. Sillej thjesht e me lirshmëri, sikur i njihte prej kohësh.
– Nuk mund ta fitoni gjyqin, argumentat që ju i keni parashtruar asistentes sime janë kështjella rëre. Nuk ka gjyqtar që i gëlltit, edhe më budallai i Kanadasë. Ndërtoni një histori tjetër si për shembull me gjakmakmarrje ose nga ata njerëzit që e veshin këpucën mbrapsht dhe në vendin tuaj përndiqen e persekutohen. Kaq kishim së bashku, vazhdoni me asistenten. Ajo do t’iu ndihmojë, ose kërkoni një avokat tjetër në se shërbimi ynë nuk u pëlqen.
Të dy, burrë, grua, ngrinë në vend. Nuk i prisnin ato fjalë. Agimi fërkoi tëmthat me mollëzat e gishtrinjve, ndërsa Laura pickoi kofshën e saj nën tavolinë për të kuptuar në se ndjente. Ishin të vërteta ato që dëgjoi apo i bënë veshët?! I ngjau sikur ishte mbërthyer për karrike e nuk lëvizte dot. Asistentja shqiptare ua bëri me shenjë të mos flisnin. U hodhi dorën në sup me dashamirësi e delikatesë dhe i ftoi të shkonin në zyrën e saj.
– Dëgjoni miqtë e mi, ju mbeten dy rrugë, nuk di në se e kuptuat profesorin? Aplikuesi kryesor që besoj se jeni ju zoti Agim, duhet të jetë anëtar i shoqatës LGBT, ose nën trysni gjakmarrjeje. Zgjidhni e merrni që unë të ndërtoj rastin tuaj.
– Qyqja, – tha Laura me një ndjenjë përçmimi – pederast?! Kurrsesi, ta dimë sikur nesër të kthehemi në Tiranë.
Agimi shtrembëroi fytyrën. Këtu po bëhej fjalë për jetën e tij. Duhet të zgjidhnin variantin më të sigurtë. Kush do ta merrte vesh se si e fituan statusin në Kanada, mjafton të fitonin gjyqin. Ishte arritje e madhe sikur t’i mbanin këtu. Një pjesë e mirë e shqiptarëve të cilët mburreshin se kishin fituar status në vendet perëndimore ishin deklaruar homoseksualë. Me statistika Shqipëria dilte vendi i dytë me homo, pas serbëve.
– Zonjush, na pret edhe një ditë të mendohemi mirë dhe të vijmë nesër të përgatitur? Me qetësi ta ndërtojmë së bashku rastin tonë, – i tha ai gjithë mirësjellje asistentes së avokatit të njohur.
– Është normale, për ju do të lë çdo punë, këtu më keni, mund të vini pa lajmërim, – u tha ajo dhe u ngrit më këmbë duke u dhënë dorën.
– Rasti ynë do jetë me gjakmarrje, – tha Laura duke marrë drejtqëndrim si një kadete policie.
– Edhe diçka tjetër e vogël; mos harroni të sillni me vete gjysmën e shumës së parave, 3000 dollarë kanadezë, kësti i parë dhe pas një muaji kësti i dytë, po kaq.
– Si shumë?! – tha Laura e skuqur në fytyrë, ndërsa Agimi u ngut të binte dakord. Asistentja buzëqeshi me mirësjellje. Vështrimi i saj sikur thoshte: “Duhet të kishit ardhur të përgatitur”.
Dolën në ajër të pastër. Frynte era si brisk që nisej me zëmërim që nga Poli i Veriut. Të thante gjakun, por ata nuk e ndjenin nga që mendonin bisedat me spec që u bënë në zyrën e avokatit çifut.
– Ore, mos je ndonjë pederast i fshehur ti dhe unë nuk e kam ditur?! – e pyeti seriozisht Laura me faqet ende të përflakura. Era e veriut nuk bënte punë tek zjarri që i ishte ndezur së brendëshmi.
– Unë nuk jam i ngopur akoma me femra dhe ti dyshon për pederasti, – i tha ai gjithë ironi e përçmim.
– Domethënë as unë nuk të mjaftoj, – i tha ajo dhe nuk ia hodhi më sytë gjer sa mbyllën derën e bodrumit ku ishin strehuar.
Në shtrat Agimi u detyrua ta përkëdhelë e ta lëmojë të shoqen sikur ajo të ishte një mace ledhatare. I duheshin para për gjyqin dhe vetëm ajo mund t’i siguronte. Laura i ktheu kurrizin duke lëshuar një psherëtimë të gjatë. Atë natë fjetën pa folur. Kur inxhinierit i doli gjumi ndaj mesnate, iu ringjallën sin ë një film britmat e ulurimat e një prej banorëve të pallatit të rrëzuar katërkatësh në Durrës. Iu kujtua se i revoltuari ishte me theks verior. Afërsisht ai thoshte: “Fëmija em u gjakos aty nan rrënoja, u gjakos e nuk doli ma i gjallë. Gjaku do gjak. Mua më duhet gjaku i tij dhe atë do t’ia marr pronarit të këtij pallati. Kam lanë jetën teme në gurbet, kam pague qimet e kokës. E nji tash humba edhe fëmijën shtatë vjeç, mos më thançin në emnin Frrok po nuk lava gjakun tem!”. Vërtetë banori akuzonte pronarin e pallatit, por hetimet me siguri do të binin edhe mbi zbatuesin e projektit, pikërisht mbi atë. Dhe gjaku për ta shlyer sigurisht do t’i mbetej në shpinë vetëm atij. Deshi të zgjonte Laurën nga gjumi e t’i thoshte se e ndërtoi kejsin për gjyq, por historia ishte e ngatërruar dhe dyshoi se ajo nuk do ta kuptonte.
4.
Epidemia mbërriti edhe në Kanada. E solli një grua kanadezo-iraniane e cila nuk e dinte që ishte infektuar. U sëmurën pasagjerë, punonjës të aeroportit derisa u muarr vesh kush e solli dhe nga erdhi infeksioni. Pati një përhapje me shpejtësi të jashtëzakonshme. U shënuan të vdekurit e parë. Rasti më flagrant ishte i një çifti i cili u kthye nga Italia. Edhe tek ata infeksioni ishte i heshtur e tinzar. U muarr vesh që ishin të infektuar kur babai i tyre në azilin e pleqve ua futi virusin shumicës së bashkëjetuesve. Vdiqën 70 përqind e pleqve, u sëmur i gjithë personeli sanitar. Disa prej sanitareve punonin edhe në azile të tjera. Ngado dëgjoheshin thirrjet: “Të ndërpresim zinxhirin e infeksionit!”, por infeksioni ishte më i shpejtë se sa masat e njerëzve. Po përhapej sikur mbillej me dorë. Vdiqën 100, 200 vetë, njëmijë, kryesisht pleq të azileve deri sa arritën pesëmijë. Ishte si një mallkim për fëmijët e tyre që prindërit nuk u ishin dhembsur dhe i kishin strehuar në azile.
Laura ngeci si e zënë në çark, as nuk mund të fillonte ndonjë kurs, as në Shqipëri nuk mund të kthehej. Linjat ajrore me Europën ishin ndërprerë. Bëri ç’bëri iu nënshtrua fatit, por në bark ndjente një si gur të ftohtë. Për inat nuk ia pagoi lekët e gjyqit të shoqit dhe ai u detyrua të prishë interesin e ca parave të depozituara në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Të 6000 dollarët i pagoi një më një nga llogaria e tij. Avokati i tha se kishin shumë shanse ta fitonin gjyqin. Asistentja e tij kishte bërë punë me merak, kishte përkthyer shumë artikuj gazetash për tërmetin si dhe kërcënime të banorëve, madje nga youtube kishte regjistruar ca video. Bëri vetëm një hile, inxhinier Agimin e indentifikoi si bashkëpronar në pallat. Edhe Laura po bindej se paratë nuk i kishin paguar kot. Avokati u siguroi librezat shëndetësore dhe ata morën falas çdo shërbim si dhe medikamentet. U siguroi numrin provizor të punës dhe nisi të rrjedhë për ta asistenca 1400 dollarë në muaj për të dy së bashku. I gjeti punë Agimit në një magazinë perimesh, por ai nuk mund ta përballonte gjatë atë proces sepse kishte lodhje të jashtëzakonshme dhe dhimbje mesi. Dikush i sugjeroi se duke punuar me shqiptarët në ndërtim edhe asistencën mund ta merrte edhe pagesën e kishte kesh, 150 dollarë në ditë. Por as kjo lloj punë nuk ishte e thënë të zgjaste shumë. Pse?
Ndaj mbrëmje, një honda policie ndaloi afër pallatit të vjetër ku ata banonin. Polici, një djalë i ri, me mollëzat e faqeve të dala, me sa dukej me origjinë aziatike, la makinën me drita të ndezura në rrugë, i ra ziles në hyrje dhe thirri në citofoni emrin Agim Kurro. Sa dëgjoi emrin e tij, ai la përgjysëm kafen kanadeze, u çua me qetësi, hodhi një triko krahëve dhe doli jashtë, ashtu, i veshur me tuta sportive dhe pantofla. Laura me veshin pipëz, sa dëgjoi se po e thërriste një polic, u vesh me shpejtësi dhe e ndoqi pas. I ishte ngulitur në tru se i shoqi mund të ishte ndonjë pederast i fshehur dhe kushedi ku qe ngatërruar. Nuk kishte si shpjegohej që ai në rastin më të parë për gjyq, pranoi të ishte anëtar i shoqatës LGBT. Polici diçka po tregonte, por kur vuri re gruan që po dëgjonte bisedën, ndaloi dhe i tha asaj: “Zonjë, është bisedë private, nuk mund të jeni prezent”. Ajo u ndje keq, u bë prush në fytyrë, por nga vendi nuk lëvizi: “Është burri im”, i tha serbes. “Pavarësisht”, tha polici. Atëherë i hipën xhindet dhe nuk dyshoi më që burri ishte pederast. Por ishte pikërisht i shoqi ai që i erdhi në ndihmë dhe e nxori nga ajo situatë qesharake:
– Është gruaja ime, zoti polic dhe ne nuk kemi asgjë të ndarë, ju lutem flisni lirisht.
– Ok, – tha polici – ju zotëri jeni gjobitur me 1000 dollarë gjobë. Keni përndjekur një grua, aty ku ju punoni. Këtu janë filmimet e kameras së policisë. Gruaja ju akuzoi se ju e keni përndjekur në mënyrë sistematike dhe me këmbëngulje. Ne e vërtetuam akuzën e saj nëpërmjet filmimeve.
– Çfarë thoni kështu zoti polic, unë as kam folë ndonjëherë me të dhe kurrë nuk i kam shkuar pas, – foli i revoltuar Agimi. Pastaj për një moment u step nga që solli ndërmend vëzhgimet me dylbi të vajzës cullake në pishinën e vilës përballë. Ndoshta edhe kuksianët ishin gjobitur. Laura u turbullua dhe nuk e kuptoi qartë akuzën dhe përse bëhej fjalë.
– Më falni zoti polic, ky po përndjek një grua apo një burrë?
– Një grua zonjë, por mos u shqetësoni se bashkëshorti juaj nuk është agresiv. Në Kanada mund të flasësh e t’i thuash gjithçka një femre, madje edhe mund t’i propozosh, por as mund ta përndjekësh me sy e as mund ta gjurmosh me makinë. Ndoshta ju nuk i njihni këto ligje se jeni të rinj e vini nga një vend i prapambetur i Europës. Është kjo arsyeja që ne iu dhamë gjobën minimale, njëmijë dollarë. Kaq ishte e gjitha, kjo masë nuk hyn tek rekordet kriminale. Këtu keni një kopje të regjistrimeve të kameras sonë. Urdhëroni diskun.
U ndanë me policin dhe hynë në bodrum, sekush në të tijën; të dy të bërë tym. Faqet e Laurës ende digjnin sa mund të piqje në to një picë dhe inxhinier Agimi bënte gati mbrojtjen ndaj kthetrave të saj kur ajo të shikonte bjondinën nudo në video. Por videoja e policisë nuk kishte asgjë të tillë. Vetëm ca kthime të herëpashershme kryesh të tij drejt vilës përballë.
– Për këtë duhet të paguajmë 1000 dollarë?! – pyeti Laura me përçmim dhe vazhdoi – Po të zbatohej ky ligj në Tiranë do gjobiteshin gjysma e meshkujve.
Dhe qeshi me të madhe sepse iu kujtua fakulteti dhe koha kur nuk i ndaheshin vështrimet djathtas e majtas rrugës. Nga ana tjetër ishte e gëzuar që burri i saj nuk ishte pederast, kjo ishte kryesorja. Pas një muaji grindjeje të vazhdueshme, atë natë ajo i ktheu gjijtë e fryrë dhe i futi këmbët në mes të shalëve. I tha në rrëzë të veshit duke u përkëdhelur:
– Mos u bëj merak, shpirti im, ke mua si llokum me mjaltë, më ke sa për njëqind bjondina.
Dhe i zuri gjumi, ashtu të përqafuar, duke qeshur me ligjet kanadeze. Vetëm ai njëmijë dollarshi u dhembi pak….
Toronto, shtator 2020.