Albspirit

Media/News/Publishing

Gëzim Basha: Litanitë e Lubonjës në ishullin e nihilistëve, rrethuar me vrer e terr

 

Fatos Lubonja, me shumë se sa një paragon i lexuesit të keq, mbetet model i lexuesit më dashakeq të Ismail Kadaresë. Tuneli pa dalje i i tendenciozitetit të interpretimeve të tij (jo) letrare, e ka nxjerrë Lubonjën në ishullin e nihilistëve, rrethuar me vrer e terr.
Vështirë të gjendet, së paku në harkun e tridhjetë viteve të fundit, një zëdhënës më këmbëngulës se sa zotëria e tij në orvatjen kolektive, por fare të pashpresë të atyre që kombinohen vetëm nga një synim i përbashkët, mohimin dhe deformimin e kuptimit të veprës së shkrimtarit më të madh shqiptar.
Fatos Lubonja ka shkuar aq larg në ekstremizmin e tij saqë jo vetëm i vesh Kadaresë kuptime të cilat nuk gjejne ilustrime në tekste konkrete, por i stimuluar nga ndërgjegjia e keqe e mohsit spekulativ, ai mohon edhe egzistencën e disa pasazheve të botuara si pjesë librash që zënë kreun e vendit në Kanonin e Letërsisë Shqipe. Vite më parë, i ndodhur në një studio televizive, në një duet me të ndjerin Ardian Klosi përball Maks Velos, Lubonja e quajti të pamundur egzistencën e vargjeve të mëposhtme nga pomthi “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”:

Këtu janë varrosur të përmbysurit,
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha,
Ata struken, trupat kthejnë përmbys e nisin
që t’i zhveshin më një vrull, hata.

Rrobe sundimtarësh të përgjakta,
Me nishana e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.

… Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitetin Qendror.

Do të ishte padrejtësi t’i quaje këto vargje, të pashoqe në krejt Lindjen Komuniste, thjesht provë disidence. Shumë më tepër se kaq, këto vargje janë produkt i mendjes dhe ndjesive të një heretiku abraziv përpara të cilit edhe vetë Zamjatini tingëllon i zbehtë. Edhe pse këto vargje janë ribotuar nga “Onufri” në “Vepra Poetike e Kadaresë”, Lubonja këmbëngul në mos egzistencën e tyre. Kjo të kujton vëzhgimin e Niçes tek “Përtej të Mirës dhe së Keqes”, ku duke ndjerë rrezikun e manipulimit të kamufluar si interpretim, ai paralajmeron, “nën sforcimin e interpretimit, teksti nuk duket më”.

Gati 50 vjet më parë, në kohën më të errët të shtypjes politike në vend, Ismail Kadare e hapte poemën Laokonti—një poemë mbi krimin politik dhe verbimin e audiencës nga propoganda—me vargun:

“Më shihni tek mbytem nga gjatpërinjtë…”

Pluralizmi shqiptar, megjithe dështimet masive, së paku në aspektin kulturor, shkaktoi një metamorfoze të dobishme, i kthehu gjarpërinjtë e djeshëm në thnegla dhe zhapinj; degradimi i tyre duket aq i pashpresë saqë vargu i mësipërm nuk ka shans të lexohet, “me shihni tek bezdisem nga thneglat dhe zhapinjtë”!
Letërsia e vërtetë nuk është kurë terapeutike kundër sëmundjes mendore të nihilizmit! Kurimi i sëmundjeve kërkon mjekët me përparse të bardha..
Litanitë e nihilistëve e kanë shoqëruar letërsinë në thuajse tre mijëvjeçarë. Do të vazhdojne akoma!
Nuk janë gjë e re as litanitë e Lubonjës.

https://alb-spirit.com/2017/09/28/dokumenti-tmerrshem-perse-lubonja-denonconte-demaline-ne-1970-ne-organizaten-baze-te-partise-ne-albimport/

Please follow and like us: