Cikël poetik nga Nexhat Halimi
Fotografia në grup buzë deti
Kaq sa e kap syri, deti ka rënë në qetësi
flenë peshqit, guacat e ndonjë amforë,
asgjë nuk lëviz, veç etja digjet në robëri,
zogu ik nga pema te pema pa kurorë.
Në angështi end në duar një fotografi,
atë fotografinë në grup, me Teutën e ty,
në të majtë ylli, në tjetrën mbi det një ulli,
ti e qeshur me flokët e prerë përballë
zot kaq kam dhembje, zjarr kam e mall.
Ka rënë nata, veç zemra nuk ka fjetur,
në mua ende zgjohet kryengritje e vjetër,
para kalasë ik e vjen hija kaherë vrarë,
e lulja mes faqesh të librit është tharë.
I vej pikë letrës i humbur në pasqyrë,
e dy pikë lot më rrëshqasin për fytyrë.
Arrij apo kot
Pikas një degë ulliri të zgjatur mbi det,
dhembje kam robëruar malli kaq vjet.
Papritur këputet një gjeth e bie në ujë,
këputet i dënuar jashtë tërësisë së vet,
krijohen unaza e zgjerohen pambarim,
vështirë të marrë frymë pa etjet e trungut,
i ngjet gjysmës së zemrës sime nën ulli.
Ja dhe ti, përhitesh ca në rërë shtrirë
të zgjohesh pastaj në majë shkëmbi,
me detin të matesh me hijen e ëndrrat,
të mos shihesh më kaq vjet veç drita e artë,
të lidh me gjethin e s’është e qartë
a dal nga pylli yt apo më thellë hyj aty.
E ec, e ec, e ec e ku arrij a arrij apo kot,
a ra apo vetëm humbi ndërmjet yjesh,
prapë të shfaqet në netët e ujkut zot,
prapë ta kthejë gjakun të rrjedhë gurit.
Nata e fundit në Ulqin
Nata i ngjet qenit të shtrirë në hapësirë,
leh në hënë, leh e nuk dëgjohet aspak
e sonte plaga jote ime e vjetër pik gjak,
e sonte zgjohen rrashtat shtrigat vetëtimat,
përhiten me kuajt e trilluar dhe trimat.
Ja kusar Mani kollitet te kullë e Servetit,
e Oso Kuka i jep zjarr vetes në Vraninë,
bajlozi bie pa shpirt nën Gjergj Elez Alinë.
Kafka mbi dritare të kohës fut tmerr,
veç lulëkuqja e gjakut më rizgjon në terr.
I përzier, i turbullt nga udha e gjatë hirit,
zbraz me fund gotën nën gjithësi të ullirit,
e ik me galerën me kaq vjet robëri,
zot, cila pjesë imja ngel gur në Ulqin,
cila pjesë imja do të më kthejë përsëri.
Vjen apo shkon
Veç `i yll i vetmuar shfaqet mbi det,
veç `i flakë qiriri gjysmë fikur në kala,
e `i frymë me veten në shpinë,
zot, nga e shpien robrin tënd mitik.
Eshtë Ago Ymeri vjen apo veç shkon,
zigzag e shkel varrën e atDheut.
Kaq vjet i digjet në etje qielli i syrit,
kaq vjet mungon nën ulli, kaq vjet,
e gjaku i jep dritë një zemre të prerë,
ja sesi e zgjon Ulqinin në gji,
e deti përplaset vetes i verbuar.
Apo ndër degë ulliri i thinjur agon,
a ëndrra kthehet te zjarri këlthet,
e rrufeja pëlcet krijon vinjeta mbi det,
e shpirti vjen të vdes te hiri i vet.
Ago Ymeri vjen zot, apo veç shkon.