Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Kalana dhe libri ‘Atelie e shpirtit’

Libri me i ri “ATELIE  E  SHPIRTIT” i shkrimtarit Luana Kalana, SHBA.

Epitaf letrar-Autori

I dashur lexues, sapo që ta shohësh, prekësh dhe lexosh librin, kujto miq, shokë, motra e vëllezer shqiptarë të besës, artdashës e dashamirës të letërsisë, që nxisin krijuesit dhe mbështesin shkronjësit. Subjektet letrare janë marrë nga jeta reale, jetëshkrime, pa përshkrime të shumta letrare, larg fantazisë, bazuar në kujtime e mbresa të autorit dhe gojëdhënat e dëshmitë okulare të bashkënjohësve në rrethanat e mjediset e tyre bashkudhëtare të jetës, që i bëjnë mjaft të besueshme dhe me interes për lexuesit, duke i paraqitur në formë fragmentesh me nëntituj episodikë.

Novelat u përkasin gjinive të ndryshme letrare, tragjike, dramatike, historike dhe romantike dhe kanë një lidhje organike midis tyre për shkak të realitetit jetësor dhe mjediseve të autorit që i ka parë, dëgjuar dhe përjetuar. Kjo është pasqyruar edhe tek nëntitujt e katër librave të botuar vitet e fundit, si sprovë, përjetime, kujtime e mbresa, mozaik letrar, krijime letrare, jetëshkrime. Novela “Bejleresha” është në dorëshkrim, prandaj po hedhim në libër vetëm një fragment kushtuar gruas, portret i bukurisë shpirtërore dhe fizike të femrës, nënës, gruas shenjtore të njerëzimit, një personazh i gjallë, që përshkon, ndërthur dhe përgjithëson të katër novelat. Novela e plotë do të mbetet në dorëshkrim si intimitet familjar i dashurisë bashkëshortore gjysmëshekullore.

Shkronjësi ka evoluar nga pseudonimi “Lumeka”, (me rrokjet e para të emrit e mbiemrit), përdorur në rininë e hershme 6 Luan Kalana në gazeta e revista periodike të asaj kohe, në pseudonimin Shkronjësi Modest, në moshën e pjekurisë, si një krijues i thjeshtë, jo poet e shkrimtar, thjesht mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë për tri dekada në Shqipëri.

Gjuha e novelave është model i gjuhës letrare kombëtare shqipe, e pasuruar me urtësinë popullore. Vetëm novela ”Çapkëni” bën përjashtim, se janë ruajtur trajtat e të folmes së Devollit, (mbledhur nga vetë autori gjatë studimeve gjuhësore të tij) për t’i dhënë ngjyrim emocional rrëfimeve letrare, ëmbëlsinë dhe përkëdhelinë e fjalëve dhe frazeologjisë, pasuri gjuhësore e letrare e të folmes së kësaj treve, duke mënjanuar huazimet e panevojshme. Meritë për frymëzimin, nxitjen, shkrimin dhe botimin e këtyre novelave kanë lexuesit e shumtë me postimet e tyre në internet, me dashamirësinë, pasionin për letërsinë, me kritikat dashamirëse në komente e mesazhe. Për mua, në shumë raste, lexuesit janë më të talentuar se poetët e shkrimtarët, më të zotë se ne shkronjësit letrarë.

Falenderim, mirënjohje dhe respekt pa mbarim lexuesve të shumtë, se pa ta, krijimet tona do të ishin pamflete të mbyllura, të mykura në “kullën e fildishtë”. Meritë në shkrimet e botimet e mia kanë, padyshim, në këto dekada emigrimi websitet letrare, stafet me moderatorët e tyre që kanë dhënë një ndihmesë të çmuar me redaktimet e tyre. Për këtë desha të bëj një falenderim publik për klubin letrar “Bota e Re”, ”Zemra Shqiptare”, “Prishtina Press”, ”Brilant Net”, “Devolli Net”, “Vishocica jonë”, etj. Në mbyllje, falenderim special për shkrimtarin Kosta Nake, redaktor i botimeve të mia letrare, dhe në veçanti të këtyre novelave, duke u dhënë furçën përfundimtare, mbuluar me mirënjohje për inxhinierin Miri Metolli, dizenjues i kapakëve të bukur të librave të mi. Le të jetë ky botim në pervjetorin tim të lindjes, dhuratë për prindërit tanë të bekuar, për gruan dhe fëmijët tanë të shtrenjtë,  për motrat, mbesat dhe nipërit që i dua shumë, për të gjithë miqtë, shokët, kolegët, ish-nxënësit dhe studentët e mi, për motrat dhe vëllezërit bashkëkombas që nuk i harroj kurrë, kudo që ndodhen në Botë. -Autori -Florida,SHBA

Libri hapet me poezine prolog “ATELIE  E  SHPIRTI”, qe mban dhe titullin e librit.

Prolog

ATELIE E SHPIRTIT

Kisha ëndërruar në jetë

të kem një studio, atelie,

të zhgaravisja imazhe me penel,

të gërmoja me daltë si skluptor,

të bëja bustin e shpirtit njerëzor.

 

 Kotësi, mbeta me blloçka në xhep,

 mbi fletorkat e nxënësve të mi,

 tërë jetën korrigjime hartimesh,

as makinë shkrimi, vetëm dorëshkrime,

krijime humbur redaksive.

 

Duhej të kalonim oqeane dhe shekuj,

tryeza me penë e bojë mbetën relike,

 epoka elektronike po pushton njerinë,

robotet modernë, celularët magjikë,

ekranet varrosën libraritë.

 

Nuk u bëra dot as artist e poet,

as anëtar i Lidhjes apo Akademisë,

mbeta ushtar pa grada e ofiqe,

atelieja ime mbeti krijesë në shpirt,

pa nam dhe lekë, shkronjës i thjeshtë.-L.K.

PASTHËNIE

Kush është shkronjësi modest Luan Lumeka Kalana ,publicisti shqiptaro-amerikan ne SHBA..?

Dy fjalë për ju lexues. Shumë shqiptarë në internet, website e facebook e njohin Luanin nëpërmjet artilerisë së tij letrare. Mua më pëlqen ta thërres “Topçiu i Letrave”, por thjeshtësia e tij e natyrshme dhe konservative përsa i përket natyrshmërisë së një devolliu tabanor, s’më lejon të vazhdoj superlativitetin tim ndaj penës tipike luanore. Pamja origjinale e Luanit është po ajo e pasqyruar virtualisht në websitet letrare: një buzëqeshje devolliçe i varet përherë në fytyrë dhe nuk i prishet edhe kur dikush tenton t’ia turbullojë; pastaj është fjala e butë, e shtruar dhe e çelur si një boçe burbuqesh që sa vjen dhe më shumë çelet pasi ecën me pjekurinë e kohës. Unë tashmë e di se “bardhaku qit çfar’ ka barku” dhe se bukuria e njeriut rritet nga bukuria e mendimit që e kthen fjalën e folur në të shkruar.

Megjithëse vështirë të gjesh tek ai një mendim për veten, sepse s’do që të mburret e të shprehet se kush është, kam mundur të kap disi atë të fshehtë për veten e tij: “Kam qënë e do të mbetem një njeri i thjeshtë, jo vetëm për modesti. Një prind si ju; dje ish-mësues i gjuhës shqipe në Shqipëri, sot një qytetar shqiptaro-amerikan – më shumë devolli – që ishte, është dhe do të jetë shqiptar i shqiponjtë që nga flokët e deri tek thonjtë.” Luani është invalid në dokumenta amerikane. I sëmurë dhe i operuar disa herë nga zemra. Po të mos punosh, ndjen një farë keqardhje, të duket vetja parazit. Për mua ai punon, madje punon shumë, aq shumë sa s’ka kohë të lirë! Ka ndihmuar shqiptarët e ardhur pas tij në gjetjen e strehimit, punësimit,  blerjen e makinave dhe shkollimin e fëmijve të tyre, duke nënçmuar sëmundjen, bllokimin e venave të zemrës, aq sa në Waterbury në Connekticut e thërrisnin “Nënë Tereza,” një aktivist patriot i shquar në organizmin e aktiviteve në diasporë. Nuk po zgjatem në këtë aspekt se ai nuk pëlqen superlativat dhe komplimentet. Është anëtar i rregullt i librarisë amerikane. Aktiv sa askush duke i hedhur shkrimet në internet. Aktiv në aktivitete kombëtare shqiptare në emigrim ku dallohet Florida. I rregullt në biseda dhe telefonata me miq e dashamirës.

Lexon dhe shkruan papushim, aq sa, me shaka, i them, Luan na mbyte! S’dalim dot nga deti yt i letrave dhe bombardimeve artilerike letrare! Sigurisht që qesh dhe më bën vërejtje të mos shkruaj nga këto shakara. Kjo është e natyrshme sepse kur shkruan, më parë duhet të lexosh, po që të lexosh duhet të ecësh edhe nëse je pa këmbë. Dhe nëse ecën, dmth jeton dhe, kur jeton s’mund të jetosh dot pa lexuar. Luan, ja që më në fund e shkrojta, pasi rastin ma dha libri yt më i fundit, “Prelud Krenarie, mozaik letrar” të cilin ti, me zemërgjerësinë që të karakterizon, ma dërgove menjëherë pa dashur të marrësh honorar.

Të falenderoj publikisht dhe më lejo të them pakë fjalë rreth librit. Libri “Prelud krenarie” është vërtet një mozaik letrar i bukur me ese, hulumtime, monografi, rezyme, kumtesa, artikuj, skica, portrete, fabula, vjershërime dhe grimca të tjera letrare; të gjitha të këndshme që lexohen me ëndje, sepse shkruan mendimin tënd, citon thënie e vlerësime të spikatura të figurave historike, letrare, sjell fragmente të marra nga dëshmi dokumentare nga më të funditt, nga puna juaj si një studjues i pasionuar. Redaktor i librit është një njeri i ditur dhe i gjithanshëm në njohuri; vërtet një fisnik letrar i Devollit, Kosta Nake, të cilin pata fatin ta njoh nga afër dhe të ndjej një respekt dhe admirim jo vetëm për diturinë e tij por edhe për një veti që unë e çmoj shumë, bujarinë që e mban fisnik njerinë.

Në fakt, brenda këtij libri janë tre pjesë (s’është trilogji) ku i pari është vërtet një monumet letrar për nga tema: Prelud krenarie – obeliskë të Kombit, i cili përmban 15 shkrime ku gjenden disa nga komentet për veprat e shqiptarëve më të dalluar në art, letërsi dhe kinematografi që autori i ka për zemër.

Në pjesën e dytë: Motive shqiptare, janë disa komente rreth miqve dhe shokëve të autorit ku bëhen 12 shkrime dhe që mund të them se aty Luani ka derdhur dashurinë e tij jo vetëm për letërsinë e miqve të tij, por mbi të gjitha për vetë miqtë e tij që i çmon shumë duke derdhur një mirënjohje dhe respekt që i ka me shumicë jo vetëm në të shkruar por edhe në jetën shoqërore.

Në pjesën e tretë: Burime krenarie, autori ka 15 shkrime të tjera ku shumica janë limfa shpërthyese e shpirtit poetik të tij. Me aq sa dallova nga brendia e librit, vura re se autori emigrant “ka marrë me vete baltën e Devollit” si një shenjë krenarie dhe fati. Në çdo shkrim dallohet dashuria për vendlindjen, atdheun, miqtë dhe të afërmit e tij. Aty ndjeva jo vetëm mallin për atdheun, por edhe erën e luleve vishocicare përzjerë me kundërmimin e faunës dhe florës shqiptare, valëzimin e bimëve të arave dhe frutikulturës ku pikon pika e parë e dollisë devolliçe, dëgjova cicërimat e zogjve të gëzuar si në asnjë vend tjetër të botës, ashtu siç është dhe shpirti i shqiptarit të thjeshtë! Autori ka peneluar bukur tipe dhe karaktere nga personazhet reale të jetës shqiptare dhe sidomos devollite, i ka daltuar aq bukur sa i ka bërë që lexuesi t’i dashurojë por edhe të mendojë se Luan Kalana është mjeshtër enciklopedik i karaktereve të njerëzve realë që ka njohur apo studiuar. Aty gjeta me kënaqësi të madhe jo vetëm shqiptarë por edhe pellazgë, ilirë dhe arbër. Gjeta të Madhin Skënderbe që i jep librit madhështi, gjeta Nënë Terezën e vogël nga shtati por të madhe nga shpirti që i jep bujari dhe thjeshtësi pafund. E pata lexuar librin pjesë-pjesë në faqet internetike, por këtu  i gjeta të gjithë ato personazhe madhështorë si në një dasmë devollite, ku pashë edhe veten time… I uroj mikut tim Luan Kalana sa më shumë suksese të mëtejshme në krijmtari duke i thënë të vazhdojë të shkruajë për heronjtë e thjeshtë shqiptarë si dhe për miqtë e tij, si deri tani, që ai i do kaq shumë.Sa e kam pyetur kam marrë vesh indirekt se ka në dorë një libër të ri me novela dhe mund të na bëjë surprizën e radhës. Nuk fola shumë për librin duke i lënë hapësirë gjithsecilit të shtojë diçka dhe sidomos atyre “valltarëve” që “kërcyen” bashkë me mua.

Recesenti i librit

Agim Bulgareci Bacelli, New York, SHBA.

Please follow and like us: