Sadik Bejko: TË BIESH NË DET…
Rrugët e çojnë në det.
Drejt e në det.
Në det le të bjerë
ai që vjen nga mespërmesi i batakut, i llumit
ai që nuk i shmanget, për dreq,
kënetës dhe në fletët e fshehura,
thellë të fshehura të gjumit.
Zemra shtrënguar në morsë
lakuriq kafshuar nga nofull qeni
frenuar nën rrotë
aq gjatë gjaku lakuriq
pisk nën rrotë…
Ky njeri
në det të bjerë
si një gur
pa sy dhe pa veshë, pa krahë për not.
Në e pastë frikë ujin,
të zhvishet i vetëm në breg
të zhvishet krejt cullak
të heqë dhe lëkurën…
i gjallë si fli feste
të vishet krejt në të tijin gjak,
me vesë e hala pishe te një shtrat
i trashë, i thellë, i pjekur
të shtrihet ashtu nga rrobat
dhe nga lëkura e vet i zhveshur.
Në qetësinë pa anë
në ajrin paanë
në pluhurin pa anë
një grimë, një grimë
të vdesë ashtu i lakuriqtë
nën më të bukurin
më të vjetrin ndër savanë
Në s’ vdektë, të ndërrojë si pemët
gjethe të reja
mbi të vjetrat skelete…
kohë mbas kohe
të gjithëve
na duhet pak gjumë vdekjeje.