Shaban Murati: Sekuenca serbe
1. Serbia ka 18 vjet që refuzon të nënshkruajë me Shqipërinë marrëveshjen dypalëshe për njohjen e diplomave, të cilën Tirana ia ka propozuar Beogradit qysh në vitin 2002, dhe të cilën presidenti Vuçiç ia premtoi zyrtarisht kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në Beograd në 2014 se do ta nënshkruante.
Kaluan gjashtë vjet edhe nga premtimi i presidentit serb dhe nënshkrimi nuk u bë, dhe Serbia tani tallet me Shqipërinë, duke i premtuar se do ta nënshkruajë në kuadrin shumëpalësh rajonal të “mini Shengenit”. Dhe ju besoni premtimin serb të shtatorit 2020 se Serbia do të nënshkruajë me Kosovën marrëveshje dypalëshe për njohjen e diplomave, ku si shtet i pavarur në testato shkruhet “Republika e Kosovës”?
2. Serbia anulloi në 9 shtator pjesëmarrjen e forcave ushtarake serbe në manovrat e përbashkëta ushtarake në Bjellorusi me forcat ushtarake ruse dhe bjelloruse, të koduara “vëllazërimi sllav”, sepse siç deklaroi qeveria serbe “BE ushtroi presion të tmerrshëm mbi Serbinë”.
Kjo do të thotë se BE disponon instrumente të forta presioni dhe detyrimi mbi Serbinë. Ndaj nuk mund të mos lindë pyetja: Përse BE nuk i përdor instrumentet e presionit të fortë për të detyruar Serbinë të njohë Kosovën, por vjen vërdallë me dialogun karusel në Bruksel prej afro 10 vitesh?
Përse BE ka harruar se 16 shtete anëtare të saj morën pjesë në fushatën ushtarake të NATO-s kundër Serbisë në 1999 për të ndalur gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë dhe Serbia doli nga lufta si shtet i mundur?
Përse BE bën presione të “tmerrshme” mbi Serbinë për Bjellorusinë, kur e di BE nuk do ta marrë kurrë Bjellorusinë nga Rusia dhe nuk bën presione të “tmerrshme” mbi Serbinë për Kosovën, që është shtet europian, properëndimor dhe proatlantik, që nuk shkon kurrë te Rusia?