Albspirit

Media/News/Publishing

Vangjush Saro: Liliputë përqark staturës madhore të Ismail Kadaresë

 

Në vitin 1985, kthehesha një mbrëmje nga Tiranë në Gramsh me makinën e një zyrtari të rangut të mesëm. (E bëja këtë rrugë çdo javë, për vite me radhë, sepse në kryeqytet nuk kisha gjetur ende shtëpi dhe punë për gruan). Në udhëtim e sipër, nuk di se si ra biseda për letërsinë; (edhe ai zyrtari shkruante nga pak).

Papritur hidhet shoferi. Dhe thotë një gjë pak a shumë kështu: “Edhe ky Ismaili… Po do ta hajë një ditë, do ta hajë”. Zyrtari nuk foli. Unë thashë që nuk flitet kështu për një shkrimtar të njohur. Kurse vështrimi im shkonte edhe më tej: “O shok me tetëvjeçare, shiko timonin…”.

M’u kujtua ky episod, ndërsa lexova në disa media një intervistë të shndërruar në shkrim të një gazetari amerikan, njeri disi i çuditshëm, që pretendon se njeh moralin dhe ka ndërruar disa herë bindje politike e fetare. Kisha lexuar edhe më parë sulme të dëshpëruara kundër Kadaresë, por nga shkrues të panjohur. Kjo puna e Ismailit është njëlloj loje a prove. Janë të shumtë shkrimtarët që kanë dëshirë ta shikojnë me ‘shpatulla për muri’. (Për çudi, kështu ka qenë gjithnjë). E kështu, njerëz me dhe pa emër, qasen herë pas here te statura e nderuar e shkrimtarit dhe përpiqen të gjejnë sërish ‘armikun’, epo ndonjëherë komunistin e poshtër, shkrimtarin e realizmit socialist që ka shkruar për ‘rendin e shkuar’ (dhe hë, prandaj nuk bëhet fjalë për t’i dhënë çmimin Nobel). Kushedi prej sa kohësh, në çaste që nuk di ç’përcaktor t’iu ngjis, dikujt i teket të hapet një diskutim për Kadarenë. Dhe disa media, me shpresë se mund të tërheqin sadopak blerësit, i shkojnë pas sakaq, madje pothuaj në një stil stalinist, duke mos marrë mundimin për as për më të voglin shpjegim, sikur të bëhej fjalë për një dokudo e një dosido dhe jo për shkrimtarin më të njohur shqiptar, ndoshta për shqiptarin më të njohur në botë pas Nënë Terezës.

Kështu edhe me intervistën e gazetarit amerikan, që disa media e kishin paraqitur si një prozë kritike pa kokë e pa këmbë, njëlloj përçartjeje e llomotitjeje në jerm. Nuk e kisha dëgjuar më parë këtë emër; të këtij gazetarit; nga sa mësova falë mundësive që të jep teknologjia e sotme e informacionit, babai i zotërisë ishte çifut, e ëma protestane. E motra ishte komuniste. Ai vetë ka qenë fillimisht komunist dhe mbështetës i Bashkimit Sovjetik. Ka shkruar poezi. Ka treguar interes për trockizmin, pasi që ka lundruar një kohë midis stalinizmit dhe trockizmit. Thotë se më pas është gjendur mysliman. (Mund ta shikosh në foto të veshur si haxhi). Punë e tij. Po ato çka llomotit për Kadarenë, janë të kobshme, të ulëta. Dhe ne nuk i kemi tepër njerëzit e njohur të kulturës, që të rrimë e të sajdisim lloj-lloj intervista e parashtrime pa sens, plot urrejtje. Nuk mund të shkohet gjithë kohës duke vjellë vrer ndaj dikujt që prej mëse 40 vitesh botohet e ribotohet në gjuhët më të njohura e më të folura në botë dhe që merr çmime prestigjioze, duke i qendruar në të njëjtën kohë mjaft pranë çështjes shqiptare. Kjo më kujton takimin me një shkrimtar të vockël në Tiranë, që më tha njëherë, teksa e pyesja si po ia çonte me krijimtarinë: “E ç’të bëjmë! Sa të jetë ai Perandori i letrave…” Shikoni se si shpërthen puçra e shëmtutë e zilisë te liliputi më i parë. Po ç’të ka prishur ty ai, more zotëri? Pse nuk ia ‘mori’ ai lavdinë Petro Markos, Jakov Xoxës, Dritëro Agollit, Martin Camajt, Fatos Kongolit, Visar Zhitit?

Gjithsesi, nuk ka shumë për t’u çuditur në gjithë këtë parashtrim, pasi shumica e atyre që i kërkojnë llogari Kadaresë për atë kohë, kanë qenë për vete pikërisht në këto ujëra, dikush me Enverin, dikush me Mao Ce Dunin, ndonjëri me Stalinin, pastaj kanë ndërruar fe e ideologji…Kjo e bën edhe më groteske figurën e kujtdo që përpiqet të kapet pas të njëjtës fije ku vareshin pak a shumë të gjithë, për një kohë edhe një pjesë e Perëndimit, që e pa Komunizmin si ç’të ishte…

Jam i një mendjeje me disa qëndrime kritike të formuluara me qytetari, kur mendoj se sot kanë dalë në dritë fakte që i vënë para përgjegjësisë (morale) shumë prej ish-drejtuesve dhe ish-punonjësve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Edhe pse një pistë ku mund të ‘vrapohej’ disi me hile, pra mund të bëhej më pak gjueti shtrigash (krahasuar me segmente të tjera të jetës në të atë rend), punët atje shkonin keq e më keq. Por le të ftillohemi paksa. Është mjaft e lehtë sot të kërkosh llogari e shpjegime për atë kohë. Nga ana tjetër, druaj se kritikuesit më ‘parimorë’, kanë qenë ndër lëvduesit më të mëdhenj të rregjimit. Tani, trima pas lufte, shumë asish, të mbushur me mllefe, po i shfrytëzojnë këto tablo të hidhura të së shkuarës për t’u shtirur pjesë e dizidencës së paqenë. Këto sprova ‘trimërie’ të bëjnë për të qeshur.

Po. Ka shkrimtarë dhe artistë me një biografi ku nuk përjashtohen elementet e disidencës, që gjithsesi duhen dëgjuar (lexuar) me durim; jo thjesht për shkak të vuajtjeve të tyre, por në radhë të parë ngase ata – rastësisht apo për hir të bindjeve – u gjendën që atëherë në anën e kundërt. Këtu kam parasysh një varg emrash të nderuar: Pjetër Arbnori, Maks Velo, Fatos Lubonja, Bilal Xhaferri, Piro Kuqi, etj., por edhe poetë që as nuk arritën të botonin, si Genc Leka e Vilson Blloshmi, të cilët u pushkatuan për… vargjet e tyre (!) Nuk e besoj që kjo të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër të Bllokut Komunist. Po ashtu, një sërë personalitete të tjera të letërsisë dhe artit, herë pas here kanë pësuar goditje dhe kanë qenë me një këmbë ‘andej’ dhe me një ‘këtej’: Petro Marko, Frederik Reshpja, Jorgo Bllaci, Pano Çuka, Dhori Qirjazi, etj. Por nuk mendoj se për të gjitha këto vuajtje, duhet t’iu vërsulemi patjetër shkrimtarëve më të njohur; ca më pak me tërbim dhe me sy të errur nga mediokriteti apo mossuksesi. Rasti i Kadaresë, është pikërisht një lojë e tillë, e atyre që s’dinë ku të kërkojnë lavdinë e tyre, a thua ua ka marrë dikush… Dhe hajde t’i hidhemi ta dërmojmë (!) Ja kështu kemi bërë ne edhe kundër Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës, s’e kemi për gjë të hedhim poshtë Zotin vetë, mjaft që të kemi ndonjë përfitim të vockël (!)

Që të kthehemi në temë, në një vështrim të përgjithshëm, me një të rënë të lapsit nuk e zhbën dot atë gjysmëshekullin e vështirë, ja ashtu siç ishte ai, herë-herë shtypës e tejet i ftohtë, herë-herë me fare pak shpresë. Veçmas, për disa nga ikonat e letërsisë dhe të artit shqiptar në vite, ka ardhur koha që të hiqet dorë nga sulmet pa sens. Ismail Kadare është vënë shpeshherë në qendër të diskutimeve që rrahin të hedhin poshtë ose të rivlerësojnë atë çka ka mbetur nga soc-realizmi. Nuk shkon që në këtë temë të flasësh ashtu, veresie. (Të më falë lexuesi që nuk gjeta dot një fjalë tjetër). Atëherë shumica e intelektualëve, shkrimtarëve dhe artistëve, studentët më së pari, mund të thuhet pa e tepruar, e “përgjonin” veprën e Kadaresë. Stili, gjuha, përsiatjet e dyzuara të personazheve, prirja për të sjellë diçka ndryshe, vështirë se u lënë shteg kritikuesve liliputë. Edhe në librat më të angazhuar të tij, gjendeshin “elemente të ndaluara”. Thjesht sa për një ilustrim, pikërisht te “Dimri i vetmisë së madhe”, një nga personazhet kryesore, Beni, i shkrehet vjehrrës (komuniste) të vëllait të tij: “Na mërzitët me gjithë këtë stafetën e revolucionit! Mbajeni se nuk e duam…”. Në romanin “Kronikë në gur”, Ismail Kadare rrëfen për një gjysmë budalla e gjysmë ëndërrimtar që rrekej të ndërtonte një avion. Edhe i qaset shkrimtari ngadalë kësaj qenieje të çuditshme, (që aq shumë ngjason me vetë fatin e Shqipërisë,) deri në ditën që ai provon ta ngrejë avionin e tij në qiell… Vetëm nëse nuk do të kuptosh…

Ismail Kadare, sikundër jam shprehur edhe për kolegun e tij, Dritëro Agollin – dhe ashtu si rëndom shkrimtarët e mëdhenj – të jepte përshtypjen e një njeriu që i dhimbsej shumë vetja. Dhe njëherësh, nuk pranonte se kishte rivalë. Disa e cilësonin cinik. Mendjemadh. Më vonë, e kanë gjetur edhe si një njeri pa skrupuj. Pas vitit ‘90, në vazhdimësi ai ka braktisur anën e keqe të së shkuarës të të gjithëve, por edhe shumë nga miqtë dhe miqësitë e rrethit komunist. Nuk kemi të drejtë të gjykojmë zgjedhjet e tij, ndërkohë që mund të themi pa droje se ka qenë dhe mbetet një figurë e çuditshme. Por është një yll i letrave dhe i kulturës shqiptare, një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të këtij vendi në kohëra.

Duhet t’i themi gjërat hapur. Kadare ishte edhe deputet në ‘atë kohë’. Por, për hir të së vërtetës, edhe pse një nga të “përkëdhelurit” e Lidhjes, Kadare shihej me dyshim nga vetë komunistët dhe fanatikët. Gjer edhe në sferat e larta, kishte shumë njerëz që nuk e donin; për ta, ai ishte njëlloj armiku. Përveçse me një vepër ku nuk mungonin dyzimet, (“Përbindëshi”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Mësueset e fshatit”, etj.), Ismail Kadare ishte edhe njëlloj snobi, ashtu vetvetiu. Por e vërteta është që ai nuk anonte nga të  mërzitshmit dhe “të përdorurit”. Bie fjala, qëndrimi i tij në mbledhjet e Kryesisë së Lidhjes apo në takime të tjera më të zgjeruara, ishte një detyrim që (dukej sheshit) mezi e përmbushte. Për disa nga pjesëmarrësit, mbledhjet e gjata ishin një mënyrë për t’u realizuar. Në to, gjendej koha dhe hapësira e duhur për të goditur kundërshtarët. Me sa më kujtohet, në disa mbledhje të Lidhjes – ku kam qenë si dëgjues – Kadare rrinte ftohtë, shpeshherë nuk fliste fare, mezi priste të mbaroheshin fjalët e thata dhe të ngrihej e të ikte (me sa dukej) te vepra e tij.

Po. Ai nuk vinte njeri mbi veten; por nga sa kemi parë atëherë (dhe dëgjuar më pas), edhe nuk i ra në qafë kujt. Ka një aludim në lidhje me qëndrimin e tij ndaj shkrimtarit (atëherë të ri) Bilal Xhaferri. Po ashtu për Jakov Xoxën. Luftë letrare ka pasur në çdo kohë e në çdo rend. Nga ana tjetër, Kadare nuk ishte ai më i zellshmi që të rendte pas Realizmit Socialist. Shkoni dhe i gjeni ato pikat e famshme të Zhdanovit te “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” ose te “Kronikë në gur”, qoftë edhe te lirikat “Mall”, “Kinema e vjetër”, etj. dhe pastaj e drejtojmë bisedën në një hulli tjetër.

Në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Ismail Kadare na jepte letërsinë moderne, alias moderniste. Por atje ndodhte që po ata pedagogë të cilët silleshin ‘ashpër’ me shkrimtarët dhe poetët “modernistë”, shpërndanin tekste dhe libra të tyre në gjuhë të huaj apo në shqip; (disa prej botimeve që dilnin në Kosovë)*. Të merremi me një emër të njohur që të tërheqim sadopak vëmendjen mbi veten tonë si anonimë, kjo është kaq qesharake… për amerikanë e shqiptarë. Por ndërsa të parëve s’kemi ç’t’iu themi, mes vedi le të jemi më tolerantë dhe mirëkuptues. Po flasim për një vlerë, për shkrimtarin tonë më të njohur në botë…

………………………………..

* Siç jam shprehur edhe në shkrime të tjera, në shumë vështrime, Kosova e para viteve ‘90 ishte krejt përpara nesh; e kam fjalën për botimet dhe kulturën.

Please follow and like us: