Albspirit

Media/News/Publishing

Ledi Shamku Shkreli: SHKOLLA TË BËN TË LIRË!

SHKOLLA TË BËN TË LIRË!
(edhe njëherë për ty që nxë)

E Diela jote e fundit e pushimeve të verës. Këtë javë do t’i kthehesh shkollës. Lum ti! Ta them sinqerisht, edhe unë do doja të isha sërish në shkollë! Shumë hapa do t’i hidhja ndryshe, ndaj dua të flas me ty që je ende në kohë.

Së pari të them që shkolla nuk të bën të ditur; shumë po shumë dije do t’i marrësh vetë, me sprova e lexime e punë, pasi ta kesh mbaruar shkollën. Shkolla është një lloj shigjete e Kupidit, një rreng i bukur, më i bukuri i rrengjeve që ti të mbetesh përherë i varur nga dija, që ti të duash të dish derisa të rrosh. Këtë rreng e kanë në dorë mësuesit po e ke edhe ti vetë. Mos lejo askënd të shuajë pikëpyetjet e tua! Mos u lodh e mos u mërzit nga tekste që mund mos të të joshin, as nga provime të hartuara mërzitshëm! Gërmo te ato që të pëlqejnë, gërmo shumë! Lexo ç’të mundesh për ato që të pëlqejnë. Lexo pa paragjykim, s’ka rëndësi në janë lexime shkollore, në janë libra apo informacione interneti, s’ka fare rëndësi – vetëm lexo, gërmo, pyet, mendo dhe fol! Pyet dhe mendo!

Sonte në darkë, para se të gdhijë fillimviti i ri shkollor, pyete veten se cili a cila don të jesh në jetë. Jo çfarë don të bëhesh, këtë nuk e ke ende të qartë, po cili don të jesh, çfarë njeriu don të jesh! Pyete veten sonte në darkë dhe pyete çdo darkë! Njoh plot njerëz moshatarë me mua (pra shumë më të mëdhenj se ty) që këtë pyetje nuk ja kanë bërë ende vetes, ma beso! Dhe tash ata kanë hyrë në t’atillë ritëm jete që s’kanë më as kohë e as dëshirë për një pyetje-përgjigje të këtij lloji. Pyete veten – përgjigjen e ke te shkolla! Shkolla të bën të lirë, ta dish! Një njeri i shkolluar mirë nuk është një njeri dosido; një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë. I LIRË dhe me shtyllë të plotë kurrizore për t’i qëndruar mandej kurtheve të jetës nga të cilat po të përmend veç dy më të zorshmet: servilizmin e mendjes dhe korrupsionin e shpirtit. Pyete veten çdo natë a don të mbrohesh nga këto dy kurthe. E nëse vetja të thotë po, atëherë shkollohu mirë, studio fort dhe do gjesh mbrojtjen!

Mbaji fort shokët e klasës, sidoqofshin mbaji fort! Mos u tut t’i ndihmosh kur kanë nevojë, edhe në iu dashtë ndonjë kopjim a tregim i vockël në provimet e kapitullit! Në fazën e formimit të karakterit ku ti je ka më shumë vlerë solidariteti sesa dija, ma beso!

Pyet për atë që s’di dhe thuaje atë që di, ashtu si ta dish, pa patur hall në ta aprovon apo jo zysha. Thuaje siç e mendon; ca vite më vonë për ty do ketë më shumë rëndësi si të gjykon vetja sesa si të ka gjykuar zysha. Dëgjo dhe pyet, mos u kurse, mos ki frikë si dukesh! Druaj si je jo si dukesh!

Tash po të lë të qetë të shijosh të djelën tënde të mbrame të pushimeve se më duket të shkrova gjatë. Por kam merak për ty dhe madje të kam zili! Të qoftë vit i mbarë e i vlertë. Koha shkollore nuk kthehet pas. Jetoje me mend e me dinjitet.

Me gishta kryqëzuar për ty shkollar, cilido qofsh ti!

Ledi

Please follow and like us: